Go Back Go Back
Go Back Go Back
Go Back Go Back

Prezantohet projekti i ri kundër Dhunës me Bazë Gjinore në Shqipëri

Prezantohet projekti i ri kundër Dhunës me Bazë Gjinore në Shqipëri

Deklarata për shtyp

Prezantohet projekti i ri kundër Dhunës me Bazë Gjinore në Shqipëri

calendar_today 28 February 2025

Foto në grup e pjesëmarrësve në ceremoninë e lançimit të projektit, duke qëndruar përpara një ekrani që shfaq titullin e projektit dhe logot e partnerëve.
Ceremonia e lançimit të projektit që synon reduktimin e dhunës me bazë gjinore në Shqipëri.

Tiranë, Shqipëri, 28 Shkurt 2025 - Ministria e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale dhe UNFPA, në partneritet dhe mbështetur nga Qeveria Italiane nëpërmjet Zyrës Italiane të Bashkëpunimit në Tiranë, prezantuan sot një projekt të ri tre-vjeçar, që synon të luftojë dhunën me bazë gjinore dhe praktikat e dëmshme në Shqipëri.

Synimi kryesor është të forcojë qeverisjen e përgjegjshme gjinore përmes mekanizmave të koordinuar të referimit ndaj dhunës në nivel bashkiak, të forcojë barazinë dhe luftojë diskriminimin, të promovojë fuqizimin e grave dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe të reduktojë dhunën ndaj grave dhe vajzave në 9 bashki: Dibër, Klos, Pogradec, Kolonjë, Korcë, Konispol, Tiranë, Vlorë, Vlorë.

Ndërhyrja do të fokusohet në:

  • Sigurimin e mirëfunksionimit të Mekanizmit të Koordinuar të Referimit dhe forcimin e kapaciteteve të ofruesve të shërbimeve përgjegjëse për t'iu përgjigjur dhunës me bazë gjinore;
  • Fuqizimin e vajzave dhe grave, mbijetuese të të gjitha formave të dhunës, për të jetuar një jetë të lirë pa dhunë, përmes informacionit dhe zhvillimit të aftësive që mbështet ri-integrimin e tyre; 
  • Përmirësimin e kuadrit ligjor dhe normativ; 
  • Forcimin e rolit mbikëqyrës të Organizatave të Shoqërisë Civile dhe Institucioneve Kombëtare të të Drejtave të Njeriut për të monitoruar pajtueshmërinë me standardet ndërkombëtare dhe kombëtare për dhunën ndaj grave dhe vajzave;
  • Forcimin e kapaciteteve dhe burimeve të aktorëve shtetërorë dhe joshtetërorë për të zbatuar planin dhe shërbimet e duhura të përgjegjshme gjinore.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu theksoi “Sot hedhim një hap tjetër, shumë të rëndësishëm përpara, duke zgjeruar më tej ombrellën tonë mbrojtëse. Përmes projektit 3-vjeçar që nis nga zbatimi, fuqizojmë më tej kapacitet tona kundër dhunës edhe në Bashkinë e Tiranës, Vlorës, Korçës, Pogradecit, Dibrës, Klosit, Kolonjës, Konispolit dhe Selenicës.Dua të theksoj se ky është një projekt që ka një meritë të veçantë. Ai nuk përpiqet vetëm të kurojë apo lehtësojë simptomat e dhunës mbi bazë gjinore.Por, është një projekt që shënjestron drejt e në zemër arsyet themelore që nxisin dhunë me bazë gjinore.”.

Rëndësinë e një ndërhyrjeje të tillë e solli në vëmendje edhe Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Marco Alberti kur deklaroi se "Dhuna ndaj grave ka të bëjë kryesisht me viktimat, por ajo përjetëson një cikël frike dhe padrejtësie me ndikime të thella sociale. Angazhimi i Italisë është të bashkojë forcat për të zhvilluar projekte që fokusohen te njerëzit, duke mbrojtur dhe ndihmuar viktimat, duke trajnuar në të njëjtën kohë operatorët për të reduktuar dhunën dhe për të krijuar një kulturë respekti dhe dialogu.".

Në aktualitetin e sotëm global dhe rëndësinë që merr për OKB vazhdimi i punës për të përshpejtuar dhe realizuar objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm edhe në Shqipëri, Ambasadorja dhe Kordinatore e Përhershme e OKB Shqipëri, Fiona McCluney deklaroi: “Kjo nismë synon të sigurojë që të gjitha gratë dhe vajzat në Shqipëri të mund të jetojnë një jetë pa dhunë. Ne duhet të vazhdojmë, madje të zgjerojmë diskutimet publike për këtë çështje, duke nxitur veprimin kolektiv kundër të gjitha formave të dhunës.” Ndërsa projekti sapo ka nisur, ka shumë punë për t’u bërë në terren me koordinimin dhe nën drejtimin e UNFPA dhe AICS.

