Go Back Go Back
Go Back Go Back
Go Back Go Back

Lufta kundër gjuhës së urrejtjes: Ndërtimi i komuniteteve të sigurta dhe paqësore

Lufta kundër gjuhës së urrejtjes: Ndërtimi i komuniteteve të sigurta dhe paqësore

Lajme

Lufta kundër gjuhës së urrejtjes: Ndërtimi i komuniteteve të sigurta dhe paqësore

calendar_today 18 June 2025

Nje sfond me ngjyrë jeshile ku shkruhet: Fjala vret. Mendoje mirë.
Fushata kundër gjuhës së urrejtjes

Ndërsa shënojmë Ditën Ndërkombëtare Kundër Gjuhës së Urrejtjes, është thelbësore të përballemi me një realitet shqetësues: gjuha e urrejtjes dhe dezinformacioni po përhapen me një shpejtësi marramendëse. Ky fenomen shpesh nxitet nga reagimet negative ndaj barazisë gjinore, duke përfshirë të drejtat seksuale dhe riprodhuese, duke gjeneruar një vërshim urrejtjeje dhe format e tjera të dhunës digjitale. Kjo gjuhë ushqen frikën dhe ndarjen, dhe sjell kosto jashtëzakonisht të larta për komunitetet dhe shoqëritë tona. Ajo nxit dhunën, përkeqëson tensionet dhe pengon përpjekjet për pajtim dhe dialog. Trishtueshmërisht, ajo është një prej shenjave paralajmëruese të gjenocidit dhe krimeve të tjera të rënda.

Shfaqja e Inteligjencës Artificiale (AI) po rrit më tej këto rreziqe, veçanërisht për gratë dhe vajzat, pasi AI shpejton krijimin dhe përhapjen e përmbajtjeve të rreme ose të manipuluara, duke përfshirë videot deepfake, pothuajse të gjitha me përmbajtje seksuale dhe që synojnë gratë. Fushatat e koordinuara të urrejtjes, shpesh duke përhapur narrativa të rreme, si për shembull mbi edukimin gjithëpërfshirës për seksualitetin, gjenerojnë frikë, thellojnë stigmën dhe kërcënojnë dekada të arritjeve të fituara me vështirësi në barazinë gjinore dhe shëndetin seksual e riprodhues. Njëkohësisht, kuadri ligjor dhe sistemet mbështetëse shpesh dështojnë të kundërshtojnë efektivisht këtë sulm. Për më tepër, reagimet ndaj gjuhës së urrejtjes – duke përfshirë bllokimin e aksesit në faqe të caktuara të internetit – mund të cënojnë të drejtat e njeriut duke kufizuar lirinë e fjalës dhe shprehjes. Këto lloj reagimesh mund të heshtin edhe zërat e atyre që janë më të aftë për të kundërshtuar narrativat urrejtëse: mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe gazetarët.

Në Shqipëri, UNFPA, si pjesë e lëvizjes globale kundër gjuhës së urrejtjes me bazë gjinore online dhe në kuadër të projektit rajonal 'Të Rinjtë për Përfshirje, Barazi dhe Besim', bashkëpunon me UNDP, UN Women dhe UNESCO për të luftuar në mënyrë aktive këtë fenomen. Fokusi ynë është tek të rinjtë, duke bashkëpunuar ngushtë me Ministrinë e Rinisë dhe Fëmijëve, institucione të tjera qendrore dhe bashkiake, organizata të shoqërisë civile, akademinë dhe grupe të rinjsh, formalë e informalë. Qasja jonë përfshin edukimin brenda dhe jashtë shkollës, forcimin e kapaciteteve njerëzore, fushata ndërgjegjësuese, përmirësimin e politikave për të rinjtë në nivel lokal, dhe edukimin e të rinjve si të zgjedhin me kujdes informacionin në platformat digjitale. Kjo ka si qëllim reduktimin e përhapjes së dezinformacionit dhe gjuhës së urrejtjes, duke mbrojtur njëkohësisht të drejtën themelore të lirisë së shprehjes.

Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Gjuhës së Urrejtjes, le të ripërtërijmë përpjekjet tona kolektive për të parandaluar dhe zhdukur këtë fenomen toksik dhe shkatërrues. Le të punojmë së bashku për të promovuar shoqëri dhe komunitete gjithëpërfshirëse, të drejta dhe paqësore, duke mbrojtur të drejtat dhe dinjitetin e çdo individi. Së bashku, ne kemi fuqinë të ndalojmë urrejtjen dhe të rifitojmë hapësira të sigurta për të gjithë.