12 Gushti është “Dita Ndërkombëtare e Rinisë” dhe për të kremtuar këtë ditë, rreth 100 të rinj, pjesë e Këshillave Rinor Vendor nga 26 Bashki të vendit u mblodhën në Divjakë të Lushnjes në aktivitetin “Rinia Vendos” që u organizua nga Ministria e Shtetit për Rininë dhë Fëmijët dhe u mbështet nga UNDP dhe UNFPA Shqipëri.
E pranishme në këtë aktivitet, Kreu i Zyrës së UNFPA Shqipëri Znj. Emanuela Bello u shpreh se UNFPA ka qenë organizata që ndër vite ka mbështetur fuqizimin e zërit të të rinjve në mënyrë që ata të jenë aktivë dhe kërkues në proceset politik-bërëse dhe vendimmarjet përsa i takon politikave rinore.
“UNFPA i ka dhënë mbështetje teknike dhe financiare rrejtit të zërit rinor, që tashmë është një formacion zyrtar që vepron me 700 vullnetarë në mbi 21 organizata bashkëpunimi, fokusi i të cilit është jo vetëm shëndeti i të drejtave riprodhuese, por kryesisht fuqizimi i të rinjve që ngrejnë zërin për sa i takon problematikave që vetë ata i konsiderojnë të rëndësishme për veten dhe bashkëmoshatarët e tyre. UNFPA është e hapur që të dëgjojë cilin do prej jush dhe mbështesë zgjidhjen e shqetësimeve tuaja”, u shpreh Znj. Bello.
Gjatë prezantimit të panoramës së punës dhe aktivitetit të UNFPA, Znj. Bello u shpejgoi të rinjve se organizata punon pandalshmërisht me mbledhjen e të dhënave dhe statistikave, pjesë e të cilave është edhe rinia, sepse vetëm duke u bazuar në statistika të mirëfillta, të drejta dhe reale programet e zhvillimit mund të kenë një bazë shumë të mirë për tu përpiluar dhë vënë në jetë.
Ndërkohë, Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP në Shqipëri Znj. Monica Merina u shpreh se Agjencitë e OKB-së po punojnë së bashku për të promovuar pjesëmarrjen dhe angazhimin kuptimplotë të të rinjve, për të siguruar besimin dhe paqen në rajon. “Roli juaj është thelbësor në promovimin e paqes dhe zhvillimit në vend. Jini entuziastë dhe të përkushtuar në rolin tuaj, përfshihuni dhe angazhoni sa më shumë bashkëmoshatarë që të jetë e mundur! Jam e sigurt që JU jeni agjentët e ndryshimit pozitiv!”, u shpreh Znj. Merina.
Aktiviteti tre ditor “Rinia Vendos” u mbështetet në kuadër të projektit të përbashkët rajonal të agjencive të Kombeve të Bashkuara “Fuqizmi i rolit të të rinjve në promovimin e mirëkuptimit reciprok, narrativëst konstruktive, respektit për diversitetin dhe besimit reciprok në Ballkanin Perëndimor”.
Projekti synon të adresojë motivet thelbësore që shtyjnë për të përdorur gjuhë urrejtjeje, narrativë përçarëse, norma negative me bazë gjinore, si dhe mangësitë në pajtim midis të rinjve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.