Go Back Go Back
Go Back Go Back
Go Back Go Back

SHËRBIMET E INTEGRUARA PËR MOSHËN E TRETË. EKSPERIENCA E ZBATIMIT NË SUKTH,BASHKIA DURRËS

SHËRBIMET E INTEGRUARA PËR MOSHËN E TRETË. EKSPERIENCA  E ZBATIMIT NË SUKTH,BASHKIA DURRËS

Lajme

SHËRBIMET E INTEGRUARA PËR MOSHËN E TRETË. EKSPERIENCA E ZBATIMIT NË SUKTH,BASHKIA DURRËS

calendar_today 15 July 2023

Tryeza e organizuar në kuadër të ndërhyrjes "Askush të mos mbetet pas"
Tryeza e organizuar në kuadër të ndërhyrjes "Askush të mos mbetet pas"

“Askush të mos mbetet pas” është një prej ndërhyrjeve që UNFPA në Shqipëri është angazhuar për të adresuar përmes ngritjes dhe forcimit të shërbimeve të integruara për moshën e tretë. Të dhënat statistikore flasin për një rritje të numrit të popullsisë së moshuar, e cila ka nevojë për përkujdesje të vazhdueshme.

Aktorët politikbërës dhe shoqëria civile luajnë një rol të rëndësishëm katalizator në përballimin e sfidave me të cilat përballen të moshuarit dhe sistemi i shërbimit social, nëpërmjet të cilit të moshuarit marrin shërbimet e integruara.

Qendra Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin (ACPD) me mbështetjen e UNFPA po punon për të krijuar modelet e duhura dhe të nevojshme që institucionet vendore, përkatësisht bashkitë, do të duhet të  përvetësojnë për t’iu përgjigjur nevojës në rritje për përkujdesje që të moshuarit mbi 65 vjeç kanë në vendin tonë.

Tryeza e organizuar në kuadër të ndërhyrjes "Askush të mos mbetet pas" mbështetur nga UNFPA
Tryeza e organizuar nga ACPD në kuadër të ndërhyrjes "Askush të mos mbetet pas" mbështetur nga UNFPA

Në Bashkinë Durrës,  në Sukth, është krijuar një model suksesi në raport me qasjen që institucionet vendore duhet të mbajnë për t’iu përgjigjur sfidave të moshimit dhe nevojës për të ofruar shërbime të integruara. Reagimi dhe ndërhyrja duhen bazuar në grumbullimin e të dhënave dhe analizimin e tyre. 

Një tryezë diskutimi u mbajt në Tiranë në 12 Korrik, e organizuar nga ACPD me mbështetjen teknike dhe financiare të UNFPA dhe ILO, në kuadër të mbështetjes teknike ”Askush të mos mbetet pas”, një program i përbashkët i Kombeve të Bashkuara që mbështetet nga Agjensia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim - SDC.

Për Elsona Agollin, Analiste Programi për Popullsinë dhe Çështjet Gjinore në UNFPA, Censusi që pritet të zhvillohet në shtatorin e këtij viti do të ndikojë për të kuptuar më mirë situatën e popullatës dhe të të moshuarve në vendin tonë, të dhëna të cilat duhet të shërbejnë për të ndërtuar politikat dhe ndërhyrjet strategjikë në varësi të nevojës dhe ndryshimeve demografike.

Elsona Agollin, Analiste Programi për Popullsinë dhe Çështjet Gjinore në UNFPA
Elsona Agolli, Analiste Programi për Popullsinë dhe Çështjet Gjinore në UNFPA gjatë punimeve të tryezës

“Modeli i ndërtuar në Sukth duhet të shërbejë si një pikë nisje për vendimmarrjet që duhet të ndërmerren në lidhje me ndërhyrjet që duhen realizuar. E vetmja mundësi që ne të kontribuojmë për të pasur një moshim aktiv dhe cilësor është hartimi i politikave bazuar në të dhëna dhe fakte. Nëse të moshuarit tanë janë aktivë dhe kanë nevojë për socializim, ne duhet të fokusohemi të ndërtimi i politikave që mbështesin socializimin. Nëse ata kanë nevojë për përkujdesje shëndetësore, ne duhet të punojmë për të rritur dhe afruar sa më shumë shërbimin shëndetësor tek ta.  Ne jemi përpara faktit që kemi 400,000 banorë të moshuar dhe duhet të dimë për çfarë kanë nevojë ata, statusin e tyre, gjendjen familjare, në mënyrë që të ndërtojmë dhe orientojmë politikat dhe aksionet tona në shërbim të tyre, që askush të mos mbetet pas. Kjo është dekada e qëndrueshmërisë demografike dhe puna jonë me ndërhyrjet konkrete për popullsinë duhet orientuar në drejtim të kujdesit afatgjatë”, theksoi për të pranishmit Znj. Agolli.

