Go Back Go Back
Go Back Go Back
Go Back Go Back

“Ne mund dhe duhet t'i japim fund vdekjeve të parandalueshme amtare”

“Ne mund dhe duhet t'i japim fund vdekjeve të parandalueshme amtare”

Deklarata

“Ne mund dhe duhet t'i japim fund vdekjeve të parandalueshme amtare”

calendar_today 07 April 2025

Dr. Natalia Kanem - Drejtoreshë ekzekutive e Fondit të OKB-së për Popullsinë
Dr. Natalia Kanem - Drejtoreshë ekzekutive e Fondit të OKB-së për Popullsinë

Dita Botërore e Shëndetit (7 Prill)

Deklaratë nga Drejtoresha Ekzekutive e UNFPA, Dr. Natalia Kanem

Në nivel global, shëndeti i grave gjatë shtatzënisë dhe lindjes është më i mirë se kurrë më parë. Kjo për shkak të përparimeve mjekësore dhe për shkak se më shumë gra kanë kontroll mbi zgjedhjet e tyre riprodhuese dhe akses më të mirë në shërbimet cilësore të kujdesit për shëndetin amtar.

Që nga viti 2000, bota ka parë një rënie të jashtëzakonshme prej 40 për qind të vdekshmërisë globale të nënave. Për herë të parë, asnjë vend nuk vlerësohet të ketë një shkallë "jashtëzakonisht të lartë" të vdekshmërisë amtare prej mbi 1,000 vdekje për 100,000 lindje të gjalla.

Megjithatë, këto përfitime maskojnë pabarazi të konsiderueshme dhe mbeten të brishta e, në disa nga vendet më të prekshme, ato janë inekzistente. Aty ku sistemet shëndetësore janë të dobëta ose ku krizat e zgjatura zënë rrënjë, normat e vdekshmërisë amtare ngecin apo edhe rriten. Në vendet e prekura nga konflikti gratë kanë dy herë ose më shumë gjasa të vdesin nga shtatzënia dhe ndërlikimet e lindjes së fëmijëve, sesa mesatarja globale.

Një moment inkurajues është se sot ndodhin më shumë lindje në institucionet e kujdesit shëndetësor se sa jashtë tyre. Megjithatë, cilësia e kujdesit ndryshon shumë, gjë që mund të ketë pasoja kërcënuese për jetën. Hulumtimet zbulojnë se kujdesi me cilësi të dobët shkakton gjysmën e vdekjeve amtare. Mungesat në barna esenciale, pajisje dhe personel të kualifikuar mundojnë shumë sisteme shëndetësore.

Në shumë raste, diskriminimi dhe pabarazitë e lidhura me vendndodhjen, të ardhurat dhe racën ose përkatësinë etnike i privojnë gratë nga zgjedhjet seksuale dhe riprodhuese dhe nga kujdesi i duhur amtar. Edhe në vendet më të pasura, të cilat kanë standarde të larta të kujdesit shëndetësor, nivelet e vdekshmërisë amtare janë mesatarisht në mënyrë disproporcionale më të larta midis grupeve të margjinalizuara.

Ne mund dhe duhet t'i japim fund vdekjeve të parandalueshme amtare. Ne e dimë se çfarë funksionon dhe pse.

Ne e dimë që mamitë shpëtojnë jetë. Zgjerimi i kujdesit nga mamitë mund të ndikojë në zbulimin e rreziqeve dhe të ndihmojë në menaxhimin e komplikacioneve, duke ulur edhe kostot. Pavarësisht dëshmive që qasja universale për këta profesionistë mund të shmangë dy të tretat e vdekjeve dhe lindjeve amtare dhe foshnjore, ka një mungesë globale prej afro 1 milion mamish.

Ne e dimë se angazhimet e forta politike, burimet e duhura financiare dhe ligjet mbështetëse bëjnë një ndryshim të qëndrueshëm.

Në këtë Ditë Botërore të Shëndetit, le t'i japim prioritet investimeve në mënyrë që të arrijmë zero vdekje të parandalueshme amtare. Le të angazhohemi për të ndërtuar shoqëri më të shëndetshme, më të drejta dhe për të siguruar që të gjitha gratë që sjellin jetë në këtë botë, mund t'i mbijetojnë lindjes së fëmijëve dhe të lulëzojnë më pas.