Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe OKB kanë hyrë në partneritet për të përdorur sportin si mjet për ndryshime sociale dhe për të angazhuar të rinjtë në aktivitete të përbashkëta që synojnë informimin, promovimin e jetës së shëndetshme, po aq sa edhe argëtimin.
Të dy organizatat i kanë shfrytëzuar ngjarjet e sportit siç është java e Lojërave Olimpike, apo Ditën Ndërkombëtare të Sportit për Zhvillim dhe Paqe për të ndërtuar mirëkuptimin kulturor dhe për të promovuar edukimin, informimin, sjelljet e shëndetshme, paqen dhe angazhimin në zhvillimin ekonomik dhe social.
6 Prill, Dita Ndërkombëtare e Sportit për Zhvillim dhe Paqe ka për qëllim promovimin e mënyrës së shëndetshme të jetesës dhe inkurajimin e Lëvizjes Olimpike Ndërkombëtare që të krijohet mjedis i paqtë promovues dhe me akses në sport për sa më shumë të rinj dhe jo vetëm.
Në këtë ditë punohet me komunitetin dhe synohet që nëpërmjet sportit të pasurohet jeta e fëmijëve dhe të rinjve, duke ardhur së bashku edhe me mësuesit dhe prindërit e pjesëtarë të komuniteteve ku ata jetojnë.
Këtë vit, UNFPA iu bashkua Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar në një sërë aktivitetesh sportive në Zadrimë të Lezhës. Plot 500 fëmijë, prindër e mësues nga 3 fshatra të Zadrimës organizuan një ceremoni festive, me sporte si volejboll, basketboll, gara vrapi. Aktiviteti synonte nxitjen e jetesës së shëndetshme në komunitete paqësore përmes sportit. Të rinjtë kishin përgatitur një ekspozitë mbi barazinë gjinore, duke përdorur materialet e ricikluara. Ata performuan edhe një pjesë të vogël teatrale, duke dhënë mesazhin "STOP martesës së fëmijëve!" Artizanati dhe kultura lokale u promovuan gjithashtu përmes pjesës artistike të festës.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti i KOKSH, z. Viron Bezhani falenderoi qindra të rinj pjesëmarrës dhe i inkurajoi ato për përformacën sportive, ndërsa u bëri thirrje të pranishmëve të aktivizohen sa më shumë në sporte dhe ta bëjnë atë pjesë të përditshmërisë së tyre. Aktivitetin gjithashtu e përshëndeti dhe Elsona Agolli, Analiste e Programit Gjinor të UNFPA, e cila theksoi rëndësinë që ka “Investimi tek të rinjtë, sidomos vajzat e reja, në mënyrë që ato të qëndrojnë në shkollë në vend që të martohen herët, të fuqizohen dhe t’u krijohet mundësia që të realizojnë ëndrrat, dëshirat e pasionet e tyre, të marrin vetë vendimet për jetën dhe trupin e tyre dhe të realizojnë kështu potencialin e tyre të plotë në jetë.”
Ky aktivitet ishte pjesë e kremtimeve të përvjetorit të 50-të të UNFPA dhe 25 vjetorit të Konferencës Ndërkombëtare për Popullsinë dhe Zhvillimin.