Go Back Go Back
Go Back Go Back
Go Back Go Back

“Edhe djemtë mund të abuzohen seksualisht”- Trajnime mbi survejancën “Sjelljet e shëndetshme tek fëmijët e moshës shkollore (HBSC) dhe analizë rastesh

“Edhe djemtë mund të abuzohen seksualisht”- Trajnime mbi survejancën “Sjelljet e shëndetshme tek fëmijët e moshës shkollore (HBSC) dhe analizë rastesh

Lajme

“Edhe djemtë mund të abuzohen seksualisht”- Trajnime mbi survejancën “Sjelljet e shëndetshme tek fëmijët e moshës shkollore (HBSC) dhe analizë rastesh

calendar_today 14 October 2024

Një sallë plot me njerëz të ulur rreth një tavoline, duke dëgjuar 2 trajnues që po paraqesin gjetjet nga survejanca e HBSC
Seancë trajnimi në Elbasan mbi raportin e studimit HBSC

Statistikat e fundit dalë nga  ”Raporti i Sjelljes së Shëndetshme të Fëmijëve në Moshë Shkollore (HBSC) 2021/2022” ndër të tjera fokusohen në shëndetin seksual të adoleshentëve në Europë, Azinë Qëndrore dhe Kanada. Grumbullimi i të dhënave për Shqipërinë u realizua nga ekspertë të Fakultetit të Mjekësisë në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, ASCAP dhe OBSH, me mbështetjen e UNFPA dhe UNICEF. 

Gjetjet kryesore për vendin tonë përfshijnë të dhëna të HBSC për Shqipërinë në nivel kombëtar:

  •  4% e vajzave dhe 34% e djemve raportuan se kishin kryer marrëdhënie seksuale (duke e renditur Shqipërinë në vendin e 14-të nga 44 vende në Europë).
  • Shqipëria renditet e 36-ta nga 42 vende lidhur me përdorimin e kondomit në marrëdhënien e fundit seksuale.
  • Shqipëria renditet e treta nga 42 vende për mospërdorimin e kondomit apo kontraceptivëve oralë në marrëdhënien e fundit seksuale.
  • Abuzimi seksual në nivel vendi është rritur nga 3.4% (2018) në 3.8% (2022). Nëse i shohim në nivel rajoni dhe të krahasuara e të ndara sipas rajoneve dhe gjinisë, shohim panoramën si më poshtë:

Tabelë që tregon gjetjet e survejancës HBSC
Burimi: Raporti i survejancës HBSC

Prevalenca e abuzimit seksual te vajzat ka rezultuar në rritje në Berat, Lezhë dhe Korçë.

Bazuar në këto të dhëna, UNFPA Shqipëri, në bashkëpunim me partnerin e saj zbatues Nesmark, hartuan një plan për të kryer një analizë më të thelluar në nivel rajoni dhe shoqëruar me seanca informuese dhe trajnime në 12 rajonet e vendit.

Përgjatë vitit 2024 është planifikuar që trajnimet të zhillohen në 6 rajone, përkatësisht Elbasan, Tiranë, Shkodër, Lezhë, Berat dhe Korçë, ndërkohë që në 6 rajonet e tjera do të vijohet vitin e ardhshëm. 

punonjës socialë të ulur rreth një tavoline duke dëgjuar gjetjet e survejancës HBSC gjatë një seance trajnimi
Trajnim në Elbasan mbi survejancën “Sjelljet e shëndetshme tek fëmijët e moshës shkollore” (HBSC)

Seanca e parë u zhvillua në Bashkinë Elbasan, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve të ndryshme shtetërore përgjegjës për edukimin dhe mbrojtjen e fëmijëve, të cilët u informuan mbi shifrat dhe gjetjet dalë nga raporti kombëtar dhe analizat e thelluara. Gjithashtu, ata u bënë pjesë e tryezës së diskutimit mbi çështjet që lidhen me abuzimin seksual të fëmijëve dhe të rinjve, ndanë eksperiencat e tyre, përfshirë edhe vështirësitë që kanë hasur gjatë punës së përditshme, si edhe bënë sugjerime për të përmirësuar ndërhyrjet dhe politikat. 

Sipas ekspertes së shëndetit publik, Gentjana Qirjako, “gjetjet e studimit theksojnë urgjencën për të përforcuar ndërhyrjet në shkolla dhe jashtë saj, si edhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve, me qëllim parandalimin e abuzimit seksual tek fëmijët dhe adoleshentët. Investimi në përmirësimin e kapaciteteve të profesionistëve është një hap kyç për edukimin e fëmijëve tanë.”

Gentiana Qirjako, eksperte e Shëndetit Publik duke shpjeguar gjetjet nga survejanca e HBSC për pjesëmarrësit e trajnimit në sallë
Gentjana Qirjako, eksperte e Shëndetit Publik

Edhe djemtë mund të abuzohen seksualisht. 

Nadire Kreka, përgjegjëse e sektorit për mbrojtjen e fëmijëve në Bashkinë Elbasan shprehet se “aq sa duhet të ndërgjegjësojmë fëmijët, po aq duhet të ndërgjegjësojmë prindërit, pasi e kanë të vështirë të kuptojnë që edhe djemtë mund të abuzohen seksualisht”. 

Gjatë trajnimit Kreka solli në vëmendje një rast abuzimi seksual me një djalë 13-vjeçar: "Një prind më tha që unë kam djalë, jo vajzë, çfarë abuzimi!"

Nadire Kreka dhe anëtarë nga institucionet e tjera të ulur rreth një tavoline duke dëgjuar gjetjet e survejancës HBSC gjatë një seance trajnimi
Nadire Kreka dhe punonjës nga institucione të tjera gjatë trajnimit në Elbasan

Mbështetja sistematike e UNFPA për studimin HBSC në Shqipëri është pjesë e mandatit të saj për të promovuar dhe përmirësuar shëndetin dhe mirëqenien e të rinjve dhe për të adresuar të gjitha format e dhunës me bazë gjinore. UNFPA punon që adoleshentët të marrin një formim dhe edukim mbi shendetit seksual dhe riprodhues për të siguruar mirëqenie të gjithanshme, për të ngritur dhe ofruar shërbime cilësore të shëndetit seksual dhe riprodhues, me qëllim që të rinjtë dhe të rejat të kenë mirëqenien dhe mundësitë për të zhvilluar potencialin e tyre të plotë.

Kjo ndërhyrje realizohet në kuadër të Programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri "T'i Japim Fund Dhunës Ndaj Grave”, Faza II, i financuar nga Qeveria e Suedisë dhe zbatuar nga UN Women, UNDP dhe UNFPA në partneritet me Qeverinë Shqiptare.