Go Back Go Back
Go Back Go Back
Go Back Go Back

Një jetë profesionale dhe personale e balancuar, mendësia moderne që çon përpara kompaninë dhe fuqizon punonjësit

Një jetë profesionale dhe personale e balancuar, mendësia moderne që çon përpara kompaninë dhe fuqizon punonjësit

Lajme

Një jetë profesionale dhe personale e balancuar, mendësia moderne që çon përpara kompaninë dhe fuqizon punonjësit

calendar_today 01 Maj 2023

Imazh ilustrues. Nje nënë me dy fëmijët e saj duke punuar nga shtëpia dhe menaxhuar fëmijët.
Imazh ilustrues. Nje nënë me dy fëmijët e saj duke punuar nga shtëpia dhe menaxhuar fëmijët.

Në shumë kompani leja e lindjes shihet si një problem për t'u zgjidhur dhe fokusi vihet më shumë në gjetjen e zgjidhjeve të momentit, se sa në politikat mbështetëse që ndihmojnë nënën e re të jetojë një periudhë sa të bukur, aq edhe të ndërlikuar. Shtatzënia, leja e lindjes dhe vitet e para të prindërimit janë një ngjarje unike në jetën e gruas, por ky ndryshim nuk duhet të ketë aspak ndikim negativ në një tjetër investim që nëna mund të ketë bërë në profesionin e saj. Vendimi dhe dëshira për të sjellë në jetë një fëmijë, apo për të birësuar, është një e drejtë sublime, që çdo grua duhet ta gëzojë. Dhe kjo e drejtë nuk duhet të mbivendoset apo fshijë një tjetër të drejtë, atë të punës e karrierës. Familja dhe puna janë dy sfera të jetës, që bashkohen në mënyrë simbiotike dhe çdo njeri duhet t'i gëzojë njësoj, pa dëmtuar njërën në kurriz të tjetrës.

Vitet e fundit, kuadri ligjor në Shqipëri ka pësuar përmirësime në lidhje me rregullimet për ekuilibrin jetë-punë dhe politikat e përgjegjshme gjinore për familjen. Përmirësimet pasqyrojnë përfshirjen e konventave dhe traktateve ndërkombëtare në legjislacionin kombëtar dhe ndryshimet e miratuara në ligjet thelbësore, siç janë: Kodi i Punës dhe Ligji i Sigurimeve Shoqërore. Synimi ka qenë modernizimi i kornizave ekzistuese ligjore, mbështetja më e mirë e ekuilibrit midis jetës dhe punës për prindërit etj. Një nga ndryshimet e fundit të Kodit të Punës prezantoi në legjislacionin kombëtar konceptin e lejes prindërore, një leje e papaguar, të cilën prindërit mund ta marrin për një kohëzgjatje jo më pak se katër muaj. Ndonëse nevojiten rregullime më të detajuara në të njëjtën linjë me Direktivën e BE-së për promovimin e ekuilibrit jetë-punë, progresi është frytdhënës dhe i prekshëm.

Megjithatë, të shumta mund të jenë gratë të cilat, në mungesë të njohurisë së ligjeve dhe një mjedisi pune jo shumë favorizues ndaj familjes, të stepen përpara lejes së lindjes, rikthimit në punë apo ndjekjes së karrierës. Të dhënat zyrtare për normat e punësimit në vend tregojnë se historikisht gratë kanë norma më të ulëta të pjesëmarrjes në tregun e punës dhe në punësim. Më konkretisht, sipas INSTAT-it, normat e punësimit për vitin 2019 në vend ishin 54 për qind për gratë dhe 68 për qind për burrat. IDRA Research & Consulting, në kuadër të projektit rajonal "Më shumë zgjedhje :Politika të Përgjegjshme Gjinore për Familjen", që zbatohet nga UNFPA-ja në partneritet me sektorin privat dhe që mbështetet nga Agjencia Austriake për Zhvillim, doli në një përfundim që ngre shumë pikëpyetje. Edhe pse shkalla e pjesëmarrjes së grave në arsimin e lartë është në mënyrë domethënëse më e lartë se e burrave, në momentin që gratë përfshihen në forcën e punës, ato hasen me jo pak padrejtësi. Një ndër to, pagesa në mënyrë të pabarabartë në krahasim me burrat, duke u paguar rreth 90 për qind sa rroga e një burri për të njëjtën punë.

Edhe pse Shqipëria nuk ka një ligj specifik për promovimin e ekuilibrit midis jetës familjare dhe asaj profesionale, disa kompani pararojë për mjedise pune miqësore ndaj familjes në Shqipëri, përzgjedhur nga UNFPA në partneritet me DM Consulting, bazuar në disa kritere të mirëpërcaktuara, jo vetëm që respektojnë kuadrin ligjor, por ndërmarrin politika të tjera që fuqizojnë gratë e familjet e tyre. Kompani si AGNA GROUP, EURONEWS ALBANIA, INCA e RAIFFEISEN BANK nxisin politika dhe direktiva në mbështetje të grave në zhvillimin e karrierës. Grave duhet t'u jepet më shumë mbështetje jo vetëm në letër, hartuar në politika dhe ligje, por edhe në praktika të zbatuara nga kompanitë, ku ato duhet të krijojnë kushte të përshtatshme që lehtësojnë ruajtjen e balancës midis përgjegjësive familjare dhe avancimit të tyre në karrierë.

