Çdo vajzë ka një vizion për atë që do t’i sjellë jeta. Kjo ëndërr ka nevojë për mbështetje dhe mbrojtje, ndërsa vajza bën kalimin nga adoleshente në e rritur.
Megjithatë, për miliona vajza, adoleshenca është një kohë kur dyert mbyllen. Kalimi gradual në moshë madhore përfundon papritur, ndërsa shtatzënia e hershme dhe dhuna me bazë gjinore, përfshirë praktikat e dëmshme si martesa e fëmijëve apo gjymtimi i organit femëror, u mohojnë atyre të drejtat dhe zgjedhjet më themelore. Varfëria, konfliktet e zgjatura dhe vulnerabilitetet kronike i bëjnë këto rreziqe edhe më të mundshme.
Në vendet me të ardhura të ulëta dhe mesatare regjistrohen 21 milion shtatzëni në vit tek vajzat e moshës nga 15 deri 19 vjeç, gati gjysma e tyre janë të paqëllimshme. Për shumë prej këtyre vajzave kjo do të thotë një jetë jo vetëm e kufizuar, por edhe e shkurtuar plotësisht. Komplikacionet që lidhen me shtatzëninë dhe lindjen janë disa nga shkaqet kryesore të vdekjeve për vajzat adoleshente në të gjithë botën.
Muajin e kaluar, liderët e botës nënshkruan një marrëveshje globale, që përfshinte angazhime për t’i dhënë fund pabarazive gjinore dhe për të adresuar shkeljet që vijnë si rrjedhojë e që veprojnë si frenues për aspiratat e vajzave. Ata pranuan se paqja dhe prosperiteti i së ardhmes sonë të përbashkët varen nga aftësia e vajzave adoleshente për të ushtruar të drejtat e tyre të njeriut dhe për të arritur potencialin e tyre të plotë.
Kur vajzat adoleshente janë të shëndetshme, të arsimuara dhe të fuqizuara dhe kanë aftësi dhe mundësi për të formuar një të ardhme të ndritur, ato dhe fëmijët e tyre – nëse vendosin të kenë fëmijë kur të rriten – kanë mundësi më të mëdha për një jetë më të mirë.
Këto 600 milionë vajza të forta adoleshente kanë potencial transformues për veten e tyre, për komunitetet e tyre dhe për njerëzimin në tërësi. Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Vajzës dhe në çdo ditë tjetër, le të punojmë për të eliminuar të gjitha pengesat që nuk i lejojnë vajzat adoleshente të arrijnë potencialin e tyre të plotë dhe të dëgjojmë thirrjen e tyre për të qenë të lira të jetojnë në paqe dhe për të përcaktuar vetë kursin e jetës së tyre.
Vajzat adoleshente kanë një vizion të qartë për të ardhmen që duan. Le t’i mbështesim ato në realizimin e kësaj të ardhmeje, le t’u qëndrojmë përkrah dhe jo t’i pengojmë në rrugën e tyre.