Go Back Go Back
Go Back Go Back
Go Back Go Back

Shërbimet e kujdesit afatgjatë rikthejnë dinjitetin dhe pavarësinë që të moshuarit e meritojnë

Shërbimet e kujdesit afatgjatë rikthejnë dinjitetin dhe pavarësinë që të moshuarit e meritojnë

Histori

Shërbimet e kujdesit afatgjatë rikthejnë dinjitetin dhe pavarësinë që të moshuarit e meritojnë

calendar_today 12 December 2024

Dy të moshuar
Foto: UNFPA

"Vendosa të bëhem fizioterapist, sepse gjithmonë kam pasur një dëshirë të fortë për të ndihmuar njerëzit të rikuperojnë shëndetin dhe të rifitojnë pavarësinë.” Ky është Ergys Cakoni, i cili, si pak të rinj në vendin tonë, u rikthye në qytetin e tij të lindjes pas mbarimit të studimeve të larta në Tiranë dhe ushtron profesionin e fizioterapistit në Spitalin e Matit. Ndërkohë, Ergysi tashmë është ofruar vullnetarisht për të dhënë shërbimet e tij mjekësore, edhe pas orarit të punës, në Qendrën Multifunksionale “Shërbim Falas për të Moshuarit”, Bashkia Mat. 

“Shumica e pacientëve të mi janë grupmoshat e treta. Duke parë sfidat e shumta që përjetojnë të moshuarit, nga dhembjet kronike deri te humbja e lëvizshmërisë, kuptova se kjo është një grupmoshë që ka nevojë të madhe për kujdes të veçantë. Për mua, puna me të moshuarit është jashtëzakonisht shpërblyese, sepse mund të shohim ndryshime reale në cilësinë e jetës së tyre.", - shprehet Cakoni.

Fizioterapisti Ergys Cakoni, i veshur me bluzën e bardhë. Në sfond ka pajisjet e fizioterapise
Ergys Cakoni, fizioterapist

Me mbështetjen e UNFPA, u realizua blerja e pajisjeve të nevojshme për fizioterapi. Në bashkëpunim me kryetarin e Bashkisë Mat, Agron Malaj dhe drejtorin e spitalit të Matit, Erion Bala, të cilët mundësuan një dhomë në ambientet e spitalit dhe shoqatës së të moshuarve, “Bashkimi i Përgjithshëm Vijues i Pensionistëve të Shqipërisë” (BPVPSH) dega Mat, me koordinimin e Z. Faik Xhani dhe dëshirën e madhe të Ergysit, u bë e mundur hapja e Qendrës Multifunksionale.

Gira, piste vrapimi, pajisje të tjera të nevojshme për fizioterapi
Fizioterapia në "Qendrën Multifunksionale Shërbim Falas për të Moshuarit" Mat

Gjatë ceremonisë së inagurimit, kryebashkiaku i Matit bëri me dije se “u mendua që të ndërtohet një qendër rezidenciale për të moshuar, duke qenë se 200 të moshuar e kishin kërkuar atë."

Një e moshuar e cila mban një letër në dorë po mban fjalimin. Ajo rrethohet nga disa persona.
Ceremonia e Inagurimit të "Qendrës Multifunksionale Shërbim Falas për të Moshuarit" në Mat

Sipas Ergysit, gjithçka nisi nga një pyetësor që u krye më 10 korrik të vitit 2023 pranë qendrës së të moshuarve në Burrel, ku u konstatua që shumica e të moshuarve vuanin nga probleme muskulo-skeletike dhe pak prej tyre u ishte rekomanduar një program aktivitetesh, nuk kishin informacionin e nevojshëm ose kishin informacion të gabuar rreth tyre. “Kjo gjë më shqetësoi shumë.”, - shton ai.

Ndërkohë, rruga e tij si vullnetar nisi nga dëshira për të bërë më shumë sesa thjesht praktika klinike. Ai e sheh fizioterapinë si “një mjet të fuqishëm që jo vetëm lehtëson dhembjet, por edhe rikthen dinjitetin dhe pavarësinë që të moshuarit e meritojnë.”.

