Mirela Gjata nuk e kishte zakon të kontrollonte veten për simptoma të sëmundjes. "Varfëria nuk na lejon të kemi kujdes shëndetësor”, tha ajo. Gruaja 58-vjeçare është pjesëtare e komunitetit egjiptian në qytetin e Beratit. Ashtu si komunitetet rome, egjiptianët janë përballur me diskriminim të gjerë, që e ka bërë të vështirë aksesin në shërbimet bazë si kujdes shëndetësor dhe arsim.
Por, që nga viti 2019, UNFPA ka punuar me qeverinë shqiptare dhe partnerët për të zhvilluar dhe mbështetur një program që fokusohet në arritjen e këtyre grupeve të margjinalizuara dhe vulnerabël nëpërmjet ndërmjetësve shëndetësorë vullnetarë, për të promovuar ndërgjegjësimin më të mirë dhe aksesin e barabartë në shërbimet e kujdesit shëndetësor dhe social.
Ndërmjetësuesit shëndetësorë organizojnë seanca me vajza dhe gra nga komunitetet pakicë, për t'u treguar atyre më shumë rreth rreziqeve të ndryshme shëndetësore me të cilat mund të përballen dhe se si mund t'i zbulojnë simptomat në një fazë të hershme. Pikërisht përmes një prej këtyre sesioneve në komunitet, znj. Gjata mësoi se si të dallonte shenjat e kancerit të gjirit. Ajo bëri një vetëkontroll dhe zbuloi disa gjendra në gjoks.
Ekipi i ndërmjetësuesit shëndetësor të UNFPA ishte gjithashtu aty për të udhëzuar znj. Gjata gjatë procesit mjekësor. Ata e ndihmuan atë të bënte fillimisht analizat për të konfirmuar diagnozën. Më pas nisën procedurat që ajo të shkonte në kryeqytet, Tiranë, për trajtim të specializuar dhe kirurgji. Zonja Gjata tani është shëruar dhe vazhdon të marrë mbështetje nga ndërmjetësi i saj shëndetësor për kujdes të mëtejshëm.
Aksesi në kujdesin shëndetësor për gratë në Shqipëri është përmirësuar vitet e fundit, por jo të gjitha grupet kanë përfituar nga përmirësimet me të njëjtin ritëm. Nga viti 2008 deri në vitin 2017, sipas të dhënave të Anketës Demografike dhe Shëndetësore, përfitimet më të mëdha ishin në mes të grave me mirëqnie më të mirë dhe më të avantazhuara. Ndërkohë, gratë me prejardhje më pak të favorizuara mezi kanë parë ndonjë ndryshim. Ndër gratë rome dhe egjiptiane, një grup më pak i favorizuar – si znj. Gjata – vetëm 9 përqind raportuan se nuk përballeshin me probleme serioze në aksesin e kujdesit shëndetësor, në kohën e sondazhit të fundit të vitit 2017.
Grisel Zenuni, 33 vjeç, është një nga ndërmjetësit shëndetësorë, që punon për të siguruar që aksesi në kujdesin shëndetësor të përmirësohet për të gjithë.
"Nuk është e lehtë të fitosh besim midis komuniteteve vulnerabël," tha ai. Por, duke pasur rrënjë në vetë komunitetin egjiptian, të kuptuarit e tij të drejtpërdrejtë për njerëzit e ka ndihmuar t'i shërbejë më mirë nevojave të tyre. "Unë përpiqem të ndihmoj, lehtësoj dhe udhëzoj individët që përballen me probleme shëndetësore ose që kanë nevojë për mbështetje dhe udhëzime për të aksesuar çdo nivel kujdesi, në mënyrë që të mos humbasin kohë, të shpenzojnë para për diçka që mund të zgjidhet dhe është e mundur të zgjidhet falas, pa vonesa dhe pa pengesa. ”
UNFPA ka trajnuar tashmë më shumë se 100 ndërmjetës shëndetësorë nga komuniteti rom dhe egjiptian në rrethet e Beratit, Tiranës, Korçës, Elbasanit dhe Shkodrës. Ndërmjet viteve 2019 dhe 2022, këta ndërmjetës ndihmuan më shumë se 4000 njerëz, duke përfshirë njerëz me aftësi të kufizuara, të rinj në rrezik më të lartë të HIV-it, të moshuar dhe gra shtatzëna.
Ndërsa ka pasur suksese, zoti Zenuni thotë, “puna jonë si ndërmjetës shëndetësorë nuk ndalet.” Vitet e fundit, si rezultat i punës së UNFPA-së për të rritur aksesin në shërbimet e depistimit për gratë e komuniteteve rome dhe egjiptiane, ka pasur një rritje të ndjeshme të rasteve të grave të diagnostikuara me kancer gjiri dhe kancer të qafës së mitrës.
Kanceri i qafës së mitrës është shkaku i dytë më i zakonshëm i vdekjes nga kanceri në mes të grave të moshës riprodhuese në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë dhe Instituti i Shëndetit Publik vlerësojnë se nga kanceri i qafës së mitrës çdo vit humbasin nga 2000 deri në 3000 vite të shëndetshme në Shqipëri, duke i kushtuar vendit 6 milionë dollarë në vit humbje produktiviteti dhe kosto për sistemin e kujdesit shëndetësor.
Programet e depistimit mund të zvogëlojnë shkallën e kancerit të qafës së mitrës deri në 80 për qind ose deri në 90 për qind nëse kombinohen me vaksinimin e vajzave adoleshente ndaj papilloma virusit njerëzor (HPV). Në vitin 2019, Qeveria e Shqipërisë me mbështetjen e UNFPA-së themeloi programin e parë të depistimit të kancerit të qafës së mitrës në vend, që synon të arrijë gratë nga 40 deri në 50 vjeç. Deri më tani janë kontrolluar 52 mijë gra të kësaj moshe.
Z. Zenuni tha se ndërmjetësit shëndetësorë po përpiqen të sigurohen që komunitetet e cënueshme të përfshihen në këto përpjekje kontrolli e depistimi: "Ne flasim me vajza dhe gra për rëndësinë e testimit e kontrollit për kancerin e qafës së mitrës dhe për kancerin e gjirit. Ne ofrojmë informacion thelbësor që u mundëson grave të kryejnë vetë-ekzaminime për të kërkuar pvr ndonjë gjendër të padëshiruar për shembull.”
Dhe si një e mbijetuar nga kanceri, znj. Gjata e di rëndësinë e ndërmjetësve shëndetësorë dhe punës së tyre drejt përmirësimit të aksesit të barabartë në shërbimet e kujdesit shëndetësor për më të cënuarit dhe më të margjinalizuarit. "Nëse do të ishte për mua, nuk do të isha trajtuar për kancerin e gjirit," tha ajo. "Ekipi i ndërmjetësve më ndihmoi të aksesoja të gjitha shërbimet që kisha nevojë dhe, si rezultat, të jem gjallë sot. Pas asaj që unë kalova, i them çdo gruaje në komunitetin tim, sa herë që mundem, të kenë prioritet shëndetin e tyre.”