Të favorizosh barazinë në shtëpi, të shkundësh themelet e stereotipeve, të luash një rol aktiv në kujdesin ndaj fëmijës apo të krijosh bazat e një lidhjeje të ngushtë, aq thelbësore për mirëqenien e të porsalindurit/porsalindurës, por edhe të çiftit, këto e shumë arsye të tjera mund të shtyjnë çdo baba të kërkojë lejen e babait apo lejen prindërore, një e drejtë ligjore në Shqipëri. Një përparim domethënës prej vitit 2014, që lejon baballarët t'i gjenden pranë nënës dhe të porsalindurit/porsalindurës që në momentet e para.
E megjithatë nuk është çudi që shumë të kenë frikën se kjo e drejtë, të cilën ata do të donin ta gëzonin plotësisht, përfaqëson vetëm një dëshirë të ëmbël përballë presionit nga punëdhënësit e tyre, por edhe paragjykimit shoqëror, që i shtyn të mos e bëjnë një gjë të tillë. Në një shoqëri patriarkale, aktiviteti shoqëror dhe roli i gruas kufizohet kryesisht në punët e shtëpisë dhe kujdesin e përditshëm për nevojat shpirtërore dhe fizike të fëmijëve apo edhe familjarëve të tjerë. IDRA Research & Consulting, një kompani pararojë në kërkim dhe këshillim, vërtetoi pikërisht përmes studimit "Analiza e politikave të përgjegjshme gjinore për familjen në Shqipëri" se familja shqiptare drejtohet sipas modelit patriarkal. Ky studim u realizua në kuadër të projektit rajonal "Më shumë zgjedhje: Politika të Përgjegjshme Gjinore për Familjen", që zbatohet nga UNFPA-ja në partneritet me sektorin privat dhe që mbështetet nga Agjensia Austriake për Zhvillim.
Analiza e të dhënave dhe e treguesve që lidhen me politikat miqësore për familjen tregoi se koha që gratë dhe burrat shpenzojnë në aktivitete të paguara dhe të papaguara gjatë një dite të zakonshme ka dallime të rëndësishme. Këto diferenca nxjerrin në pah faktin se aktivitetet e përkujdesjes dhe ato shtëpiake në një familje janë kryesisht përgjegjësi e gruas. Këto përfundime nxjerrin në pah se kultura është ajo që ndikon në perceptimin se punë të tilla janë përgjegjësi e grave. Situata bëhet akoma më e paekuilibruar në momentin kur gruaja bëhet nënë. Gratë shpenzojnë rreth tre orë në punë të papaguara, kur ato janë pa fëmijë dhe, në momentin që ato bëhen nëna, kjo kohë arrin në tetë orë. Përveç ndryshimeve, përmirësimeve të ligjeve, Kodit të Punës, thelbësore duket të jetë shkundja me themel e stereotipeve dhe mendësive të pluhurosura, që i vendosin gruas mbi shpatulla gjithë barrën e prindërimit.
Ndryshimet e fundit të Kodit të Punës, prezantuan në legjislacionin kombëtar konceptin e lejes prindërore, një leje e papaguar, të cilën prindërit mund ta marrin për një kohëzgjatje jo më pak se katër muaj. Legjislacioni i rishikuar reflekton se ka disa përmirësime në lidhje me lejen e lindjes për babain, por ende nevojitet një rregullim më i detajuar i kësaj lejeje, rregullim që duhet të jetë në të njëjtën linjë me Direktivën e BE-së për promovimin e ekuilibrit jetë-punë. Për më tepër, kjo direktivë ka për qëllim jo vetëm të përmirësojë aksesin ndaj lejeve dhe marrëveshjeve për kushte fleksibël pune, por edhe të rrisë angazhimin e burrave në lejet e lidhura me familjen dhe kushtet fleksibël për punë.
Çdokush që i druhet faktit se marrja e lejes së lindjes mund të ndikojë në vendin e saj/tij të punës, duhet të dijë se kjo është një e drejtë ligjore. Ekzistojnë dy dispozita të veçanta që rregullojnë lejen e babait: Neni 96, paragrafi 3 i Kodit të Punës dhe Neni 27, paragrafi, 7 i Ligjit për Sigurimet Shoqërore. Babai mund të përfitojë lejen e lindjes, 3 ditë të paguara gjatë lindjes së fëmijës dhe momenti tjetër është pas ditës së 63-të të lindjes së fëmijës. Pas përfundimit të lejes së lindjes, si nëna ashtu dhe babai kanë të drejtë të kthehen në të njëjtin pozicion pune ose në një pozicion të barazvlefshëm me pozicionin e mëparshëm në kushte jo më pak të favorshme për ta.
Megjithatë, në një shoqëri si e jona, përpos direktivave të adoptuara dhe kuadrit ligjor, duhet të rritet dhe niveli i ndërgjegjësimit mes burrave, që ata të angazhohen në mënyrë më proaktive në kujdesin familjar, si edhe midis punëdhënësve, për të respektuar dhe inkurajuar e zbatuar këtë të drejtë për punonjësit e tyre.
