Gjëndeni këtu

Deklarata e Drejtoreshës Ekzekutive të UNFPA, Dr. Natalia Kanem, në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë

Ne duam të arrijmë Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe të mbajmë premtimin tonë për të mos lënë askënd prapa. Ne duam të ndërtojmë paqe të qëndrueshme. Prandaj, t'i vendosim të rinjtë në qendër të përpjekjeve tona kolektive. Le t'i përfshijmë të rinjtë si partnerë aktivë në këtë udhëtim së bashku.

Asnjë nga synimet tona ambicioze globale nuk mund të arrihet pa pjesëmarrjen kuptimplotë të të rinjve. Ata janë e ardhmja jonë. Dhe - 1.8 miliardë njerëz të fortë - ata janë e tashmja jonë.

Sidoqoftë, të rinjtë, sidomos vajzat adoleshente, përballen me sfida të frikshme, të vazhdueshme të ruajnë shëndet të mirë, të arsimohen dhe të marrin vendime për jetën e tyre. Kërcënimet ndaj të drejtave dhe mirëqenies së tyre sot rrezikojnë potencialin e tyre për të qenë qytetarë të angazhuar e produktivë nesër.

Ne kemi fuqinë dhe përgjegjësinë për të ndihmuar çdo vajzë dhe çdo djalë të kenë një tranzicion të sigurt dhe të shëndetshëm nga adoleshenca në moshë madhore. Çdo hapësirë ​​duhet të jetë ​​e sigurt për rininë - në shtëpi, në klasë, në qendrën shëndetësore, në tavolinat ku hartohen dhe shkruhen politikat dhe marrëveshjet e paqes.

Për UNFPA, agjensinë e Kombeve të Bashkuara për shëndetin seksual dhe riprodhues, puna me dhe për të rinjtë dhe promovimi i lidershipit dhe pjesëmarrjes së të rinjve kanë qenë një traditë e gjatë. Përpjekjet tona u mundësojnë të rinjve të zhvillojnë aftësitë, njohuritë dhe mbështetjen që u nevojitet për të marrë vendime të informuara për jetën e tyre, për familjet, komunitetet, vendin dhe botën tonë.

Të rinjtë janë në krye të veprimeve të UNFPAsë për të ndërtuar shoqëri më të barabarta, më të qëndrueshme, ku prosperiteti ndahet me të gjithë. Ne bashkuam duart me partnerët tanë për të çuar përpara rolin e të rinjve në veprimet humanitar dhe transformimin e konflikteve përmes Kompaktit për të Rinjtë në Veprimet Humanitare dhe Rezolutës 2250 të Këshillit të Sigurisë të Kombeve të Bashkuara mbi Rininë, Paqen dhe Sigurinë. Ne jemi të përkushtuar që të vazhdojmë dhe bashkëdrejtojmë këtë punë jetike. Dhe Strategjia e Kombeve të Bashkuara për Rininë, që do të lancohet në shtator, përfaqëson angazhimin e palëkundur dhe kolektiv të familjes së Kombeve të Bashkuara për të rritur punën për dhe me të rinjtë nën udhëheqjen e Sekretarit të Përgjithshëm.

Të gjithë të rinjtë në botë thonë: "Asgjë për ne, pa ne!" Ne në UNFPA e kemi dëgjuar, mësuar dhe marrë këtë parim në zemër. Partneritetet tona me të rinjtë janë dhe duhet gjithmonë të jenë të bazuara në pjesëmarrjen e tyre aktive dhe kuptimplote.

Qindra miliona vajza adoleshente po presin të marrin fuqinë e tyre në dorë dhe të përmbushin potencialin e tyre të plotë. Me mbështetjen tonë, ato mund të kërkojnë të drejtat e tyre dhe të realizojnë aspiratat e tyre. Me mbështetjen tonë, ato do të formësojnë të ardhmen e tyre - dhe atë të botës.

                                                                     ***