Go Back Go Back
Go Back Go Back
Go Back Go Back

Politikat miqësore me familjen në ambjentin e punës si katalizatori më i mirë i ekuilibrit punë-jetë

Politikat miqësore me familjen në ambjentin e punës si katalizatori më i mirë i ekuilibrit punë-jetë

Lajme

Politikat miqësore me familjen në ambjentin e punës si katalizatori më i mirë i ekuilibrit punë-jetë

calendar_today 08 Maj 2023

Imazh ilustrues. Nje familje re në momente të gëzuara në shtëpinë e tyre
Imazh ilustrues. Nje familje re në momente të gëzuara në shtëpinë e tyre

Ruajtja e ekuilibrit punë-jetë është një nga aspektet më të rëndësishme të mirëqenies në vendin e punës e jo vetëm. Bëhet fjalë për të mësuar se si të vendosni kufij që funksionojnë për karrierën dhe jetën tuaj personale. Punonjësi duhet të jetë në gjendje të përmbushë detyrimet e tij në punë, ashtu si edhe në shtëpi, ndërsa gjen kohë për të shijuar pasionet dhe interesat e tij në kohën e lirë. Raporti i përsosur i kohës kushtuar punës dhe shtëpisë duket i ndryshëm për çdonjërin nga ne, megjithatë të gjithë biem dakort në faktin se (mos)mirëqenia e njeriut ka një ndikim të drejtëpërdrejtë si në ambjentin e punës, ashtu edhe në shtëpi.

Gjetja e ekuilibrit punë-jetë nuk vjen gjithmonë natyrshëm, ajo mund të zhvillohet si prej punëdhënësit, po aq dhe prej punëmarrësit. Krijimi i zakoneve të shëndetshme që ndihmojnë individin të krijojë një rutinë që funksionon për të dhe aplikimi i politikave miqësore për familjen në ambjentin e punës janë katalizatori i ekuilibrit punë-jetë.

Shqipëria nuk ka një ligj specifik për promovimin e ekuilibrit midis jetës familjare dhe punës, por në legjislacionin e brendshëm gjenden një sërë dispozitash që e pasqyrojnë këtë ekuilibër. Vitet e fundit, kuadri ligjor në Shqipëri ka pësuar përmirësime në lidhje me rregullimet për ekuilibrin jetë-punë dhe politikat e përgjegjshme gjinore për familjen. Përmirësimet pasqyrojnë përfshirjen e konventave dhe traktateve ndërkombëtare në legjislacionin kombëtar dhe ndryshimet e miratuara në ligjet thelbësore, siç janë: Kodi i Punës dhe Ligji i Sigurimeve Shoqërore. Ndonëse nevojiten rregullime më të detajuara në të njëjtën linjë me Direktivën e BE-së për promovimin e ekuilibrit jetë-punë, progresi është frytdhënës dhe i prekshëm.

Politikat miqësore për familjen në vendin e punës kërkojnë bashkëpunimin e shumë aktorëve në mënyrë që të bëhen sistematike, pjesë e politikave e rregulloreve të sektorit privat dhe sektorit publik, grupeve të tjera të interesit e jo vetëm. Në kuadër të projektit rajonal "Më shumë zgjedhje: Politika të Përgjegjshme Gjinore për Familjen" që zbatohet  nga UNFPA-ja dhe që mbështetet nga Agjencia Austriake për Zhvillim, janë përzgjedhur disa kompani pararojë nga sektori privat në bazë të disa kritereve të mirëpërcaktuara. Këto kompani kanë hartuar edhe rregullime të tjera të brendshme të natyrës fuqizuese apo edhe financiare, për t'iu gjendur pranë punonjësve e për të krijuar një klimë mbështetëse. Përtej kuadrit ligjor, R&T Group, FIX dhe Raiffeisen Bank aplikojnë politika miqësore për familjet në vendin e punës si zgjidhje inovative.

