News

"Shumë gra nuk janë fuqizuar aq sa të marrin vendime për trupat e tyre", thotë raporti vjetor i UNFPA

10 Prill 2019

KOMBET E BASHKUARA, Nju Jork - "Të drejtat dhe zgjedhjet riprodhuese sot janë bërë realitet për më shumë gra se kurrë", thotë raporti i UNFPA, Gjendja e Popullsisë së Botës 2019, lancuar sot. Pavarësisht këtyre rezultateve, një numër shumë i madh grash në mbarë botën nuk e kanë fuqinë të marrin vendime themelore për trupat e tyre.

Raporti i UNFPA publikon, për herë të parë, të dhëna për mundësinë e grave për të marrë vendime në tri fusha kyçe: marrëdhëniet seksuale me partnerin e tyre, përdorimin e kontracepsionit dhe kujdesin shëndetësor.

Në të 51 vendet ku ky informacion është në dispozicion, vetëm 57 përqind e grave të martuara apo në marrëdhënie janë në gjendje të bëjnë zgjedhjet e tyre në këto tre fusha.

Autonomia seksuale dhe riprodhuese e grave ishte më e madhe në dy vende: Filipine dhe Ukrainë, ku 81 përqind e grave janë fuqizuar dhe marrin këto vendime për vete.

Vendimmarrja ishte më e ulët në tre vende: Mali, Nigeri dhe Senegal. Në këto vende, vetëm 7 përqind e grave kanë mundësi të bëjnë zgjedhjet e tyre në të tre fushat.

"Ne kemi ende një rrugë të gjatë për të bërë para se të gjitha gratë dhe vajzat të kenë fuqinë dhe mjetet për të zotëruat trupat e tyre dhe për të marrë vendime të informuara në lidhje me shëndetin e tyre seksual dhe riprodhues", tha Drejtoresha Ekzekutive e UNFPA, Dr. Natalia Kanem.

Një histori progresi

“Sado ekstreme të duken statistikat, ato tregojnë një përparim të dukshëm në historinë e gjatë të shëndetit dhe të të drejtave riprodhuese”, thotë raporti i ri, i titulluar "Punë e papërfunduar: Në ndjekje të respektimit të të drejtave dhe zgjedhjeve për të gjithë".

Vetëm në vitin 1968 udhëheqësit afirmuan, për herë të parë në një deklaratë globale, se individët kishin të drejtë të "përcaktonin lirisht dhe me përgjegjësi numrin dhe kohën kur do bëjnë fëmijët e tyre".

Ndërkohë që metodat e planifikimit familjar u bënë më të aksesueshme dhe më të besueshme, u rrit edhe numri i njerëzve që kishin mundësi ta ushtronin këtë të drejtë.

Dhe ndërsa gratë u fuqizuan dhe u mundësuan për të bërë zgjedhjet e tyre riprodhuese, erdhi edhe një gamë e gjerë përfitimesh për shëndetin dhe mirëqenien e tyre.

Tefta Shakaj është një mami në Shqipëri. Ajo thotë se mundësitë për gratë dhe vajzat janë përmirësuar gjatë 25 viteve të fundit. © UNFPA / G. Banaj

 

Më pas, 25 vjet më parë, në Konferencën Ndërkombëtare për Popullsinë dhe Zhvillimin (ICPD), qeveritë e botës miratuan një marrëveshje revolucionare që bën thirrje që shëndeti dhe të drejtat riprodhuese të grave të vendosen në qendër të përpjekjeve të zhvillimit.

Që atëherë, aksesi në planifikimin familjar vullnetar është zgjeruar në mbarë botën. Në vitin 1994, 52 për qind e grave përdorën kontraceptivë modernë, krahasuar me 58 për qind sot.

Aksesi në shërbimet e shëndetit riprodhues është përmirësuar gjithashtu. Numri i grave që vdesin nga shkaqet e lidhura me shtatzëninë ka rënë nga 369 për 100,000 lindje të gjalla në vitin 1994, në 216 në vitin 2015.

Një rrugë e gjatë për të bërë

Por këto arritje nuk janë të mjaftueshme.

“Grupet e margjinalizuara, në veçanti, përballen me disa nga nevojat më të larta të paplotësuara për shërbimet shëndetësore seksuale dhe riprodhuese”, tha Zj. Rita Columbia, Drejtore e UNFPA për Shqipërinë në lancimin e raportit në Durrës midis të rinjve dhe mësuesve të shkollës së mesme sportive. “Këto përfshijnë pakicat etnike, të rinjtë, të pamartuarit, homoseksualët, biseksualët, njerëzit me aftësi të kufizuara dhe ata që jetojnë në varfëri. Ndaj është shumë e rëndësishme të fuqizohen gratë dhe vajzat dhe t’u jepet mundësi atyre të bëjnë zgjedhjet e tyre me vullnet të lirë për numrin dhe kohën kur të lindin fëmijë, si edhe të fuqizohen dhe pajisen të rinjtë me aftësi dhe mundësi për të bërë zgjedhjet e tyre të informuara jetësore.”

 

Rita Columbia, Drejtore e UNFPA për Shqipërinë (nga e majta në qendër), Brian Williams-Kordinator i Përhershëm i OKB Shqipëri (i pari nga e majta) dhe të ftuar të tjerë në lancimin e raportit SWOP2019 në Durrës, Shqipëri.© UNFPA

 

Ndaj dhe UNFPA bën thirrje që "Lufta për të drejtat dhe zgjedhjet duhet të vazhdojë derisa ato të jenë realitet për të gjithë, duke mos lënë askënd pas", theksoi Z. Brian Williams, Kordinator i Përhershëm i OKB në Shqipëri.