 

"Në dhjetë vitet e fundit Agjencia Italiane për Bashkëpunim e Zhvillim ka punuar fort për të siguruar integrimin gjinor në të gjitha nismat e saj. Udhëzimet për Barazinë Gjinore dhe Fuqizimin e Grave 2020 përcaktojnë objektivat dhe qëllimin e angazhimit tonë për të trajtuar gjithashtu aktivitetet kundër dhunës me bazë gjinore, e cila është një prioritet në Shqipëri sipas kuadrit ndërkombëtar dhe në lidhje me Sistemin Italian për bashkëpunimin e zhvillim.", - tha Stefania Vizzaccaro, Drejtoreshë e AICS Tirana.

 

Ndërsa Justine Coulson, Drejtoreshë Vendi për UNFPA Shqipëri, konfirmoi në fjalën e saj se

“UNFPA është e vendosur dhe besimplotë. Si humanitarë të përkushtuar, ne do të vazhdojmë të punojmë pa u lodhur me shumë partnerë dhe qeverinë për të përmbushur premtimin tonë kolektiv ndaj grave dhe vajzave, pavarësisht çdo gjëje. Ne presim me padurim të shohim rezultate pozitive së bashku me partnerët tanë dhe të shohim gjithnjë e më pak raste dhune jo vetëm në bashkitë e përzgjedhura, por në të gjithë Shqipërinë.”, 

 

Përfituesit e synuar dhe rezultatet e pritshme në shifra

● 9 Mekanizma Referues të Koordinuar (MKR) në 9 bashkitë e përzgjedhura (secila MKR angazhon të paktën 20 profesionistë nga të gjithë sektorët përgjegjës për të marrë pjesë në MKR). Të paktën 180 anëtarë të MKR-së do të arrihen me trajnime të drejtpërdrejta mbi Procedurat Standarde Operacionale (SOP) të përditësuara.

● Të paktën 540 ofrues të shërbimeve shëndetësore do të arrihen me trajnime të drejtpërdrejta mbi SOPet e përditësuara.

● Të paktën 405 ofrues të kujdesit psiko-social do të arrihen me trajnime të drejtpërdrejta mbi SOPet e përditësuara.

● Të paktën 270 oficerë policie do të përfitojnë, në partneritet me Akademinë e Policisë dhe Drejtorinë Qendrore Italiane të Policisë Kriminale, nëpërmjet ekspertizës për përmirësimin e kurrikulës, ngritjen e kapaciteteve të stafit. Rreth 200 studentë do të përfitojnë nga ekspertiza, rishikimi i kurrikulës, trajnimi dhe mentorimi. Ndërsa të paktën 30 punonjës të akademisë do të përfitojnë drejtpërdrejt nga trajnimet për kurrikulën e përditësuar dhe SOPet.

● Institucionet Kombëtare të të Drejtave të Njeriut, veçanërisht dy institucione dhe të paktën 6 komisionerë nga institucionet, veçanërisht Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Avokati i Popullit do të përfitojnë nga ekspertiza në trajnimin e raportimit të hetimit, si dhe aktivitetet e ndërtimit të kapaciteteve të Monitorimit dhe Vlerësimit.

● Të paktën 30 gazetarë të medias lokale do të përfitojnë nga trajnimet e drejtpërdrejta mbi Barazinë Gjinore, Dhunën me Bazë Gjinore dhe raportimin e verifikimin e fakteve.

● Akademia do të angazhohet në mbledhjen e të dhënave për të mbështetur anketat dhe analizat e thella. Universiteti i Tiranës, Fakultetet e Gazetarisë, Shkencave Sociale, Ekonomisë dhe Juridikut do të përfitojnë nga mbledhja dhe analiza e të dhënave.

● Gratë dhe vajzat e të gjitha bashkive do të përfitojnë nga përmirësimi i ofrimit të shërbimeve, puna në terren, por gjithashtu do të angazhohen në aktivitete dhe punë ndërgjegjësuese dhe të paktën 900 gra dhe fëmijë do të përfitojnë nga puna në terren dhe përmes organizatave zbatuese.

● Organizatat fetare në nivel vendor si anëtarë të MKR-ve, do të përfitojnë nga sesionet informative dhe do të përmirësojnë aftësitë në lidhje me përgjigjen shumë-sektoriale ndaj Udhëzimeve dhe Protokolleve Themelore të DhBGj. Të paktën 2 përfaqësues nga çdo komunitet fetar, duke synuar 90 përfitues në vit dhe 180 në 3 vjet.

● OSHC-të e angazhuara drejtpërdrejt në MKR-të, 2 përfaqësues për çdo OSHC që synojnë 18 përfitues të drejtpërdrejtë në vit dhe të paktën 54 në tre vjet.

● Gratë dhe vajzat e të gjitha komunave do të përfitojnë nga përmirësimi i ofrimit të shërbimeve, puna në terren, por edhe do të angazhohen në aktivitete dhe punë ndërgjegjësuese, duke synuar të arrijnë në 5000 gra dhe vajza në vit. Nëpërmjet fushatave dhe punës për rritjen e ndërgjegjësimit online dhe offline, qëllimi është të arrihen rreth 500,000 njerëz nga publiku i gjerë.