Go Back Go Back
Go Back Go Back
Go Back Go Back

Eliminimi i Kancerit të Qafës së Mitrës – Thirrje për kontroll dhe depistim

Eliminimi i Kancerit të Qafës së Mitrës – Thirrje për kontroll dhe depistim

Lajme

Eliminimi i Kancerit të Qafës së Mitrës – Thirrje për kontroll dhe depistim

calendar_today 29 January 2025

Disa persona në një sallë mbledhjesh të ulur në një tavolinë me formën e shkronjës U, duke parë prezantimin përmes një projektori
Takim mbi Kancerin e Qafës së Mitrës

Në kuadër të ndërgjegjësimit për kancerin e qafës së mitrës, Shqipëria po intensifikon përpjekjet për eliminimin e kësaj sëmundjeje të parandalueshme përmes fushatave ndërgjegjësuese dhe ofrimit të mundësive për testim dhe vaksinim. Aktivitetet e muajit janë përqendruar në thirrje për kontroll periodik dhe depistim për gratë në grupmoshat me rrezik, duke u mbështetur në objektivat globale për eliminimin e kancerit të qafës së mitrës.

Për realizimin e këtyre përpjekjeve, institucionet shëndetësore shqiptare kanë promovuar fushata informuese dhe aktivitete sensibilizuese në mediat sociale, duke theksuar rëndësinë e diagnostikimit të hershëm dhe masave kyçe të parandalimit, si vaksinimi, depistimi dhe trajtimi i hershëm.

Sipas të dhënave të analizës së fundit të Programit Kombëtar të Depistimit të Kancerit të Qafës së Mitrës (Dhjetor 2024), gjatë vitit të kaluar janë testuar rreth 9,850 gra. Analizat kanë treguar variacione të mëdha midis qarqeve, duke theksuar nevojën për zgjerimin e mbulimit të depistimit në grupmosha të tjera dhe rritjen e kapaciteteve të personelit shëndetësor.

Objektivat afatshkurtra të programit kombëtar të depistimit përfshijnë:

  • Rritjen e mbulimit me testime ndaj HPV-së për gratë 40–50 vjeç;
  • Ndjekjen e rasteve pozitive përmes vizitave të specializuara;
  • Përditësimin e protokolleve kombëtare dhe vlerësimin e përvojës së grave të testuara.

Shqipëria, në përputhje me strategjinë globale të OBSH për eliminimin e kancerit të qafës së mitrës, duhet të harmonizojë dhe përshpejtojë përpjekjet drejt:

  • Mbulimit 90% me vaksinim ndaj HPV për vajzat deri në 15 vjeç;
  • Mbulimit 70% të grave në grupmoshën e percaktuar nga programi kombetar, me kontroll dhe teste te depistimit ndaj HPV;
  • 90% trajtim të lezioneve prekanceroze;
  • Menaxhimit të 90% të rasteve të kancerit invaziv.

UNFPA Shqipëri dhe institucionet shëndetësore në mbështetje dhe zbatim të Programit Kombëtar të Depistimit të Kancerit të Qafës së Mitrës i bëjnë thirrje të gjitha grave të moshës 40–50 vjeç të kryejnë depistimin ndaj HPV pranë qendrave shëndetësore dhe, në rast rezultati pozitiv, të drejtohen për ndjekje të mëtejshme te mjeku specialist obstetër - gjinekolog.