“Fillova duke ndihmuar në aktivitete komunitare për të moshuarit, ku kuptova se fizioterapia nuk është vetëm një trajtim fizik, por një mënyrë për t'u dhënë atyre shpresë dhe motivim. Kjo më frymëzoi të krijoj projekte që kombinonin kujdesin fizik me ndjeshmërinë emocionale.”, - thotë Ergysi.

Ky i fundit sheh si një nga sfidat kryesore faktin që “disa të moshuar mund të ndihen të dorëzuar për shkak të moshës ose problemeve shëndetësore dhe është e vështirë të sigurosh që ata të qëndrojnë të motivuar për të ndjekur ushtrimet.”.

Për të përballuar këto sfida, Ergysi thekson se “përpiqet të krijojë një lidhje të ngushtë me ta, duke dëgjuar shqetësimet e tyre dhe duke u përshtatur me nevojat individuale. Gjithashtu, i inkurajoj për çdo hap të vogël që arrijnë, duke u treguar që ndryshimet pozitive janë gjithmonë të mundura. Një nga mësimet më të mëdha që kam marrë është që gjithmonë ka vend për përmirësim, pavarësisht moshës.".

Pajisja e çdo të moshuari me një program individual ushtrimesh dhe aktivitetesh për të përmbushur nevojat e tyre dhe krijimi i një atmosfere pozitive dhe shpresëdhënëse që ndikon në kapërcimin e barrierave të formave të ndryshme që hasin të moshuarit, janë në misionin e Ergysit dhe qendrës për të moshuarit në Mat.

4 të moshuar të cilët po ndjekin ceremoninë e inagurimit

“Qëllimi im për të ardhmen është të krijoj më shumë ide dhe programe që ofrojnë kujdes të personalizuar për të moshuarit. Dua gjithashtu të rris ndërgjegjësimin për rëndësinë e fizioterapisë për këtë grupmoshë, duke punuar me komunitetet dhe profesionistët e tjerë të shëndetit, për të siguruar që çdo i moshuar të ketë qasje në kujdes cilësor. Dua që ata të ndihen të fuqizuar dhe të dinë se moshimi nuk do të thotë fund, por një fazë e re e jetës ku mund të ndihen mirë fizikisht dhe emocionalisht.", - përfundon Ergys Cakoni.

Në qendër do të organizohet edhe puna e shërbimit vullnetar për të moshuarit nga një grup infermieresh në pension të qytetit të Burrelit, të cilat, para një viti, kanë shprehur dëshirën të shërbejnë falas për të moshuarit. “Me këto shërbime do të ndikojmë në edukimin dhe sensibilizimin e të moshuarve që të bëjnë një jetë aktive për një shëndet të mirë.”, - tha Sanie Meta, sekretare e BPVPSH, dega Mat.

Analistja e Programit mbi Çështjet Gjinore dhe Popullsinë në UNFPA Shqipëri, Elsona Agolli, theksoi se “Është shumë e rëndësishme për UNFPA, por dhe pjesë e mandatit të saj, të sigurojë mbështetjen dhe përfshirjen e të gjithë të moshuarve, që të jenë aktivë dhe të vazhdojnë të kontribuojne në komunitetin ku jetojnë. Mplakja e popullsisë është një aspekt aktual demografik për Shqipërinë dhe, në mënyrë që të kontribuojmë në qëndrueshmërinë demografike, duhet që edhe grupmosha e personave mbi 65 vjeç të përfshihet, të jetë aktive dhe të bëjë një jetë me dinjitet.”

Elsona Agolli shoqëruar nga Ergys Cakoni
Analistja e Programit mbi Çështjet Gjinore dhe Popullsinë në UNFPA Shqipëri, Elsona Agolli dhe fizioterapisti Ergys Cakoni

Kjo ndëhyrje është zbatuar si pjesë e  Programit të Përbashkët të OKB-së "Askush Të Mos Mbetet Pas", që mbështetet nga Agjensia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe zbatohet nga katër Agjensi të OKB-së UNDP, UNFPA, UNICEF dhe UN WOMEN në partneritet me Qeverinë Shqiptare dhe synon të fuqizojë personat vulnerabël në Shqipëri të kenë akses të barabartë në shërbimet dhe mundësitë publike, të kenë një zë në vendimmarrjen publike, që ndikon në jetën e tyre dhe t'i vendosin vendimmarrësit përpara llogaridhënies.