Go Back Go Back
Go Back Go Back
Go Back Go Back

Një shans i dytë - Riedukimi dhe riintegrimi i të miturve në Institutin e Kavajës

Një shans i dytë  - Riedukimi dhe riintegrimi i të miturve në Institutin e Kavajës

Histori

Një shans i dytë - Riedukimi dhe riintegrimi i të miturve në Institutin e Kavajës

calendar_today 15 November 2024

Një i ri në Institucionin e Riedukimit të të Miturve në Kavajë teksa mban shënime mbi një letër gjatë një workshop-i
Një i mitur që vuan dënimin në Institucionin e Riedukimit të të Miturve në Kavajë

"E kuptoj kur bëhem me nerva, tani do të numëroj deri në 10 përpara se të veproj". Kështu shprehet një 14-vjeçar që vuan dënimin në Institutin e Riedukimit të të Miturve (IRM) në Kavajë. Ai, dikur i prirur drejt shpërthimeve të zemërimit dhe sjelljeve të dhunshme, sot është një dëshmi e transformimit që mund të ndodhë falë programeve të riedukimit dhe riintegrimit.

Ky i ri, si shumë të tjerë në IRM, ka gjetur një shans të dytë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Gjatë shkollës verore dhe workshop-eve të zhvilluara nga Act for Society dhe stafi i IRM-së, me mbështetjen e UNFPA-së, ai u njoh me konceptin e "qarkut të dhunës", duke kuptuar se sjelljet e tij agresive ishin të lidhura me modelet e dhunshme, që kishte mësuar në familje.

Ai, si shumë bashkëmoshatarë të tij, mësoi të identifikonte emocionet, të menaxhonte zemërimin dhe të reagonte ndaj situatave stresuese në mënyrë më të qetë dhe të matur.

Në IRM Kavajë institucionalizohen fëmijë në konflikt me ligjin, autorë të një vepre penale për të cilën dënimi i parashikuar është të paktën 7 vjet, pra cilësohet një rrezikshmëri shoqërore dhe të mitur recidivistë (përsëritës), të rikthyer më shumë se një herë në krim. Instituti i Kavajës është i vetmi vend ku vuajnë dënimin të miturit, nëse gjykata vendos masën më të rëndë, që është "arrest me burg". Aktualisht janë rreth 30 të rinj në këtë institucion të vuajtjes së dënimit dhe vihet re një rënie e numrit që pas vitit 2018, kur u ndryshua Kodi i Drejtësisë Penale për të Miturit.

"Kodi i ri ka qasje më shumë riintegruese dhe edukuese në komunitet, ndryshe nga ai që ishte më herët, pasi jepeshin dënime më të rënda (heqje lirie). Kodi ndryshoi nga drejtësi ndëshkuese në drejtësi riintegruese", - shprehet Drejtoresha e Qendrës së Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve (QPKMR), Klaudia Hasanllari.

Foto portret i Klaudia Hasanllarit, Drejtoresha e Qendrës së Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve (QPKMR)
Klaudia Hasanllari, Drejtoresha e Qendrës së Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve (QPKMR)

Ndërkohë Drejtoresha e IRM-së së Kavajës, Marinela Alia, shpjegon se qëllimi i institucionit është të riedukohen fëmijë në konflikt me ligjin, që kanë kryer vepra penale, duke u ofruar atyre një sërë programesh edukative dhe mbështetje psikologjike. "Procesi i riintegrimit është i rëndësishëm," - shprehet ajo, "pasi përfaqëson rikthimin e këtyre të rinjve në shoqëri, të pajisur me kompetenca të reja për zgjidhjen e problemeve, menaxhimin e sjelljes dhe emocioneve, si dhe aftësi profesionale.".

Vlen të theksohet se programi i riintegrimit përshtatet në bazë të veprës penale. Fëmijët në konflikt me ligjin në institucion janë të moshës 14-18 vjeç, por, në varësi të rastit mund të qëndrojnë edhe deri në 21 vjeç. Gjatë kohës së qëndrimit, ato vazhdojnë shkollën normalisht aty ku e kanë lënë kur ishin jashtë, si edhe iu ofrohen programe angazhuese si sporti apo piktura, por jo vetëm.

Foto portret e Marinela Alia, Drejtoresha e IRM-së së Kavajës
Marinela Alia, Drejtoresha e Institutit të Riedukimit të të Miturve në Kavajë

"Përgjatë punës në institucion, sigurisht evidentohen raste suksesi të të rinjve të cilët vazhdojnë dhe përfundojnë shkollimin dhe pas ndjekjes në institucion, të mitur të cilët arrijnë të përfshihen në botën e punës apo në ndjekjen e interesave, pasioneve personale. Aktualisht në institucion kemi fëmijë në konflikt me ligjin të cilët kanë përfunduar arsimin e mesëm të përgjithshëm dhe përfshihen në veprimtari okupacionale. Ata duhet ta shfrytëzojnë kohën e qëndrimit në institucion si një hapësirë reflektimi, kujdesi drejt të mësuarit, kompetencave të reja dhe objektivave të cilat janë të nevojshme për riintegrimin, por dhe mësime të vlefshme afatgjata për rritjen në vazhdim", - thotë drejtoresha e IRM Kavajë.

