Go Back Go Back
Go Back Go Back
Go Back Go Back

Sfida dhe shpresë: Rrugëtimi i Shqipërisë në luftën kundër HIV/AIDS

Sfida dhe shpresë: Rrugëtimi i Shqipërisë në luftën kundër HIV/AIDS

Lajme

Sfida dhe shpresë: Rrugëtimi i Shqipërisë në luftën kundër HIV/AIDS

calendar_today 11 December 2024

Mjekë, ekspertë, përfaqësues të UNFPA ulur rreth tryezës së diskutimit për HIV/AIDS
Tryezë diskutimi për HIV/AIDS

UNFPA dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, së bashku me partnerë ndërkombëtarë dhe kombëtarë dhe përfaqësues të institucioneve partnere në vend, organizuan një tryezë diskutimi me aktorët dhe ekspertët kryesorë në fushën e HIV/AIDS dhe tuberkulozit. Takimi kishte për qëllim të vlerësonte progresin e arritur dhe të diskutonte sfidat e hasura në këtë sektor të rëndësishëm për shëndetin publik.

Në fjalën e saj, shefja e departamentit të infektivit, Dr. Najada Çomo, kërkoi përmirësime në mënyrën se si mblidhen të dhënat për fëmijët që lindin me HIV, ndërkohë që theksoi se duhet të punohet së bashku për të arritur objektivin “0 lindje të fëmijëve HIV pozitivë”.

Mjekja Najada Çomo teksa flet në tryezën e diskutimit për HIV/AIDS
Shefja e departamentit të infektivit, Dr. Najada Çomo

Mjeku infeksionist, Prof. Dr. Arjan Harxhi, ngriti shqetësimin se Shqipëria ka një incidencë të HIV tre herë më të lartë se vendet e tjera të rajonit të Ballkanit, si Maqedonia, Mali i Zi dhe Kroacia. Për këtë arsye, ai kërkoi një studim të ri dhe mbështetje nga organizmat ndërkombëtarë për të gjeneruar të dhëna më të përditësuara dhe cilësore epidemiologjike.

Mjeku infeksionist, Prof. Dr. Arjan Harxhi
Prof. Dr. Arjan Harxhi, mjek infeksionist

Pjesëmarrësit diskutuan nevojën për rritjen e numrit të pikave të testimeve për HIV, duke përfshirë poliklinikat dhe spitalet rajonale dhe theksuan rëndësinë e përhapjes së informacionit për rëndësinë e kryerjes së testimit vullnetar të HIV, sidomos për gratë shtatzëna, për të siguruar që çdo grua të mund të testohet. Gjithashtu, shefja e Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino, kërkoi uljen e stigmatizimit dhe ndryshimin e sjelljes për të eliminuar tri infeksione të rrezikshme – HIV, hepatitin dhe sifilizin.

shefja e Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino

Eksperti i Shëndetit Publik, Roland Bani, theksoi nevojën për të rritur aksesin në shërbimet e testimit dhe përmirësimin e kapaciteteve të institucioneve shëndetësore për të trajtuar personat që jetojnë me HIV.

Një tjetër sfidë e ngritur ishte nevoja për të adresuar barrierat që ekzistojnë për personat që jetojnë me HIV, si dhe për të përmirësuar aksesin e tyre në shërbime shëndetësore dhe sociale. Ekspertët kërkuan një fokus më të madh të punës me dhe për komunitetet vulnerabël, duke përfshirë punonjësit e seksit dhe grupet LGBTQ+, për të siguruar që ata të kenë akses të barabartë në trajtim dhe shërbime mbështetëse shëndetësore.

Dr. Roland Bani
Roland Bani, ekspert i Shëndetit Publik

Ky takim është pjesë e një plani të gjerë për të garantuar qëndrueshmërinë e përgjigjes kombëtare ndaj HIV dhe tuberkulozit, me mbështetje nga Fondi Global dhe agjencitë ndërkombëtare, ndërsa përgatitet kalimi nga mbështetja financiare ndërkombëtare në burime kombëtare.

Në takim morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë, Instituti i Shëndetit Publik, mjekë infeksionistë, ekspertë të fushës, si dhe organizata joqeveritare dhe partnerë ndërkombëtarë, përfshirë UNFPA, UNICEF dhe OBSH Shqipëri, të cilët rikonfirmuan angazhimin e tyre për të vazhduar punën e përbashkët për të përmirësuar situatën dhe për të siguruar një të ardhme më të shëndetshme dhe pa HIV për të gjithë shqiptarët.