Go Back Go Back
Go Back Go Back
Go Back Go Back

BETEJA E ALBANËS ME VIRUSIN E PAPILOMËS HUMANE

BETEJA E ALBANËS ME VIRUSIN E PAPILOMËS HUMANE

Lajme

BETEJA E ALBANËS ME VIRUSIN E PAPILOMËS HUMANE

calendar_today 21 November 2023

Të dhëna statistikore mbi fushatën e depistimit të HPV në Shqipëri
Të dhëna statistikore mbi fushatën e depistimit të HPV në Shqipëri

Kanceri i qafës së mitrës është shkaku i dytë më i zakonshëm i vdekjeve nga kanceri te gratë në moshën riprodhuese në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore. Kjo prek kryesisht gra të reja, në shumicën e rasteve midis grupmoshës 35 deri 45 vjeç. Çdo vit, diagnostikohen më shumë se 38,000 raste të reja dhe 18,000 vdekje nga kanceri i qafës së mitrës në këtë rajon.

 

Fushata e Vaksnimit në Tiranë nisur në Nëntor 2022

 

UNFPA Shqipëri prej vitesh është angazhuar për të rritur ndërgjegjësimin e grave për kryerjen e kontrollit rutinë shëndetësor për këtë sëmundje. Por jo vetëm kaq. UNFPA Shqipëri, në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet shëndetësore, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Institutin e Shëndetit Publik, Operatorin e Kujdesit Shëndetësor, Qendrat Shëndetësore, harton programe e zbaton ndërhyrje me fokus parandalimin dhe kontrollin e kancerit të qafës së mitrës.

 

Programi i depistimit të kancerit të qafës së mitrës, i bazuar në testin e HPV, në Shqipëri ka nisur në vitin 2019 për gratë e grupmoshave 40-50 vjeç e, deri në fund të vitit 2024, synohet depistimi i afërsisht 80% të grave të kësaj moshe.

 

Infografik mbi të dhënat e Shqipërisë për programin e depistimit të HPV

Paralelisht me këto përpjekje, prej nëntorit të vitit 2022, UNFPA, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, nisi fushatën e vaksinimit për vajzat 13 vjeçare kundër Virusit të Papilomës Humane, që shkakton kancerin e qafës së mitrës. Çdo vajzë 13 vjeçare mund të vaksinohet falas në qendrën shëndetësore pranë zonës së banimit.

 

Baner informues mbi fushatën e vaksinimit kundër HPV nisur në Nëntor 2022

 

Historia e Albanës…

 

Albana Çapo, një grua rreth të 40ve, bashkëshorte e nënë e një vajze, nga qytetit i Fierit, u diagnostikua me kancer në qafën e mitrës në tetor të vitit 2022. Zbulimi ishte i rastësishëm, ndërsa ajo po shoqëronte vjehrrën e saj për një rikontroll pas trajtimit për kancerin në qafën e mitrës. Doktori i saj i sugjeroi që të kryente një kontroll rutinë.Sëmundja ime u zbulua krejt rastësisht. Gjatë kontrollit doktori vuri re një cist”, tregon ajo. “Mendova se ishte një infeksion dhe vijova me rutinën e ditës time, deri kur mora një telefonatë nga doktori i cili më njoftoi se kisha kancer në qafën e mitrës”.

 

Fier, Albana Çapo, e shëruar nga kanceri i qafës së mitrës

Albana tregon se për të ishte e pabesueshme, pasi nuk kishte shfaqur asnjë simptomë apo shqetësim shëndetësor, qoftë dhe minimal. ”Të them se nuk isha e frikësuar do të gënjeja. Isha shumë e frikësuar dhe e trishtuar”. Kjo ishte hera e parë që Albana kreu një kontroll për kancerin e qafës së mitrës. Pas një muaji nga diagnostikimi, Albana iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale. Fatmirësisht, kjo ndërhyrje rezultoi e suksesshme dhe Albana sot gëzon shëndet të mirë, duke ndjekur të gjithë rekomandimet e personelit shëndetësor e duke kryer vizitat e kontrollit sipas protokollit mjekësor.