Kjo e fundit bën me dije se "në prag të lirimit, fëmijët në konflikt me ligjin përfshihen në programe specifike, që i ndihmojnë të përshtaten me jetën jashtë institucionit. Struktura mbështetëse si Qendra e Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve (QPKMR) luajnë një rol kyç në këtë proces. Ndërkohë që mbahet një marrëdhënie e ngushtë me zyrat e punës, por edhe me institucione të tjera për t'u ofruar mundësinë këtyre të rinjve të riintegrohen në shoqëri, duke mos u penalizuar nga gabimet që kanë bërë në të shkuarën."

Tabela e Qendrës së Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve
Qendra e Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve

Sipas drejtueses së QPKMR-së, Klaudia Hasanllari, ndonëse bëhet një punë e madhe për të mundësuar riedukimin dhe riintegrimin e këtyre të rinjve si në IRM Kavajë, por edhe të atyre që janë dënuar me një masë më të lehtë si arrest shtëpie apo detyrim paraqitje, vëmendje të madhe duhet të ketë parandalimi. 

"Punojmë dhe përpiqemi për t'i riintegruar këta të rinj, por fokusi duhet të jetë parandalimi", - shprehet Hasanllari, duke theksuar se "duhet të heqim dorë nga shprehja 'Nuk është fëmija im, nuk është detyra ime' dhe të anashkalojmë situata ku ne kemi në dorë t'i vijmë në ndihmë një fëmije i kujtdoqoftë, pasi ai është pjesë e komunitetit ku jetojmë.".

Ndonëse janë 30 fëmijë në konflikt me ligjin në IRM Kavajë, Hasanllari bën me dije se "janë rreth 1400 raste të raportuara në polici për shkelje nga të miturit.".

"Po rritet një brez me probleme të theksuara zemërimi dhe një ndikim të madh kanë rrjetet sociale, në të cilat promovohet një model që nuk i bën aspak mirë shoqërisë, e dëmton rëndë.", - thotë Hasanllari. "Influencuesit në rrjetet sociale duhet të kuptojnë se kanë një ndikim të madh në mendjen e të rinjve. Nëse një i ri ndjek një artist i cili, në tekstet dhe videoklipet e tij, tregon jetën e luksit dhe si mund të bëhesh i pasur me veprimtari që shkelin ligjin, të paktën ka detyrimin moral të tregojë që, ajo që shfaqet aty, është njëra anë e medaljes dhe, ana tjetër, të tregon që, nëse shkel ligjin, mund të shkosh në burg, për të mos shkuar në raste ekstreme, të humbjes së jetës", - shton ajo.

Kjo është një këmbanë alarmi për Hasanllarin pasi, sipas saj, këto probleme të theksuara zemërimi te fëmijët dhe vajtja tek këto modele të këqija është një "ulërimë rebelimi nga fëmijët, për të treguar që nuk po marrin vëmendjen e duhur nga prindërit, familjarët apo komuniteti, të cilët janë përfshirë nga rryma dhe dinamikat e punës, përballimit të jetës, e shumë faktorë të tjerë. Ndaj, në mungesë të kësaj vëmendjeje, fëmijët bëjnë veprime që tërheqin vëmendje."

"Gjithmonë ka një 'pse'. Asnjë sjellje agresive apo vepër penale nuk vjen pa një shkak. Komuniteti, me mbështetjen edhe të institucioneve shtetërore apo agjencive të ndryshme, duhet të punojnë së bashku që çdo rast të trajtohet që në gjenezë dhe të rinjtë nuk do të përfundojnë më duke kryer shkelje penale apo në Institucione të vuajtjes së dënimit."

Ndërkohë, sa i përket përfshirjes së të miturave në shkelje ligji, drejtuesja e QPKMR-së bën me dije se "nuk ka vajza të dënuara për vepra të rënda, janë trajtuar me masa të lehta penale, në shumicën e rasteve kanë qenë viktima ose mbijetuese."

Kjo ndërhyrje realizohet në kuadër të Programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri "T’i japim fund dhunës ndaj grave", i financuar nga Qeveria e Suedisë dhe zbatuar nga UN Women, UNDP dhe UNFPA në partneritet me Qeverinë Shqiptare.