Gjëndeni këtu

Deklarata e Drejtores Ekzekutive të UNFPA-së, Dr. Natalia Kanem, në Ditën Botërore të Shëndetit

Në këtë Ditë Botërore të Shëndetit, ne shënojmë vitin e parë ndërkombëtar të infermiereve dhe mamive. Mamitë janë qendra për gjithçka që ne bëjmë në UNFPA, agjensia e Kombeve të Bashkuara për shëndetin seksual dhe riprodhues. Aftësitë e tyre për të shpëtuar jetën shkojnë përtej ndihmës për të lindur bebet. Mamitë edukojnë, fuqizojnë dhe u japin mundësi grave të bëjnë jetë të shëndetshme dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre për shëndet seksual dhe riprodhues.

Mes pandemisë aktuale COVID-19 , e cila tashmë ka infektuar më shumë se një milion njerëz në të gjithë botën, profesionistët e shëndetit janë heronj të heshtur që punojnë në frontet e para. Mamitë rrezikojnë jetën e tyre për të shpëtuar atë të grave shtatzëna dhe të të porsalindurve. Ato sigurojnë shtatzëni të sigurta dhe të shëndetshme, duke marrë çdo masë paraprake për të mbrojtur gratë të cilave u shërbejnë.

Mamitë luajnë një rol kritik në përgjigjen ndaj emergjencave të shëndetit publik si COVID-19. Ato janë bërthama për sistemet e forta shëndetësore të domosdoshme për të mbijetuar nga koronavirusi. Është e rëndësishme të mos rrezikohen shërbimet thelbësore të shëndetit seksual dhe riprodhues, duke  e devijuar punën e mamive për të shërbyer si personel urgjence.

Mamitë që u shërbejnë pacienteve jashtë spitaleve janë të domosdoshme për zbatimin e masave të sigurta të distancimit social, të nevojshme për të frenuar përhapjen e sëmundjes. Sa më shumë mamitë të jenë të gatshme të vizitojnë shtëpitë e grave shtatzëna në komunitetet rurale apo të mund të ofrojnë kujdes dhe këshilla mjekësore para dhe pas lindjes nëpërmjet telefonit, më shumë njerëz do të shmangin transmetimin ose infektimin nga koronavirusi.

Ndërkohë që koronavirusi i ri po përfshin botën, si edhe shumë vende në zhvillim me sistem shëndetësor të brishtë, gratë vazhdojnë të mbesin shtatzënë dhe të lindin. Mamitë janë thelbësore për të siguruar shtatzëni dhe lindje të sigurta për të gjithë, kudo. Ato gjithashtu ofrojnë informacione dhe këshillime për kontraceptivët që u duhen grave dhe të rinjve, edhe në raste krizash.

Si punonjës të shëndetësisë në vijë të parë, mamitë janë veçanërisht të prekshme nga virusi. Kjo do të thotë që gratë shtatzëna dhe foshnjat janë gjithashtu në rrezik. Ne duhet të ndërmarrim veprime urgjente për të mbrojtur mamitë. Kjo përfshin sigurimin e të gjitha mamive me të njëjtat pajisje personale mbrojtëse, që po përdorin punonjësit e tjerë të vijës së parë për të mbrojtur veten nga infektimi.

Në të gjithë botën, mamitë po përballen me sfidën e COVID-19. Me mbështetjen e UNFPA, mamitë në vendet e goditura, po punojnë me vështirësi gjatë gjithë kohës për të siguruar kujdesin për gratë dhe foshnjat. Ato thonë se nuk do t'i braktisin kurrë pacientet e tyre. Së bashku me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe partnerët e tjerë, UNFPA qëndron me mamitë në botë, sot dhe çdo ditë.

Jeta vazhdon pavarësisht pandemisë, shtatzënia dhe lindja e fëmijëve nuk bëjnë përjashtim. Në këtë kohë të vështirë për të gjithë dhe, veçanërisht, për profesionistët e kujdesit shëndetësor, le të bëjmë gjithçka që kemi në dorë për të mbrojtur mamitë, në mënyrë që ato të vazhdojnë të sigurojnë shëndet të mirë për gratë dhe të porsalindurit.

Shihni video-mesazhin e Drejtores Ekzekutive me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit here