Gjëndeni këtu

UNFPA dhe UN Women nisën fushatën "Trupi im, e drejta ime", i cili vjen në Shqipëri si një nismë e re arti, që synon të rrisë ndërgjegjësimin mbi autonominë e trupit, barazinë gjinore, dhunën me bazë gjinore dhe antidiskriminimin.

Iniciativa synon të angazhojë vajza dhe djem të rinj nga e gjithë Shqipëria, të apasionuar pas fotografisë dhe ilustrimin, duke përdorur veprat e tyre të artit për të përcjellë mesazhe dhe për të ndihmuar në nxitjen e një bisede rreth kësaj teme. Faza e parë do t'i sjellë këta të rinj së bashku me ekspertë dhe artistë profesionistë të punojnë për të rritur njohuritë e tyre mbi autonominë e trupit, barazinë gjinore dhe dhunën me bazë gjinore, dhe të zhvillojnë aftësitë e tyre artistike në fotografi dhe ilustrim. Mentorimi do të kryhet nga fotografia profesioniste Anna Ehrenstein dhe pedagogë e artistë të shquar të artit, Ardian Isufi dhe Harri Aleksi. Psikologët dhe punonjësit socialë Izela Tahsii dhe Anila Sulstarova gjithashtu do të ofrojnë një perspektivë sociale dhe psikologjike të temave, për t'i bërë të rinjtë të ndalen më shumë në shkaqet dhe mënyrën se si t'i trajtojnë më së miri tema të tilla të ndjeshme pa asnjë paragjykim, duke i parë nga një perspektivë pozitive e orientuar drejt zgjidhjes.

Aftësitë e fituara do të përdoren më pas në veprat artistike të cilat do të përpiqen të japin mesazhe ndikuese dhe një apel për zgjedhje të fuqizuara dhe të informuara në lidhje me trupin, pa asnjë frikë detyrimi apo dhune.

Veprat e artit do të shfaqen në tre ekspozita në të gjithë Shqipërinë gjatë fushatës "16 Ditë Kundër Dhunës me Bazë Gjinore", që do të zgjasë nga 25 Nëntori deri në 10 Dhjetor. Tre veprat më të mira artistike nga secila kategori, fotografi dhe ilustrim, do të përzgjidhen dhe do të shpërblehen me çmime nga një juri ekspertësh.

Iniciativa synon të zgjerojë konceptet rreth autonomisë së trupit dhe barazisë gjinore për t'i bërë ato më të prekshme për shoqërinë e gjerë dhe për të ndihmuar në prishjen e praktikave dhe stereotipeve të dëmshme që vazhdojnë të mbizotërojnë.

Iniciativa "Trupi im, e drejta ime" po organizohet si pjesë e një Programi të Përbashkët të OKB -së për dhënien fund të dhunës kundër grave dhe vajzave në Shqipëri, mbështetur nga Qeveria e Suedisë dhe zbatuar nga UNFPA, UN Women dhe UNDP.