Mirela Halili është punonjëse prej shumë vitesh në Agna Group dhe është ndjerë e mbështetur dhe e fuqizuar falë politikave mbështetëse të kësaj kompanie. Mirela e lidh çdo gjë të bukur në jetën e saj profesionale dhe personale me këtë kompani dhe kolegët e saj. "Në gjithë këto vite ne kemi patur suportin e kompanisë për të balancuar jetën personale me atë profesionale. Dhe, sidomos, kjo në momentin kur erdhën në jetë fëmijët, ku kërkohej më shumë fokus në aspektin personal."- pohon znj. Mirela.

Të shumta janë gratë që mund të kenë patur një përvojë negative ose ndoshta diskriminuese gjatë shtatzënisë, lejes së lindjes ose kthimit në punë dhe kjo për shkak të ambjentit dhe frymës në kompaninë ku janë të punësuara. Në Raiffeisen Bank, një eksperiencë e tillë është e papranueshme, pasi politikat që ndjek kjo kompani pararojë synojnë zgjidhje progresive dhe fleksibël në mbështetje të grave gjatë kësaj periudhe jo vetëm unike, por edhe delikate. Valbona Zeneli, Drejtoreshë e Burimeve Njerëzore shprehet se Raiffeisen Bank sheh gjithmonë nga e ardhmja, drejt risive teknologjike dhe inovacionit të vazhdueshëm, por asnjëherë nuk e humbet fokusin dhe përkujdesjen ndaj punonjësve që janë dhe shtylla e suksesit të kompanisë.

"Ne besojmë fort se suksesi i organizatës është i lidhur ngushtë me mirëqenien dhe shëndetin në punë dhe jashtë saj të stafit tonë. Fokusi ndaj mirëqenies është një qasje holistike, e cila shkon përtej asaj fizike, duke përfshirë atë emocionale, mendore dhe sociale. Politikat miqësore për familjen kontribuojnë direkt në mirëqenien e shoqërisë dhe si një biznes social, ne kemi një përgjegjësi ndaj saj."- pohon Valbona.

Për Alba Marku, Sipërmarrëse Inovacioni në Raiffeisen Bank, ka qenë pikërisht imazhi i një institucioni të suksesshëm dhe korporate të qëndrueshme arsyeja kryesore që e shtyu të bëhej pjesë e Raiffeisen. Por, me ardhjen në jetë të fëmijës së saj, ajo pa se në thelb të një organizate të suksesshme qëndron një ambjent i kujdesshëm dhe i ndjeshëm ndaj familjes, bërthamës së shoqërisë.

Është e rëndësishme që punëdhënësit të jenë jo vetëm dashamirës ndaj sfidave të punonjësve të tyre, por edhe të bëjnë shumë më tepër për të ndihmuar nënat e reja, jo vetëm përmes lejes së lindjes, por aty ku është e mundur, edhe me masa të tjera si për shembull punën nga shtëpia. Për më tepër edhe Kodi i Punës (Neni 15) e rregullon telepunën dhe punën nga shtëpia.

"Mjafton të kujtoj kushtet shumë të mira prindërore, që mora gjatë lejes së lindjes. Skemën e kontributit të përbashkët të pensionit privat dhe kujdesit shëndetësor, por dhe një mënyrë të punuari hibride. Unë jam një mami në radhë të parë dhe Raiffeisen respekton kohën dhe familjen time."- përfundon Alba.

Televizioni Euronews Albania është një tjetër kompani pararojë e cila vë në qendër punonjësin, duke i krijuar një klimë sa më të favorshme në ambjentin e punës. Bruna, Menaxhere pranë Departamentit të Burimeve Njerëzore të Televizionit Euronews Albania pohon se Euronews është miqësor jo vetëm me punonjësit, por edhe me familjet e tyre, që përbëjnë logon e madhe Europiane dhe, gjithashtu, vlerëson dhe mbështet çdo punonjës, pavarësisht detyrës, funksionit apo angazhimit që ka secili prej tyre. "Media Euronews respekton barazinë gjinore, duke promovuar vlerat e vajzave dhe grave, si brenda stafit, ashtu edhe me produktet që u ofron shikuesve, si emisionet apo tematikat e ndryshme që sjell në vëmendje."- përfundon Bruna.

Fabrika INCA, pjesë e grupimit të madh AZ Group, promovon dhe mbron ekuilibrin punë-jetë, zbaton lejen e lindjes konform ligjit, duke mos u hequr punonjësve të drejtën e rikthimit në vendin e mëparshëm të punës, të drejtën e vjetërsisë e jo vetëm. Për Iris Gruda, Drejtoreshë e fabrikës INCA, pothuaj i gjithë aktiviteti kryesor i kompanisë mbështetet në punën e mrekullueshme të vajzave dhe grave, ndaj, për punëdhënësit është shumë e rëndësishme që ato të ndihen sa më mirë. Historia e znj. Vera Bilani, punonjëse prej 13 vitesh në fabrikën INCA e ilustron më së miri këtë mendësi. Pas lindjes së fëmijës së dytë, Verës iu desh të shkëputej 3 vite nga puna. Pas kthimit në punë, ajo jo vetëm që nuk u ndesh me një ambient diskriminues apo me kushte më pak të favorshme, por madje u ngrit në detyrë.

Grave duhet t’u jepet më shumë mbështetje jo vetëm nga qeveria, por dhe nga kompanitë private, për t’i ndihmuar ato në kombinimin më të mirë të mundshëm të zgjedhjeve familjare me avancimin e tyre në karrierë. Kompanitë pararojë të sipërpërmendura, por jo vetëm, nuk kufizohen vetëm tek kuadri ligjor, por vazhdojnë të modernizojnë politikat e tyre në vendin e punës për të mbështetur më mirë ekuilibrin midis jetës dhe punës për gratë dhe të gjithë punonjësit në përgjithësi.