Sipas Znj. Agolli, Censusi që pritet të zhvillohet në shtatorin e këtij viti, do të ndihmojë shumë në identifikimin e nevojave dhe do të gjenerojë të dhëna shumë të rëndësishme për situatën demografike dhe dividendin demografik të vendit tonë., Prandaj, të gjithë pa përjashtim duhet t’i përgjigjen pozitivisht Censusit të ardhshëm.

E pranishme në tryezën e diskutimit, Drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror, Znj. Reme Lala u shpreh se “Plani Kombëtar për Moshimin 2020-2024” u miratua me vendim të Këshillit të Ministrave si një përgjigje ndaj sfidës demografike dhe sociale të moshimit, në një periudhë transformimi demografik të pavërejtur kurrë më parë në historinë e Shqipërisë.

Reme Lala, Drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror
Znj. Reme Lala, Drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror gjatë punimeve të tryezës

“Sistemi i përkujdesjes social është përballë nevojës për ndryshim dhe ristrukturim për të plotësuar nevojat gjithmonë e në rritje të të moshuarave. Çdo i moshuar që ka nevojë për kujdes duhet ta marrë atë. Ne duam të konsolidojmë moshimin aktiv, një vizion i jashtëzakonshëm në zbatim të planit të moshimit 2020-2024, i cili synon ndërtimin e rrjetit të shërbimeve të plota e të integruara”, u shpreh Drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror.

Sipas të dhënave zyrtare ndryshimet demografike dhe strukturore të familjes kanë ndikuar në rritjen e numri të të moshuarve të vetmuar apo të braktisur, të cilët shfaqin nevojën për përkujdes të shtuar. Ndër vite numri i personave të moshuar, që kanë kërkuar mbështetje apo strehim nga institucionet shtetërore është:

  • 2021 - 286 persona të moshuar
  • 2022 – 303 persona të moshuar
  • 2023 (tre mujori i parë) – 310 persona të moshuar

Në total, në hartën e shërbimeve të integruara janë shtuar tetë shërbime dedikuar moshës së tretë dhe nga 45 shërbime në paketën e plotë të ofruar në Shqipëri, për moshën e tretë ofrohen 20 shërbime.

Politika aktuale e kujdesit shëndetësor është përqendruar tek ofrimi i shërbimeve të integruara sa më pranë personave të moshuar, mbështetur në vlerësimin kompleks dhe gjithëpërfshirës të nevojave të tyre, duke vendosur “nevojën për përfshirje” në qendër të sistemit.

Ndërsa metodologjia e vlerësimit të nevojave të moshuarve tashmë është zhvilluar, shpjeguar dhe promovuar, sfida kritike mbetet regjistrimi i të moshuarve, duke i klasifikuar sipas nevojave të tyre. Në përgjigje të kësaj sfide kritike, me iniciativën dhe përfshirjen e plotë të bashkisë Durrës, u arrit regjistrimi i të moshuarve të Njësisë Administrative Sukth, si edhe krijimi i bazës së parë të të dhënave, të organizuara dhe klasifikuara sipas kritereve të përcaktuara në metodologjinë e vlerësimit të nevojave komplekse ekonomike, sociale dhe shëndetësore të të moshuarve.

Ky instrument u prezantua në prani të përfaqësuesve të gjithë bashkive të vendit online dhe offline , të cilat e gjetën mjaft interesant, praktik dhe të zbatueshëm dhe pjesa më e madhe e të pranishmëve u shprehën pozitivë për të filluar përpjekjet për ta përvetësuar këtë instrument e për të filluar zbatimin në bashkitë e tyre.