Nazmija, një nënë e tre vajzave nga një fshat pranë qytetit të Durrësit, është një nga mijëra shqiptarë nga i gjithë vendi, që morën pjesë në një seri konsultimesh organizuar nga UNFPA për të dëgjuar shqetësimet dhe aspiratat e qytetarëve të zakonshëm dhe për të ushqyer debatin global mbi axhendën e zhvillimit post-2015.
Si shumë pjesëmarrës të tjerë në konsultime, Nazmija e bëri të qartë se, shpesh, përmirësime të vogla mund të sjellin ndryshime të mëdha në jetën e njerëzve. Në rastin e saj, ishte i nevojshëm një autobus shkolle që të çonte vajzat e saj dhe fëmijët e tjerë të fshatit të ndiqnin shkollën e mesme në qytet.
Nazmija është divorcuar dhe ka drejtuar familjen e saj për dhjetë vjet. Ajo kujton vështirësitë e të qenit një nënë e divorcuar: "Kur thashë se jam divorcuar, njerëzit më panë ndryshe, sikur të kisha një sëmundje ngjitëse dhe e mbaja kokën ulur." Ajo dëshiron një jetë më të mirë për vajzat e saj dhe që pushteti lokal të sigurojë një autobus shkolle është një hap i vogël, por konkret drejt realizimit të kësaj ëndrre. Nazmija tha se ajo do të ishte mirënjohëse nëse vajzat e saj do të mund të shkonin në shkollë të lartë dhe të marrin një arsimim të mirë. "Unë dua që ato të vazhdojnë studimet e larta në universitet. Unë kurrë nuk do të doja që ato të largohen nga shkolla dhe të futen në punë vetëm që të ketë një pagë shtesë në shtëpi", - këmbënguli ajo.
Shumë shqetësime të tjera të shprehura nga pjesëmarrësit në konsultime u fokusuan në mungesën e shërbimeve në zonat rurale, përfshirë shërbimet e shëndetit riprodhues. Si rezultat, vdekshmëria fëminore është ende një shqetësim serioz.
Çështje të tjera të diskutuara në konsultime përfshinë aksesin në arsim, luftën kundër korrupsionit, adresimin e diskriminimit dhe nevojën për pjesëmarrje më të madhe publike në proceset vendimmarrëse.
"Duke dëgjuar diturinë, aftësitë dhe perspektivat e shprehura nga pjesëmarrësit në këtë proces, do të na ndihmojë të fokusojmë punën tonë në ndihmë të gjetjes së zgjidhjeve për sfidat me të cilat shqiptarët po përballen në aspiratat e tyre për zhvillimin e shoqërisë", - tha Ian McFarlane, Drejtori i UNFPA për Shqipërinë.
Konsultimet e drejtuara nga UNFPA u fokusuan tek pabarazitë dhe ishte pjesë e një fushate më të gjerë të OKB-së për të angazhuar shoqërinë shqiptare në debatin global mbi prioritetet e zhvillimit pas arritjes së Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit (OZhM) në vitin 2015.