Go Back Go Back
Go Back Go Back
Go Back Go Back

Mamitë në vijën e parë: Punonjëse shëndetësore, humanitare, heronj

Mamitë në vijën e parë: Punonjëse shëndetësore, humanitare, heronj

Deklarata

Mamitë në vijën e parë: Punonjëse shëndetësore, humanitare, heronj

calendar_today 05 Maj 2025

Dr. Natalia Kanem - Drejtoreshë ekzekutive e Fondit të OKB-së për Popullsinë
Dr. Natalia Kanem - Drejtoreshë ekzekutive e Fondit të OKB-së për Popullsinë - © UNFPA/Yuntong Man

Deklaratë nga Drejtoresha Ekzekutive e UNFPA, Dr. Natalia Kanem, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Mamive (5 maj 2025)

Kur bombat bien ose përmbytjet mbulojnë rrugët dhe shtëpitë, kur shërbimet ndërpriten dhe infrastruktura shembet, mamitë, shpesh, janë ato që reagojnë të parat dhe vija e parë e veprimit. Ato shpesh udhëtojnë edhe nëpër terrenet më të largëta dhe të rrezikshme për të siguruar shërbime thelbësore, që shpëtojnë jetë dhe mbrojnë shëndetin dhe të drejtat e njeriut.

Në situata humanitare, gratë kanë dy herë më shumë gjasa të humbin jetën gjatë lindjes. Dislokimi i mamive si pjesë e çdo reagimi ndaj katastrofave humanitare dhe kombëtare është një mënyrë jetëshpëtuese dhe kost-efektive për të zvogëluar vdekjet e parandalueshme amtare.

Mamitë mund të ofrojnë 90 për qind të shërbimeve thelbësore shëndetësore seksuale e riprodhuese të nënës dhe të foshnjës, përfshirë planifikimin familjar. Ato gjithashtu mbështesin të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore, numri i të cilave rritet ndjeshëm gjatë krizave.

Mamitë shpesh e vënë veten në rrezik të madh, kur dalin në terren për të ofruar kujdes për gratë dhe vajzat në shtëpi dhe komunitete të vështira për t'u arritur në situata krize.

Megjithatë, profesioni i mamisë ende nuk vlerësohet gjithmonë ashtu siç është - profesion jetik shëndetësor. Mungesa e investimit të vazhdueshëm tek mamitë ka çuar në trajnim të pamjaftueshëm, mungesë infrastrukture dhe furnizimesh dhe paga të ulëta, barriera këto që janë të pranishme në kohë stabiliteti dhe që përkeqësohen në kohë krize.

Shkurtimet e mëdha të fondeve, kohët e fundit, që duhet të shkonin për ndihmat humanitare, kërcënojnë t'i zgjerojnë këto boshllëqe, me ndikime tragjike te gratë dhe vajzat në disa nga vendet më sfiduese të botës. Tashmë, mamitë po raportojnë rritje të shkallës së vdekjeve midis grave dhe foshnjave në zonat e konfliktit dhe situata të brishta – një shenjë ogurzezë në mjedise ku raportohen mbi 60 për qind të vdekjeve amtare globale.

Ne e dimë se mamitë mund të parandalojnë dy të tretat e vdekjeve të nënave dhe foshnjave, duke sjellë përfitime të mëdha ekonomike dhe sociale – nga kosto më të ulëta të kujdesit shëndetësor deri te një fuqi punëtore më produktive. Gratë dhe të gjitha shoqëritë do të ishin më pak të prekshme nga kriza dhe më të pajisura për t'u rikuperuar prej saj.

Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Mamive, ne u bëjmë thirrje qeverive dhe donatorëve t'i bashkohen UNFPA dhe partnerëve në iniciativën “Përshpejtuesi i Punës së Mamive” - “Midwifery Accelerator”, e cila synon të rrisë investimet financiare dhe programore për mamitë dhe në sistemet që i mbështesin ato, përpara se të humbasim më shumë jetë.

Mamitë shpëtojnë jetë. Le të punojmë së bashku për t'i dhënë fund mungesës globale prej gati 1 milionë mamish dhe për t'i dhënë fund vdekjeve të parandalueshme amtare një herë e përgjithmonë.