Go Back Go Back
Go Back Go Back
Go Back Go Back

Deklaratë e Drejtoreshës Ekzekutive të UNFPA, Dr. Natalia Kanem, në Ditën Botërore të Shëndetit 2023

Deklaratë e Drejtoreshës Ekzekutive të UNFPA, Dr. Natalia Kanem, në Ditën Botërore të Shëndetit 2023

Lajme

Deklaratë e Drejtoreshës Ekzekutive të UNFPA, Dr. Natalia Kanem, në Ditën Botërore të Shëndetit 2023

calendar_today 07 April 2023

Tema e vitit 2023 për Ditën Botërore të Shëndetit, 7 prill, është "Shëndeti për të gjithë"
Tema e vitit 2023 për Ditën Botërore të Shëndetit, 7 prill, është "Shëndeti për të gjithë"

Çdo dy minuta, një grua vdes duke lindur fëmijën. Ndërkohë që ora vazhdon tik-tokun drejt një viti tjetër, 287,000 gra të tjera do të përballen me të njëjtin fat tragjik.

Shumë prej këtyre vdekjeve janë të parandalueshme. Nuk janë të pashmangshme. Ato ndodhin sepse sistemet e kujdesit shëndetësor dështojnë në dhënien e shërbimeve të duhura ndaj grave dhe vajzave.

Gratë vdesin duke lindur, sepse shumica e shërbimeve shëndetësore janë të pa asksesueshme, të paarritshme, të papërballueshme ose ofrojnë cilësi të dobët të përkujdesjes.

Edhe gratë që kërkojnë të përdorin kontraceptivë ndeshen me pengesa të ngjashme. Rreth 257 milionë gra që duan të shmangin shtatzëninë, nuk arrijnë të përdorin metoda të sigurta dhe moderne.

Këtë vit në Ditën Botërore të Shëndetit është momenti për t’iu bashkuar të gjithë thirrjes globale "shëndet për të gjithë".

Për dekada me radhë, sistemet e kujdesit shëndetësor në mbarë botën kanë njohur përparim dhe kanë përmirësuar shtrirjen dhe cilësinë e kujdesit shëndetësor seksual dhe riprodhues. UNFPA e ka mbështetur këtë përpjekje. Rreth 39,000 gra i shpëtuan vdekjes gjatë lindjes në vitin 2021 prej punës së UNFPA, e cila siguroi kontraceptivë për to, duke kontribuar kështu në uljen e ndjeshme dhe të vazhdueshme të numrit global të vdekjeve të nënave gjatë lindjes.

Ky përparim sot ka ngecur dhe kjo është alarmuese. Në disa vende, numri i vdekjeve të grave gjatë lindjes po rritet ndjeshëm.

Një prej arsyeve të kësaj situate mund të lidhet më pandeminë COVID-19, periudhë në të cilën u morën disa vendime për të shkurtuar mbështetjen financiare për shërbimet thelbësore dhe mbrojtëse dedikuar shëndetit seksual dhe riprodhues.

Po ashtu, diskriminimi gjinor nxit shpesh vendime të kësaj natyre, që e trajtojnë shëndetin dhe mirëqenien e grave dhe vajzave si më pak të rëndësishme se qëllimet e tjera.

Si pjesë e Axhendës 2030 për Zhvillimin e Qëndrueshëm, vendet anembanë botës janë angazhuar në arritjen e objektivit për mbulimin shëndetësor universal dhe garantimin e aksesit universal ndaj shëndetit seksual dhe riprodhues.

Megjithatë, ende në shumë vende, paketat universale shëndetësore përjashtojnë shumë ndërhyrje thelbësore të shëndetit seksual dhe riprodhues, përfshirë edhe masat e lidhura me kancerat e sistemit riprodhues apo parandalimin dhe reagimin ndaj dhunës me bazë gjinore.

UNFPA po mbështet në mbarë botën sistemet shëndetësore, që garantojnë shërbime cilësore të shëndetit seksual dhe riprodhues, që arrijnë çdo person dhe akomodojnë grupet e ndryshme të popullsisë, duke përfshirë edhe njerëzit me aftësi të kufizuara.

Investimi në garantimin e shëndetit seksual dhe riprodhues është një investim thelbësor në zhvillimin e qëndrueshëm dhe në sigurimin e një bote ku çdo grua, vajzë dhe i ri mund të jetojë duke realizuar potencialin e vet të plotë.

Këto investime jo vetëm që kursejnë dhe përmirësojnë jetën, por gjenerojnë edhe përfitime ekonomike. Nga llogaritja e UNFPA-së, një dollar i investuar deri në vitin 2030 në përpjekjen për t’i dhënë fund vdekjeve të nënave gjatë lindjes dhe plotësimit të nevojave për planifikim familjar, brenda vitit 2050 mund të gjenerojë përfitime ekonomike deri në 8.40 dollarë. 

Në këtë Ditë Botërore të Shëndetit, le të mbështetim të drejtën e të gjithë njerëzve për të arritur standardin më të lartë të mundshëm të shëndetit. Le të bashkojmë forcat për të zgjeruar aksesin ndaj shëndetit seksual dhe riprodhues, me të drejta dhe zgjedhje, si rruga e duhur drejt një të ardhmeje më të barabartë, më të begatë dhe më të qëndrueshme.