Go Back Go Back
Go Back Go Back
Go Back Go Back

Prindërimi pozitiv, një hap përpara drejt të ardhmes më të mirë për fëmijët

Prindërimi pozitiv, një hap përpara drejt të ardhmes më të mirë për fëmijët

Histori

Prindërimi pozitiv, një hap përpara drejt të ardhmes më të mirë për fëmijët

calendar_today 04 October 2024

Disa nëna të ulura në një dhomë të qendrës komunitare "Qëndrojmë Së Bashku" në Kombinat, duke dëgjuar trajnuesen që po shpjegon informacione mbi prindërimin pozitiv të shënuara në një tabelë që e ka përpara.
Trajnim mbi Prindërimin Pozitiv në qendrën "Qëndrojmë Së Bashku" në Kombinat

"Që pas trajnimeve, i kushtoj më shumë kohë fëmijëve.", – kështu shprehet Silvana Qorraj, një prind që ka përfituar nga trajnimet mbi Prindërimin Pozitiv mbështetur nga UNFPA. Historia e saj na tregon sesi këto trajnime kanë shërbyer në ndryshimin e qasjes ndaj prindërimit, duke i dhënë asaj mjetet dhe njohuritë e duhura për t'u kujdesur më mirë për fëmijët e saj, në veçanti për djalin me aftësi të kufizuara.

Prindërimi pozitiv, një ndërhyrje e mbështetur nga projekti i përbashkët i OKB në Shqipëri “T’i japim Fund Dhunës Ndaj Grave në Shqipëri”, synon të forcojë kapacitetet e ofruesve të shërbimeve sociale në nivel bashkish, ku vëmendja dhe ndërhyrjet e këtij lloji fokusohen në qendrat komunitare multifunksionale, që janë hapur në nivel njësie administrative. Qëllimi është që ofruesit e shërbimeve, në përpjekjen dhe punën e përditshme me familjet nga këto njësi, që vizitojnë në mënyrë të rregullt qendrat, të mbështeten me informacion dhe kapacitete për të mundësuar rritjen sa më të mirë të fëmijëve të tyre, duke u dhënë informacion mbi prindërimin e mirë dhe çfarë nënkupton në jetën e përditshme.

Informacioni që jepet lidhet me prindërimin, aftësitë që është mirë të kenë dhe zotërojnë, por edhe mundësitë që ofrohen nga institucionet. Pjesë e informacionit është edhe kuadri ligjor që mbështet prindërit për përfshirjen e nënave dhe baballarëve në rritjen e fëmijës, duke filluar që në hapat e parë, kur çifti kërkon të krijojë familje, promovimi i lejes së babait dhe lejes prindërore në momentin që lind fëmija.

Elsona Agolli, analiste programi mbi Çështjet Gjinore dhe Popullsinë në UNFPA Shqipëri, thekson se nuk ka një mënyrë të vetme për prindërimin, por ajo që duhet të kujtojmë është se stili ynë i prindërimit influencon fëmijën që nga vetëbesimi deri te suksesi në shkollë dhe në jetë. “Çdo mënyrë prindërimi ka për qëllim të sigurojë rritje dhe zhvillim të shëndetshëm, sepse mënyra si ndërveprojmë me fëmijën/fëmijët, si i disiplinojmë dhe si kujdesemi për ta, do të ndikojë tek ata gjatë gjithë jetës së tyre”, shton Agolli.

Elsona Agolli, analiste programi mbi Çështjet Gjinore dhe Popullsinë në UNFPA Shqipëri
Elsona Agolli, analiste programi mbi Çështjet Gjinore dhe Popullsinë në UNFPA Shqipëri

Në periudhën 2022-2023, janë trajnuar 60 punonjës në 6 qendra komunitare në Tiranë, duke ofruar shërbime për 127 prindër nga bashkia e Tiranës. Një prej këtyre prindërve është Silvana Qorraj, e cila mori pjesë në seancat trajnuese dhe informuese në qendrën "Qëndrojmë Së Bashku" në Kombinat, ku dërgon djalin e saj me aftësi të kufizuar. Silvana e shpreh me mirënjohje përvojën e saj, duke theksuar se këto seanca kanë ndikuar drejtpërdrejt në jetën e saj familjare. "Trajnimet më ndihmuan shumë, veçanërisht për të kuptuar më mirë nevojat e fëmijëve të mi. Ishin një mundësi për socializim dhe ndarje eksperiencash me prindër të tjerë. Jam një nënë që i jam përkushtuar fëmijëve, nuk punoj, por bëj gjithçka për t'u ardhur në ndihmë", - thotë ajo.

Silvana Qorraj, prind
Silvana Qorraj, prind i trajnuar mbi "Prindërimin Pozitiv"

Megjithatë, një nga sfidat që ka hasur qendra "Qëndrojmë Së Bashku" është mungesa e përfshirjes së baballarëve në trajnimet e Prindërimit Pozitiv. Blerina Lika, punonjëse sociale dhe trajnere në këtë qendër, shprehet e zhgënjyer që vetëm nënat morën pjesë në këto trajnime, pavarësisht përpjekjeve për të krijuar një orar më fleksibël. "Shumë baballarë nuk gjejnë kohë për të marrë pjesë për shkak të angazhimeve në punë, por është e rëndësishme që ata të përfshihen më shumë në këtë proces," - shton ajo.

Pjesëmarrja e djemve dhe burrave përkrah nënave dhe vajzave në mirërritjen e fëmijëve, larg dhunës dhe në një mjedis pozitiv mbështetës dhe inkurajues për edukim dhe aftësim për jetën, është shumë i rëndësishëm.

qendra Komunitare në Kombinat

Trajnimet “japin një dorë” edhe në thyerjen e tabuve. Një prej tyre që është hasur gjatë seancave është çështja e seksualitetit të fëmijëve. Lika shpjegon se prindërit duhet të jenë të aftë t’u japin informacione të sakta në mënyrën e duhur fëmijëve të tyre mbi ndryshimet e trupit, identitetin gjinor, shëndetin seksual dhe riprodhues, sjelljet e shëndetshme. Në trajnimet e organizuara në qendër kanë marrë pjesë edhe ekspertë të fushës, përfshirë gjinekologë e psikologë, që i kanë ndihmuar prindërit të kuptojnë më mirë këto çështje sa delikate aq edhe jetike.

"Nuk ka rëndësi sa informacion nxë prindi nga trajnimet. Më mirë pak, sesa aspak.", - thekson Blerina Lika, duke nënvizuar se çdo hap, sado i vogël, përpara në prindërimin pozitiv është një hap drejt një të ardhme më të mirë për fëmijët.

Blerina Lika, punonjëse sociale dhe trajnere në qendrën "Qëndrojmë Së Bashku"
Blerina Lika, punonjëse sociale dhe trajnere në qendrën "Qëndrojmë Së Bashku" në Kombinat

Kjo ndërhyrje u zbatua nga Qendra “Act for Society” në bashkëpunim me UNFPA Albania në kuadrin e Projektit “T’i japim Fund Dhunës ndaj Grave në Shqipëri” (EVAWIA), financuar nga Qeveria e Suedisë dhe zbatuar nga tre agjensi të OKB-së, UN Women, UNDP dhe UNFPA, në partneritet me Qeverinë Shqiptare.