Kur vjen koha për të krijuar një familje dhe për të lindur fëmijë, shumë gra vazhdojnë të përballen me sfidën për të zgjedhur midis karrierës dhe familjes. Kombinimi i dy prioriteteve është shumë sfidues, veçanërisht, kur kopshtet apo kujdesi publik për fëmijët nuk është i mundur, leja e lindjes është e kufizuar dhe oraret fleksibël në punë aplikohen rrallë. Rezultati është që shumë gra lindin më pak fëmijë nga sa dëshirojnë ose heqin dorë nga karriera për shkak të pamundësisë për t'u përkushtuar ndaj të gjitha këtyre prioriteteve.
Të dyja këto rezultate prodhojnë një pasojë negative: jo vetëm që gratë mbeten me më pak zgjedhje, por shoqëria vuan pasojat e mosangazhimit të gjysmës së fuqisë punëtore. Nëse qindra gra, kundër dëshirës së tyre, detyrohen të heqin dorë nga karriera për t'u kujdesur për fëmijët e tyre ose anëtarët e tjerë të familjes në shtëpi, talenti dhe i gjithë kontributi që vjen prej tyre nuk do të përdoret në rritjen ekonomike dhe jetën publike. Ndërkohë, qindra gra nuk do të lindin aq fëmijë sa dëshirojnë, pasi mendojnë se kjo do t'i pengojë në karrierën e tyre, ndërsa ky do të bëhet një faktor në uljen e numrit të lindjeve në vend dhe do të rrisë presionin mbi popullsinë që tashmë është në rënie në Shqipëri.
Për këtë arsye, UNFPA me mbështetjen e Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA), është angazhuar dhe po punon me sektorin privat dhe partnerë të tjerë për të promovuar politika miqësore ndaj familjes në vendin e punës, përmes zgjerimit të zgjedhjeve për gratë, vajzat dhe çiftet e reja. Faktet tregojnë se zbatimi i politikave miqësore ndaj familjes ka fuqinë të ndihmojë në tejkalimin e diskriminimit gjinor, duke ri-dimensionuar politikat mbështetëse për punën dhe kujdesin e papaguar në shtëpi, duke u mundësuar burrave dhe grave të realizojnë aspiratat e tyre për karrierë dhe jetë familjare.
“Më Shumë Zgjedhje” zbatohet nga UNFPA Shqipëri me mbështetjen financiare të Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADC). Kjo nismë ka krijuar partneritete me sektorin privat për të pilotuar dhe promovuar politika miqësore ndaj familjes në vendin e punës, me qëllim përmirësimin e mjedisit të punës dhe promovimin e barazisë gjinore, ku të dyja palët përfitojnë, si punëdhënësit ashtu edhe punonjësit. Nisma gjithashtu synon të advokojë pranë politikëbërësve për të përmirësuar politikat që lidhen me mjedisin e punës, që mbështesin familjet dhe promovojnë barazinë gjinore dhe shpërndarjen e barabartë të përgjegjësive për kujdesin në familje. Ajo i është dedikuar gjithashtu dhënies fund të stereotipeve gjinore me efekte negative, zgjerimit të mundësive dhe zgjedhjeve për gratë dhe rritjes së rolit aktiv të burrave për të marrë më shumë përgjegjësi për punët e shtëpisë dhe kujdesin për familjen. Mbledhja e të dhënave dhe fakteve për të advokuar dhe promovuar modele pozitive është një element tjetër i rëndësishëm i kësaj ndërhyrjeje, të zbatuar në partneritet me partnerët tanë: IDRA Research & Consulting, DM Consulting Services, Dhomën Ekonomike të Gruas, Zyrën e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe 7 kompani të sektorit privat: AGNA Group, INCA, Lufra, R&T Group, Raiffeisen Bank Albania, FIX Pro, Euronews Albania.