 

Në Shqipëri, statistikat tregojnë se shkalla e përhapjes dhe vdekshmërisë nga kanceri i qafës së mitrës janë relativisht më të ulëta krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Të dhënat zyrtare tregojnë se shkalla mesatare e vdekshmërisë nga kanceri i qafës së mitrës në vitin 2020 është 3.3 vdekje për 100,000 banorë.

 

Programet e depistimit të kancerit të qafës së mitrës reduktojnë shkallën e zhvillimit të sëmundjes deri në 80 për qind. Ky rezultat mund të jetë dhe më i mirë kur programet e depistimit kombinohen me programin e vaksinimin kundër Virusit të Papilomës Humane (HPV).

 

Albana tregon në rrëfimin e jetës së saj se, prej ditës që u diagnostikua me kancer të qafës së mitrës, ajo është kthyer në një advokuese për të rritur ndërgjegjësimin e grave për t’u vizituar dhe kontrolluar për këtë sëmundje. ”I them çdo ditë mikeshave të mia, familjareve, kolegeve dhe kujtdo që më pyet si jam, pasi ka mësuar historinë time, se duhet të depistohen e të kryejnë kontrollet mjekësore të rekomanduara, në mënyrë që të mos kalojnë atë që kalova unë”.

 

Fier, Albana Çapo, e shëruar nga kanceri i qafës së mitrës

 

Programi Kombëtar për Depistimin e Kancerit të Qafës së Mitrës, në zbatim që prej vitit 2019, mbështetur në vijimësi nga UNFPA Shqipëri, vë theksin tek rritja e aftësive, njohurive dhe trajnimi i më shumë se 500 profesionistëve të shëndetësisë në 400 qendra shëndetësore të kujdesit parësor. Fushatat e ndërgjegjësimit të mbështetura nga UNFPA kanë qenë dhe do të jenë të vazhdueshme. Por, nevojitet një ndërgjegjësim më i madh i grave për t’u bërë pjesë e programit të depistimit  dhe kontrollit rutinë. Rëndësi të vecantë merr ndërgjegjësimi i mbarë komunitetit për vaksinimin e vajzave të moshës 13 vjeçare kundër Virusit të Papilomës Humane (HPV), ofruar falas në qendrat shëndetësore publike.

 

Albana, e cila u përball me këtë sfidë të vështirë në jetën e saj, nuk hezitoi për asnjë moment që vajza e saj të vaksinohej, pikërisht një muaj pas ndërhyrjes kirurgjikale të saj, periudhë që përkonte me nisjen e fushatës së vaksinimit kundër virusit të Papilomës Humane ndërmarrë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale mbështetur nga UNFPA në Nëntor të vitit 2022.

 

Përfshirja e vaksinës në Programin Kombëtar të Vaksinimit, në Nëntor 2022, plotëson një cikël të Programit Kombëtar për Parandalimin e Kancerit të Qafës së Mitrës, i cili përfshin dhe elementë të tjerë si zhvillimi i standardeve dhe protokolleve klinike, trajnimi i ofruesve të kujdesit shëndetësor, ndërgjegjësimi i grave dhe komuniteteve, këshillimi, testimi për HPV, sistemi i referimit, diagnostikimi, trajtimi / ndjekja, etj.

 

Dr. Alban Ylli, Ekspert në Shëndetësinë Publike, Instituti i Shëndetit Publik ka deklaruar se: Edhe pse Shqipëria ka prezantuar në kohë të fundit të dy programet, atë të skriningut bazuar në HPV dhe vaksinimit kundër HPV, të cilat ofrojnë përkatësisht përgjigje afatshkurtra dhe afatgjata për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës, rruga përpara duhet të jetë përmirësimi i vazhdueshëm i mbulimit të popullsisë dhe cilësisë së shërbimeve.”

Dr. Alban Ylli, Ekspert në Shëndetësinë Publike, Instituti i Shëndetit Publik

Fushata  e vaksinimit kundër virusit HPV vijon, ashtu siç vijon përkushtimi i UNFPA Shqipëri në partneritet me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Institutin e Shëndetit Publik për zbatimin e plotë të Programit Kombëtar 10-vjeçar të Kontrollit të Kancerave.