Në të gjithë botën, maji është një kohë për të falenderuar nënat dhe punonjësit e shëndetësisë që i ndihmojnë ato të hyjnë në periudhën e mëmësisë. Dhjetra vende festojnë Ditën e Nënës në maj dhe, më 5 maj, Dita Ndërkombëtare e Mamive nderon punën e mamive për të shpëtuar jetë kudo në botë.
Megjithatë këtë maj, ndërsa pandemia e COVID-19 ka përfshirë botën, këto festime mbërrijnë me një mesazh të rëndësishëm. Me mbingarkesën e sistemeve shëndetësore, kufizimet e lëvizjes dhe shqetësimet për ekspozimin ndaj sëmundjes së re në mjediset e kujdesit shëndetësor, nënat dhe mamitë po rrezikojnë shëndetin dhe jetën e tyre për të sjellë në botë një jetë të re.
Këtë maj, UNFPA duartroket mamitë, u gëzohet nënave dhe i bën thirrje partnerëve dhe qeverive në të gjithë botën që të ndërmarrin çdo hap të mundshëm për të siguruar kujdesin dhe shëndetin e tyre.
Shtatzënë në kohë pandemie
Intervistat me nënat shtatzëna në të gjithë botën tregojnë se ato po përjetojnë një lloj ankthi, të ngecura mes shpresës dhe frikës.
"Ne gratë shtatzëna, sidomos unë që kam dy beba, ndjehem shumë e frikësuar," tha 25-vjeçarja Enxhi Merkaj në Shqipëri. "Si do lind? Kam ankth.... "
Aktualisht nuk ka asnjë provë që gratë shtatzëna janë më shumë në rrezik nga infektimi me COVID-19 se sa popullata e përgjithshme dhe, aktualisht, nuk ka asnjë provë që virusi e rrit rrezikun për abort. Megjithatë, ndikimet në sistemet shëndetësore mund të ndikojnë në shtimin e rrezikut për gratë.
Pandemia po kufizon shërbimet e shëndetit seksual dhe riprodhues në të gjithë botën. Në shumë vende, burimet shëndetësore po përqendrohen në përgjigjen ndaj pandemisë. Për më tepër, gratë raportojnë se nuk kanë dëshirë të kërkojnë kujdes nga institucionet shëndetësore nga frika e ekspozimit ndaj virusit ose po përballen me pengesa për kujdes shëndetësor për shkak të kufizimeve të lëvizjes të lidhura me pandeminë.
Mamitë në frontin e parë
Enxhi po ndiqte një konsultë me Arjana Pojanin, kryeinfermiere-mami e maternitetit, e cila e siguroi atë që po merrej çdo masë për të ruajtur shëndetin dhe zhvillimin e shtatzënisë. Megjithatë, Arjana ka shqetësimet e saj. "Ajo që po ndodh në të gjithë botë, ne na bën që gjithsesi të ndjehemi të rrezikuara," tha ajo. "Por në prioritetin tonë është gruaja shtatzënë."
Mamitë në të gjithë botën shprehin angazhimin e tyre, por edhe shqetësimin nëse do të ketë pajisje të mjaftueshme mbrojtëse personale (PPE) për t'u mbrojtur nga pandemia dhe nëse do të ketë furnizime të vazhdueshme në afat të gjatë. Dhe shqetësimet janë akoma më të mëdha kur sistemet shëndetësore tendosen dhe mbingarkohen nga krizat humanitare.
Investimet e nevojshme
Megjithatë, përkundër stresit dhe pasigurisë së jashtëzakonshme, mamitë vazhdojnë të ofrojnë një shërbim të paçmuar për komunitetet e tyre. Ato ofrojnë jo vetëm kujdes për lindjen e sigurt, por edhe një gamë të plotë të shërbimeve të shëndetit seksual dhe riprodhues - nga planifikimi familjar, tek këshillimi, kontrolli për IST apo kujdesi pas lindjes. Ato gjithashtu ofrojnë kujdes për të mbijetuarit e dhunës me bazë gjinore.
Të gjitha këto shërbime mund të kufizohen nëse sistemet shëndetësore mbingarkohen nga pandemia.
UNFPA u bën thirrje politikëbërësve, qeverive, partnerëve dhe avokuesve të mbrojnë fuqinë punëtore të shëndetit të nënës - dhe, si rrjedhim, edhe nënat - duke siguruar që burimet, mbështetja dhe furnizimet e nevojshme për të siguruar kujdes cilësor të jenë vazhdimisht në dispozicion.
Investimet tek mamitë janë gjithashtu të nevojshme për të zgjeruar aksesin në kujdes shëndetësor. Kujdesi cilësor që japin mamisë mund të shmangë më shumë se 80 për qind të të gjitha vdekjeve amtare dhe atyre foshnjore, si edhe te sigurojë lindje të sigurta. Me partnerët e saj, përfshirë ministritë e shëndetësisë dhe aktorët e sektorit privat, UNFPA po rrit burimet e investimit në të gjithë botën.
Si pjesë e përgjigjes ndaj pandemisë, UNFPA po punon gjithashtu për të siguruar mjete të mbrojtjes personale (PPE), furnizime higjenizuese dhe mallra të shëndetit seksual dhe riprodhues të nevojshme për mamitë dhe punonjësit e tjerë të shëndetit, për të siguruar një kujdes të vazhdueshëm cilësor për të gjitha gratë dhe vajzat.
Një fushatë globale e nisur së fundmi po mbledh fonde për të ndihmuar këto përpjekje.
Ndërsa nënat dhe mamitë e intervistuara thonë se, me gjithë sfidat me të cilat po përballen, ato janë optimiste për të ardhmen.
"Unë jam me shpresë dhe kurajo," tha Enxhi Merkaj në Shqipëri. "Besoj se gjithçka do të shkojë mirë".