Shfaqja "Në Altar", me regji dhe dramaturgji të studentes Belkisa Zhelegu, ngriti siparin në skenën e Teatrit Eksperimental. Me një theks të veçantë mbi rëndësinë e ndërgjegjësimit, ajo sjell në skenë histori prekëse, që pasqyrojnë realitetin e dhimbshëm të personave me probleme të shëndetit mendor si pasojë e përballjes me dhunën me bazë gjinore. Ky projekt u realizua nga bashkëpunimi midis UNFPA në Shqipëri dhe Youth Voice Network of Organizations, nisur nga fryma për të nxitur edukimin dhe fuqizimin e të rinjve përmes artit dhe fjalës.
"Në Altar" nuk ishte thjesht një shfaqje teatrale, por një prezantim me realitete të hidhura, përballje me të vërtetat e brendshme, një reflektim mbi nderin, sakrificën dhe zërat që shpesh mbeten të heshtur, fuqinë e pushtetit dhe shpërdorimin e tij, dhunën e ushtruar dhe ngadhnjimin. Përmes kësaj vepre artistike të realizuar me mjeshtëri nga të rinj artistë, u synua ndërgjegjësimi dhe përcjellja e mesazheve thelbësore për këto çështje. Me angazhimin e palëkundur të ekipit krijues, aktorëve dhe çdo pjesëmarrësi, shfaqja arriti të krijojë një atmosferë të fuqishme emocionale, duke theksuar rëndësinë e artit si mjet për të sjellë ndryshime shoqërore dhe për të kuptuar pse UNFPA dhe partnerët nuk dorëzohen për të luftuar çdo formë të dhunës.
Regjisorja Zhelegu tregon se si u frymëzua për të shkruar këtë vepër: "Ndërkohë që shkruaja, më ndodhi diçka shumë e çuditshme, gati e frikshme… Në rrugë përballesha çdo ditë me persona që vuanin nga shëndeti mendor dhe ajo që më shtyu ta shkruaja këtë vepër akoma dhe më shumë ishte fakti që unë i gjykoja ata, i shikoja si njerëz shumë të rrezikshëm. Ky paragjykim gati më krijoi një konflikt të brendshëm dhe në këto kushte mendoj se arti është forma më e mirë për të ngritur zërin dhe për të thënë që problemet e tyre vërtet duhen adresuar dhe në mënyrën më të mirë të mundshme."
Nga dhuna në familje e përdhunimi, te abuzimi me pushtetin, shfaqja sjell në qendër personazhe të cilët vuajnë trauma të thella. Aktorja Ina Gjonçi, në rolin e Dijas, një pacienteje të shtruar në spitalin e psikiatrisë, e cila vuan traumën e përdhunimit nga babai i saj, në përjetimin e saj pas shfaqjes shprehet: "Është gjithmonë zgjedhja jonë nëse duam të qëndrojmë nga ana e atyre që dhunojnë apo heshtin, ose të jemi nga ana e atyre që ngrenë zërin dhe thonë që kemi përgjegjësi për çdo veprim që bëjmë."
Një tjetër aktore, Adriana Tolka në rolin e Bekës, interpreton një paciente që ka përjetuar përdhunim nga një i panjohur dhe braktisje gjatë shtatzënisë, si dhe abuzim seksual brenda vetë spitalit psikiatrik.
Sipas të dhënave nga vrojtimi i INSTAT për dhunën me bazë gjinore (GBV), 3 në 4 gra (75.4%) në Shqipëri kanë raportuar dhunë në familje / në martesë, 2 në 3 (69.9%) ngacmime seksuale dhe 2 në 3 (68.4%) përndjekje si problemet më të mëdha të dhunës në Shqipëri.
UNFPA punon ngushtësisht me shërbimin shëndetësor parësor dhe mbështet forcimin e kapaciteteve të mekanizmit të referimit kundër dhunës me bazë gjinore, duke u fokusuar tek sektori i shëndetësisë dhe ai psiko-social. Gjithashtu, UNFPA mbështet përfshirjen e djemve dhe burrave në luftën kundër dhunës me bazë gjinore përmes 15 klubeve "Bëhu Burrë" të ngritura në një pjesë të madhe të bashkive në vend.
Mjekja Dea Guri, e cila ka punuar pranë spitalit të psikiatrisë në Tiranë, në përjetimet që i ka përcjellë "Në Altar" thekson se identifikimi dhe trajtimi në kohë i sëmundjeve të shëndetit mendor dhe aksesi në shërbime cilësore shëndetësore është thelbësor.
Bazuar në të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 1 në 8 persona preken nga sëmundje të shëndetit mendor, megjithatë në Shqipëri, ndrojtja dhe frika nga paragjykimi, shpesh i pengon njerëzit të kërkojnë ndihmë tek specialisti.
UNFPA organizon fushata informuese për të ndërgjegjësuar njerëzit në lidhje me shërbimet shëndetësore dhe mbështet përpjekjet e institucioneve për të përmirësuar menaxhimin dhe aksesueshmërinë në këto shërbime, sidomos për personat me aftësi të kufizuara, ata më vulnerabël e të margjinalizuar etj.
Me një kastë aktorësh nga Teatri Eksperimental, Belkisa Zhelegu ka arritur të krijojë një vepër që, jo vetëm argëton, por edhe ndërgjegjëson rreth dhunës me bazë gjinore dhe pasojave që sjell dhuna në shëndetin mendor.
Kjo shfaqje u mbështet nga UNFPA në Shqipëri në kuadër të Programit të Përbashkët të OKB-së "T'i japim fund dhunës ndaj grave dhe vajzave", i financuar nga Qeveria e Suedisë dhe i zbatuar nga UNDP, UN Women dhe UNFPA në partneritet me Qeverinë Shqiptare.