Përfitimet e lejes së lindjes për babain fillojnë në shtëpi, por nuk duhet harruar se shtrihen deri në ambientet e punës e jo vetëm. Kompani pararojë në politika miqësore me familjen si AGNA GROUP, R&T, LUFRA dhe Euronews Albania e aplikojnë jo vetëm lejen e babait, por edhe shumë politika të tjera miqësore ndaj familjes.
Historia e Kliton Tane, Agjent Shitje prej 16 vitesh në Agna Group është një nga shembujt ilustrues jo vetëm të këtyre kompanive pararojë, por edhe të kuadrit ligjor që u siguron baballarëve të drejtën për të marrë leje pas 63 ditëve që është leja e detyruar e nënës pas lindjes së fëmijës.
"Në momentin që u bëra babi i dy binjakëve, pata mbështetje nga kompania për të marrë lejen e babait prej 5 muajsh. Leja m’u aprovua menjëherë nga burimet njerëzore të kompanisë, të cilët më mbështetën dhe nuk më bënë shkëputje nga puna. Shokët e mi i kam këshilluar që të marrin dhe ata lejen e lindjes."- shprehet babai i dy binjakëve.
Stigmatizimi nga punëdhënësit e tyre, frika e humbjes së mundësive në të ardhme apo pagesa e pjesëshme e lejes mund të jenë disa nga arsyet kryesore pse baballarët zgjedhin të mos e marrin lejen e babait, por, çdokush që ka përfituar nga kjo e fundit, pohon se dobia që vjen nga koha e kaluar me fëmijët tejkalon rrezikun. E nëse shkëputja nga puna është ajo që i druheni, një mbrojtje shtesë shumë e rëndësishme u jepet punëmarrësve dhe nga Neni 105, paragrafi 2, në të cilin ndalohet përfundimi i marrëdhënieve të punës gjatë përfitimit të lejes së lindjes.
“Përgjegjësia sociale është pjesë e standarteve tona. Politikat miqësore për familjen do jenë edhe më të pranishme përmes këtij partneriteti me UNFPA.”, pohon Renis Tërshana, CEO i R&T Group.
"Ne e njohim rëndësinë e të paturit pranë njerëz të kualifikuar, të cilët janë të trajnuar në standartet më të larta. Është pikërisht kjo formë që e bën R&T Group të arrijë objektivat e saj korporative"- shton Jeta Veledi nga Departamenti i Burimeve Njerëzore.
E megjithatë, këto politika nuk kanë qenë një risi, ashtu siç shprehen dhe punonjësit e R&T Group. Ardit Dakshi, Inxhinier i Shkencave Kompjuterike është një nga punonjësit që e ka marrë lejen e babait në momentin që u bë baba i dy binjakeve.
Klevis Qevani, Drejtor i Shitjeve pranë kompanisë Lufra shprehet se, pas ardhjes në jetë të djalit të tij, kompania u përshtat totalisht mbi realitetin e tij të ri. Posti që ai mban nuk e ka penguar asnjëherë të mendojë për familjen e tij dhe krijimin e një të ardhme. "Lufra ka qenë gjithmonë mbështetëse ndaj meje dhe ndaj krijimit të familjes, si për mua dhe për stafin tim.",- përfundon Klevis Qevani.
Ermali, një tjetër punonjës prej vitesh në kompaninë Lufra shprehet se ka pasur gjithmonë mbështetjen e kompanisë, sidomos, në momentin kur u bë prind. "Kam orare fleksibël sa herë që kam nevojë të jem pranë familjes. Në kompaninë tonë ka vazhdimësi."- thotë Ermali dhe këto raste vërtetojnë edhe më tej, se politikat në mbështetje të familjes dhe jetës personale i shtrijnë efektet e tyre pozitive përtej mureve të shtëpisë.
Euronews Albania është një tjetër kompani pararojë që veç respektimit të ligjit, aplikon politika miqësore për familjen duke vënë në qendër punonjësin.
Renato Shtjefni, Menaxher i Rrjeteve Sociale pranë kësaj kompanie, përfitoi nga këto politika në momentin që u bë baba. "Marrja e lejes së lindjes më ndihmoi shumë, sepse munda t’i qëndroja pranë gruas dhe fëmijës tim. Propozimi i të punuarit online pa asnjë problem, më ndihmon gjithashtu shumë.",- shprehet Renato.
"Televizioni Euronews është miqësor jo vetëm me punonjësit, por edhe me familjet e tyre, që përbëjnë logon e madhe Europiane dhe, gjithashtu, vlerëson dhe mbështet çdo punonjës, pavarësisht detyrës, funksionit apo angazhimit që ka secili prej tyre, pasi vetëm në këtë formë mund të ecë përpara një logo e të tilla përmasave."- përfundon Bruna, menaxhere pranë departamentit të burimeve njerëzore të Televizionit Euronews Albania.
Kompanitë pararojë si AGNA GROUP, R&T, LUFRA dhe Euronews Albania jo vetëm kanë rritur ndërgjegjësimin mes burrave, që ata të angazhohen në mënyrë më proaktive në kujdesin familjar, por edhe kanë respektuar, inkurajuar e zbatuar këtë të drejtë për punonjësit e tyre.