Pandemia e Covid-19, izolimi dhe nevoja për të qëndruar në shtëpi, prezantoi mënyra të reja të punuari, të tilla si puna në distancë e shërbimet online. Këto të fundit sfiduan mënyrat tradicionale të punës, që kërkojnë praninë fizike në ambjentin e punës. Këto mënyra të reja të aplikuara ndryshuan jo vetëm praktikën e punës dhe stilin e menaxhimit, por u panë si metoda të besueshme të punës, duke dhënë rezultat në performancën dhe motivimin e punonjësve.

R&T GROUP është një nga kompanitë që ka propozuar gjatë pandemisë dhe pas pandemisë një sërë formash të ndryshme të të punuarit për një sektor punonjësish. Jeta Valedi, punonjëse e departamentit të burimeve njerëzore shprehet se tashmë R&T GROUP ka krijuar procedura për punën fleksibël, duke përfshirë punën nga shtëpia dhe online. Për këtë qëllim, kompania ka investuar në pajisje teknologjike për punonjësit që punojnë nga shtëpia e qëllimi në vetvete mbetet gjithmonë arritja e ekuilibrit punë-jetë.

Politikat miqësore për familjen nënkuptojnë një ndryshim kulturor në menaxhimin e organizatës dhe fuqinë punëtore, që do të thotë se kompanitë duhet të përpiqen për një shkallë më të mirë pajtimi midis punës dhe përgjegjësive familjare. Balanca punë-jetë mund të arrihet përmes mënyrave të ndryshme. Aksesi në politikat mbështetëse për familjen nuk duhet të jetë vetëm për prindërit e rinj, por për të gjithë punonjësit. Ato duhet të aplikohen si në sektorin publik, ashtu dhe atë privat.

Gjatë një takimi me UNFPA-në në kuadër të projektit rajonal "Më shumë zgjedhje: Politika të Përgjegjshme Gjinore për Familjen", Drejtoresha e Burimeve Njerëzore pranë Raiffeisen Bank, Valbona Zeneli komunikoi se në këtë institucion bankar është marrë një tjetër politikë miqësore për familjen. Subvencionimi i lejes prindërore për një muaj për punonjësin që bëhet prind/baba, pavarësisht nëse nëna e fëmijës e ka marrë apo jo lejen prindërore. Me këtë politikë miqësore, banka synon të mbështesë baballarët e rinj që të kujdesen për fëmijët e tyre gjatë fëmijërisë së hershme. Kjo leje me pagesë për babain krijon një marrëdhënie të ngushtë mes tij dhe fëmijës që në ditët e para të lindjes së fëmijës dhe kontribuon në përmbushjen e rolit prindëror për punonjësin dhe mirëqenien e fëmijës. Megjithatë politikat e tjera miqësore për familjen nuk kufizohen vetëm tek prindërit e rinj, por edhe tek punonjësit që kanë nën përkujdesje anëtarë të tjerë të familjes, si dhe punonjësit që duan të kenë fleksibilitet me oraret e punës.

Ndaj fokusi kryesor vihet tek oraret fleksibël, tek mirëkuptimi i punëmarrësve për balancën midis jetës personale dhe asaj profesionale dhe përmbushjes së përgjegjësive që stafi ka për këto dy shtylla të jetës.

Në kuadër të këtyre politikave, Xhensina Kapo, punonjëse e Departamentit të Burimeve Njerëzore në kompaninë FIX u shpreh se, për të mbështetur punonjësit me fëmijë në moshë shkollore apo që kanë nën përkujdesje të moshuar, është krijuar një fond social. Kjo mbështetje synon të lehtësojë barrën financiare të punonjësve që kryejnë funksione të kujdesit familjar për të miturit, të moshuarit apo çdo familjar tjetër në nevojë. Ky fond social do të mbulojë edhe kërkesat shtesë për arsimimin e fëmijëve të punonjësve.

Natyra e politikave miqësore për familjen është e ndryshme dhe dallon nga kompania në kompani. Megjithatë, cilido qoftë sektori apo natyra e nismave: fuqizuese, financiare apo sociale, këto nisma rikthehen si investimi më i rëndësishëm në kompani.