Pse?
Nëse ka një këshillë me shumë vlerë, që u jepet fëmijëve në epokën moderne, është t’i vënë pikëpyetjen çdo gjëje që merret e mirëqenë si e vërtetë. Ky është një nga mekanizmat që më së miri ndërton vetëbesim dhe aftësi për të formuar mendime personale sa më unike mbi botën që na rrethon e, sidomos, mbi rregullat e shoqërisë – kaq shumë, shpesh kaq strikte, edhe më shpesh kaq absurde dhe të pavërteta në 2023.
Sigurisht, jo të gjithë fëmijët kanë qasje në të tilla këshilla pavarësuese. Ndërsa brezat më të rritur janë tejet më të angazhuar me përditshmërinë për të ngritur në pyetje se si e jetojnë jetën, a është ok rendi familjar, të cilin e kanë pranuar, a ka logjikë çfarë po bëjnë, pse janë gratë ekonomiste e burrat drejtora…
Dhe, me të drejtë, pasi këto pyetje nuk janë kurrë të thjeshta shoqëria ka dështuar deri tani t’i përgjigjet si duhet. Shoqëria duket se vetëm ka trashëguar normasociale pa i vënë në pikëpyetje.
Mirëpo vajzat sot kanë vendosur të ngrenë ca pyetje, mëma e së cilës mbetet:
Pse shoqëria u jep dorë djemve më shumë se vajzave?
Zanafilla e kësaj sjelljeje është e diskutueshme, pasi dhe në mbarë globin ka ndodhur në faza të ndryshme për arsye të ndryshme. Por duket se janë disa momente që i bashkojnë të gjithë.
Faktorët ekonomikë: Revolucioni i parë agrar, që filloi gjatë neolitit rreth 10,000 vjet më parë dhe vazhdoi për disa mijëvjeçarë në tërë rruzullin, solli gradualisht cilësi jete më të mirë për njeriun, për shkak të ushqimit të kontrolluar, krijimit të shoqërive dhe familjeve më të mëdha, duke i dhënë hov kështu zanafillës së ekonomisë, tregëtisë, edukimit. Në këto shoqëri, forca fizike kishte rëndësi të madhe: për punë krahu, gjah, udhëtime të largëta. Teksa familja rritej, gratë ishin shtatzëna gjatë gjithë kohës dhe rrethuar nga fëmijë të vegjël. Gradualisht, shoqëritë në mbarë botën filluan të favorizonin djemtë, shpesh duke marrë masa ekstreme.
Dakord. Por pse sot të vazhdojë e njëjta gjë? A jetojmë në shoqëri agrare me familje të mëdha me 10 + fëmijë për familje apo në mjedise urbane, ku ekonomia është tërësisht tjetër dhe fëmijët janë shumë të kufizuar në numër?
Ligji dhe politika: deri pak dhjetëvjeçarë më parë, Shqipëria favorizonte trashëgiminë tek djemtë dhe vajzat, kur martoheshin, merrnin mbiemrin e burrit. Kombinuar me mbrotjen e vakët ligjore e shëndetësore të grave, familjet favorizonin të pasurit djem para vajzave.
Para ligjit, gjinia sot nuk ka asnjë peshë. Pse? Pse në 2023 ende i trajtojmë shoqërinë, ligjet dhe rregullat e saj si vetëm të burrave?
Faktorët fetarë: Shumë fe apo kultura fetare lartësojnë djalin sot e kësaj dite. Përveç të tjerave, ata konsiderohen si të aftë për të mbajtur tituj fetarë, për të kryer rituale fetare dhe për të qenë përfaqësuesi i familjes në regjistrin e sistemit të tyre fetar.
Pse? Pse në 2023 kjo gjë ka ende kuptim? Pavarësisht besimit, burrat dhe gratë munden në mënyrë perfekte të kryejnë detyra familjare dhe individuale.
Pse o të rritur e fëmijë vazhdojmë urojmë “me djalë”, gëzohemi tej mase kur lind një i tillë dhe, në raste jo pak të rralla, abortojmë fetuse F?
Ka ardhur koha t’u japim fund këtyre normave të vjetra sociale, duke i dhënë përgjigje përfundimtare kësaj “pse”-je.