Go Back Go Back
Go Back Go Back
Go Back Go Back

Të çosh përpara progresin e vajzave dhe grave në Shqipëri

Të çosh përpara progresin e vajzave dhe grave në Shqipëri

Lajme

Të çosh përpara progresin e vajzave dhe grave në Shqipëri

calendar_today 12 April 2019

Infermiere Tefta Shakaj (nga e djathta) me pacienten e saj. Foto: UNFPA Albania/ G. Banaj

BERAT, Shqipëri - Tefta Shakaj gjithmonë dëshironte të studionte në universitet për t'u bërë doktoreshë, por ky nuk ishte një opsion për të në Shqipëri, kur ishte adoleshente. "Ne ishim të detyruar të bënim atë që na thonin," thotë ajo. Pas përfundimit të shkollës së mesme, megjithatë, ajo pati një mundësi që ndryshoi rrjedhën e jetës së saj: një program studimi njëvjeçar për t'u bërë një mami infermiere.

Pas trajnimit, Shakaj u caktua në një fshat të largët, i cili nuk kishte mjete, personel apo pajisje mjekësore. Jeta ishte e vështirë atje në shumë nivele. Por ajo dëshironte kaq shumë të kujdesej për të sapolindurit dhe nënat dhe shërbeu me pasion - duke ndihmuar në lindjen e foshnjave, duke u kujdesur për nënat e reja, duke u shërbyer bebeve në repartin pediatrik.

"Unë kam ndihmuar shumë, sepse shumë lindje ndodhnin në shtëpi - nuk kishte qendra," thotë Shakaj. "Jam e lumtur që kam ndihmuar shumë gra."

Edhe sot, aksesi në informacion dhe shërbime të shëndetit riprodhues mbetet një sfidë në komunitetet rurale të Shqipërisë, të cilat shpesh janë shumë të varfra, të izoluara dhe vulnerabël. Këto boshllëqe hasen në të gjithë botën, siç zbulon raporti i ri i UNFPA-s Gjendja e Popullsisë së Botës 2019. Megjithë progresin e rëndësishëm global në 50 vite që nga themelimi i UNFPA dhe në 25 vite, që kur qeveritë e botës ranë dakord për Programin e Veprimit të miratuar në Konferencën Ndërkombëtare për Popullsinë dhe Zhvillimin (ICPD) në Kajro, jo të gjithë kanë akses të barabartë në të njëjtën të drejta dhe mundësi.

UNFPA vazhdon të punojë në Shqipëri për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve të integruara të shëndetit seksual dhe riprodhues në çdo nivel të kujdesit shëndetësor, për të forcuar përgjigjen multisektoriale ndaj dhunës me bazë gjinore, për të arritur edukatën gjithëpërfshirëse seksuale dhe për të investuar në fuqizimin e grave dhe vajzave.

Shakaj kujton kohë të vështira në fillim të viteve 1990, pas rënies së regjimit komunist shqiptar, kur ajo thotë se jetonin përmes kaosit dhe mungesave të gjithçkaje. Ajo u martua dhe kishte dy fëmijë, por do të kishte dashur më shumë, nëse nuk do të kishte pasur kaq shumë pasiguri ekonomike në atë kohë. Pastaj, edhe i shoqi u sëmur dhe ata kishin nevojë për para për shërbime mjekësore. Në pamundësi për të pasur kontraceptivë, ajo mbeti shtatzënë dhe, si shumë gra të asaj epoke në Evropën Lindore, ajo pati një abort.

Por pati edhe një anë pozitive nga trazirat e fillimit të viteve 1990-të, thotë Shakaj: njerëzit u ekspozuan ndaj ideve dhe mënyrave të reja për të bërë gjëra, u nxit një eksod i shqiptarëve në Itali dhe Greqi. Nga ata që u larguan nga Shqipëria, "filluam të shohim një botë tjetër dhe perspektiva të tjera", thotë ajo. "Para kësaj ne kishim dëgjuar vetëm se çdo gjë jashtë Shqipërisë ishte e keqe".

Jeta po përmirësohet në Shqipëri, thotë Shakaj dhe beson se vajzat dhe nipërit e saj do të kenë më shumë zgjedhje dhe mundësi sesa ajo. Kontraceptivët tani janë gjerësisht të disponueshëm dhe të lirë, mentalitetet po ndryshojnë duke u mundësuar njerëzve të flasin më hapur në lidhje me çështjet e shëndetit seksual dhe riprodhues, kuadri ligjor për të adresuar dhunën me bazë gjinore është përmirësuar dhe burrat dhe gratë po martohen në një moshë më të vonë. Në familjen e Shakaj, vajza e saj më e vogël ka zgjedhur të bëhet oficere policie - një shenjë se nocionet e vjetra të barazisë gjinore po ndryshojnë.