Go Back Go Back
Go Back Go Back
Go Back Go Back

Tjetër Herë me Vajzë: Ndërgjegjësimi që zbuti numrat

Tjetër Herë me Vajzë: Ndërgjegjësimi që zbuti numrat

Lajme

Tjetër Herë me Vajzë: Ndërgjegjësimi që zbuti numrat

calendar_today 02 November 2023

Tjetër Herë Me Vajzë - Momente nga ekspozita në Tiranë
Tjetër Herë Me Vajzë - Momente nga ekspozita në Tiranë

Dhjetëvjeçarët e fundit Shqipëria është përballur me një prirje alarmante, që kërcënon vetë strukturën e barazisë gjinore – abortin selektiv të fetuseve femra. Kjo praktikë e dëmshme, e rrënjosur thellë në normat kulturore dhe idetë e gabuara, ka hedhur një hije në strukturën shoqërore të kombit, duke prishur ekuilibrin natyror të gjinive dhe duke mbajtur gjallë besime të dëmshme.

Ritja e numrit të djemve që lindin është një dukuri që u shfaq në vitet 90’ dhe që u desh kohë për t’u deshifruar. Po pas shumë studimeve dhe inspektimit të çështjes nga afër, u kuptua që kjo rritje ndodh edhe për shkak të abortit selektiv, mundësuar nga zhvillimi i mjekësisë dhe mundësia për ta parë gjininë me eko brenda afatit të lejuar për abort.

Në momentin më të keq në Shqipëri, filluan të lindnin 112 djem për 100 vajza, ndërkohë që raporti natyral duhet të jetë 105 me 100.
Në qendër të kësaj çështjeje është besimi i gabuar se, të kesh djem, është më mirë se të kesh vajza. Keqkuptime të tilla jehojnë nëpër komunitete, duke i bërë familjet të përdorin masa drastike si feticidet me bazë gjinore.

Ideja se djemtë janë superiorë neglizhon vlerën dhe potencialin e jashtëzakonshëm që vajzat sjellin në familje dhe shoqëri. Vajzat nuk janë barrë, por shtylla fuqie, bartëse të trashëgimisë dhe kontribuese në përparimin shoqëror. Përqafimi i vajzave nuk e pakëson nderin apo prosperitetin e një familjeje, përkundrazi, e pasuron atë në mënyra të pamatshme.

Pasi Shqipëria radhitej e para në Europë dhe e dymbëdhjeta në botë për preferencë djemsh, u bë thelbësore të riformulohej biseda rreth preferencave gjinore. E tillë ishte dhe fushata “Tjetër Herë me Vajzë” filluar nga UNFPA Albania dhe mbështetur nga Fibank dhe Fondacioni Spitalor, fushatë që pruri në ekip fotot e vajzave nga Kristinë Culaj dhe mbështetjen organizative nga RedCloud.

Për të kuptuar dëmin e shkaktuar, fotove iu shtuan edhe silueta vajzash të munguara, shoqëruar me historinë e jetës së tyre që nuk ndodhi kurrë, pasi fetuset e tyre u abortuan. Kjo fushatë udhëtoi në zonat më të populluara të Shqipërisë, pati prezencë të dukshme mediatike dhe përsëriti me ngulm mesazhin që vajzat nuk vlejnë më pak në shoqëri, duke analizuar aspektet kulturore, sociale, ekonomike dhe ligjore.
Tanimë ka të dhëna mjaftueshëm për të hedhur poshtë besime të shekujve të kaluar që na përndjekin ende.

Forca e Shqipërisë duhet të qëndrojë në unitetin, diversitetin dhe potencialin kolektiv të të gjithë qytetarëve të saj. Ruajtja e ekuilibrit natyror midis gjinive nuk është vetëm një detyrim moral, por një gur themeli i një shoqërie progresive dhe gjithëpërfshirëse - një shoqëri që vlerëson çdo individ pavarësisht nga gjinia. Si pasojë pozitive e fushatave të ndryshme dhe thirrjeve të shumta, bilanci natyror i gjinive të bebeve në lindje është përmirësuar disi duke arritur në 107.4 djem për 100 vajza.

Vazhdojmë i kujtojmë vetes dhe njëri-tjetrit që prapambetjet e brezave të mëparshëm nuk kanë pse të diktojnë si e ndërtojmë shoqërinë sot në Shqipëri. Pasi sot, vajzat edhe djemtë së bashku duhet të ndajnë rolet, detyrat, kontribuojnë në ekonomi dhe trashëgojnë emrin dhe pronat në mënyrë tërësisht të barabartë.