Go Back Go Back
Go Back Go Back
Go Back Go Back

FJALA “VRET”. Mendoje mirë!

FJALA “VRET”. Mendoje mirë!

Lajme

FJALA “VRET”. Mendoje mirë!

calendar_today 15 September 2023

Fjala Vret imazh ilustrues i fushatës kundër gjuhës së urrejtjes.
Fjala Vret imazh ilustrues i fushatës kundër gjuhës së urrejtjes.

Hate Speech-i ose gjuha e urrejtjes është një nga temat më madhore në ditët e sotme. Atë e hasim kudo, në shkollë, lagje, punë, rrjete sociale etj.

Gjuha e urrejtjes është mënyrë me të cilën individët shprehin urrejtjen e tyre ndaj të tjerëve përmes të folurit apo të shkruarit e që ka për qëllim të poshtërojë apo denigrojë personalitetin e personave të tjerë, për shkak të një karakteristike të veçantë, për shembull, orientimit seksual ose identitetit gjinor. Gjuha e urrejtjes krijon stereotipe të dëmshme dhe minon të drejtat themelore të njeriut.

Sipas disa sondazheve dhe intervistave që janë realizuar nga “Aleanca Kundër Diskriminimit LGBTQ”, një nga kategoritë më të prekura nga gjuha e urrejtjes janë personat që i përkasin komunitetit LGBTQIA+. Qëllimi i këtij sondazhi ishte matja e nivelit të diskriminimit dhe dhunës që përjetojnë personat me tjetër orientim seksual, duke marrë në konsideratë situatat në raportet familjare, punës, shoqërisë etj. Disa nga rezultatet ishin:

  1. 43.7% raportojnë se kanë qenë objekt diskriminimi nga rrethi i ngushtë social;
  2. 21.4% e të përgjigjurve pohojnë se janë ngacmuar seksualisht dhe janë prekur pa dëshirën e tyre për shkak të statusit të tyre LGBTI+, 5.2% e këtyre rasteve raportohen në familje;
  3. Vetëm 7.1% e të anketuarve i kanë raportuar institucionalisht incidentet e ndodhura, nga të cilët vetëm 5.8% në Polici. Edhe pse kjo përqindje raportimi është shumë e ulët, vetëm 20.3% e rasteve të referuara kanë marrë zgjidhje;

Gjuha e përdorur ndaj tyre në rrjete sociale, në media, apo edhe në ambiente të përbashkëta, duke i etiketuar si: “të panatyrshëm, të sëmurë, të devijuar, anormal, të pamoralshëm ose destabilizues social”, është një gjuhë urrejtje, që dëmton jo vetëm këtë komunitet, por gjithë shoqërinë.

Të gjithë lindim të lirë dhe të barabartë dhe të gjithë duhet të respektojmë dinjitetin dhe të drejtat e njëri-tjetrit. Le t'i zgjedhim fjalët tona me kujdes dhe të shmangim çdo gjuhë që mund të dëmtojë ose poshtërojë të tjerët. Le të punojmë së bashku për të ndërtuar një shoqëri që vlerëson diversitetin dhe përqafon përfshirjen, ku të gjithë janë të lirë të jetojnë jetën e tyre pa frikë nga diskriminimi apo gjuha e urrejtjes.

“Fjala të afron, fjala të largon” thotë një shprehje. Ndaj, mos të harrojmë rëndësinë dhe peshën që ka fjala. Gjuha e urrejtjes nuk është një fenomen pozitiv. Gjuha e urrejtjes nxit dhunë.
Prandaj mendohu mirë para se të thuash fjalën sepse: FJALA “VRET”.

Të gjithë jemi të barabartë dhe ashtu duhet të trajtohemi. Ndaj, të gjithë duhet të ndërgjegjësohemi, të mendohemi mirë para se të shprehemi dhe t'i pranojmë të tjerët ashtu siç janë.

Në kuadër të këtij projekti, "Të rinjtë për përfshirje, barazi dhe besim”, u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit me Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, synimi i së cilës është lufta ndaj narrativës përçarëse në shoqërinë shqiptare nëpërmjet angazhimit të gazetarëve të rinj në ndarjen e informacionit të saktë dhe raportimit me një gjuhë të përshtatshme e kosntruktive.

Ky partneritet do të shërbejë për të identifikuar stereotipet etnike në median tradicionale dhe atë sociale, për të rritur njohuritë dhe kapacitetet e studentëve, gazetarëve të rinj dhe të publikut të gjerë rreth përdorimit të narrativave konstruktive, duke shmangur kështu stereotipet etnike, gjinore apo të çdo natyre tjetër diskriminuese.

Kjo fushatë ndërgjegjësimi kundër gjuhës së urrejtjes organizohet në kuadër të iniciativës rajonale të Organizatës së Kombeve të Bashkuara “Të rinjtë për përfshirje, barazi dhe besim”, e financuar nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Paqen - #UNPeacebuildingFund

Në Shqipëri, projekti zbatohet nga zyrat lokale të UNDP Albania dhe UNFPA Albania