Go Back Go Back
Go Back Go Back
Go Back Go Back

Tryeza e rrumbullakët e UNFPA kundër diskriminimit në sektorin privat të biznesit, në kuadër të projektit "Më Shumë Zgjedhje: Politika Familjare Gjinore për Sektorin Privat në Ballkanin Perëndimor dhe Moldavi"

Tryeza e rrumbullakët e UNFPA kundër diskriminimit në sektorin privat të biznesit, në kuadër të projektit "Më Shumë Zgjedhje: Politika Familjare Gjinore për Sektorin Privat në Ballkanin Perëndimor dhe Moldavi"

Lajme

Tryeza e rrumbullakët e UNFPA kundër diskriminimit në sektorin privat të biznesit, në kuadër të projektit "Më Shumë Zgjedhje: Politika Familjare Gjinore për Sektorin Privat në Ballkanin Perëndimor dhe Moldavi"

calendar_today 14 February 2023

Disa persona në tryezën e rrumbullakët të projektit "Më Shumë Zgjedhje"
Pjesëmarrësit në tryezën e rrumbullakët të projektit "Më Shumë Zgjedhje"

 

Sigurimi i një ekuilibri të qëndrueshëm midis jetës dhe punës mbetet një përpjekje kolektive shumë dimensionale që kërkon një angazhim afatgjatë nga të gjithë aktorët e interesuar. UNFPA Shqipëri ka punuar prej vitesh për të garantuar të drejtat dhe zgjedhjet për të gjithë, përfshirë respektimin e të drejtave në vendin e punës.

Përmes projektit "Më Shumë Zgjedhje: Politika Familjare Gjinore për Sektorin Privat në Ballkanin Perëndimor dhe Moldavi", që UNFPA po zbaton me mbështetjen financiare të Agjencisë Austriake për Zhvillim, është bërë e mundur të promovohet ndryshimi dhe qasja nga kompanitë private që operojnë në Shqipëri, të cilat zbatojnë politika familjare gjinore që parandalojnë diskriminimin në vendin e punës dhe mbështesin gratë e reja, çiftet dhe familjet.

Bazuar në këtë objektiv, UNFPA në bashkëpunim me Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Dhomën Ekonomike të Gruas organizuan një tryezë të rrumbullakët: "Njohja e ligjit kundër diskriminimit nga bizneset private". Pjesëmarrës ishin ekspertë të fushës dhe përfaqësues të ndërmarrjeve private kampione që operojnë në Shqipëri, të cilat janë të angazhuara të zbatojnë politika familjare gjinore për të mbështetur punonjësit dhe familjet e tyre dhe duan të përmirësojnë vendet e punës për stafin e tyre.

Drejtuesja e Zyrës së UNFPA në Shqipëri, Dr. Manuela Bello, në fjalën e saj hapëse theksoi rëndësinë e ndërhyrjeve si projekti "Më shumë Zgjedhje", pasi ato bashkojnë kompanitë e tregut lokal rreth çështjeve të rëndësishme sociale, por gjithashtu ndihmojnë në promovimin e respektimit të të drejtave të punës, gjinisë dhe familjes në vendin e punës.

"Ky projekt deri më tani ka arritur objektivin e tij kryesor, pra, të inkurajojë diskutime në të gjitha nivelet për zbatimin e politikave familjare gjinore, jo vetëm në sektorin privat, por edhe në sektorin publik. Të gjithë aktorët e përfshirë kanë treguar vullnet të mirë dhe kanë vepruar pozitivisht kur bëhet fjalë për zbatimin dhe përmirësimin e politikave të tilla që i sjellin përfitime edhe aktivitetit tregtar", tha Dr. Manuela Bello.

Sipas Dr. Bello, ky projekt ka hedhur baza të rëndësishme për veprime të mëtejshme dhe zgjerim në sfera të tjera, si identifikimi i boshllëqeve në lidhje me diskriminimin e punonjësve. Shpresojmë që studimet dhe rekomandimet tona do të ndihmojnë në harmonizimin e politikave miqësore ndaj familjes për gratë dhe burrat.

Për Z. Robert Gajda, Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, “Tryeza e rrumbullakët është shumë e rëndësishme drejt rritjes së njohurive të të gjithë aktorëve për këtë çështje, përfshirë edhe institucionin që ai drejton. Në vitet e fundit ka pasur një prirje në rritje të ankesave drejtuar Komisionerit nga sektori privat. Pavarësisht llojit të diskriminimit, zakonisht janë personat në gjendje jo të mirë ekonomike, ata që bëhen subjekt i diskriminimit. Situata ekonomike është emëruesi i përbashkët që gjeneron sjellje diskriminuese ndaj punonjësve. Ajo që kemi vënë re është se shpesh entitetet që kanë qenë diskriminuese kanë shprehur mungesë njohurish për të drejtat dhe detyrimet ndaj zbatimit të politikave anti-diskriminuese ndaj punonjësve dhe, për këtë arsye, burimet njerëzore luajnë një rol të rëndësishëm në respektimin e politikave anti-diskriminuese. Prandaj, është shumë e rëndësishme për ne që ky departament të jetë profesionalisht dhe plotësisht i aftë për të trajtuar situatat e diskriminimit në vendin e punës”, tha Z. Gajda.

Dhoma Ekonomike e Gruas u përfaqësua nga Kryetarja, Znj. Antonela Hako, e cila theksoi se "Diferencimi gjinor fillon që nga koha e arsimit profesional, ku profesionet ndahen në profesione për vajza dhe për djem. Fatmirësisht, në vitet e fundit kemi parë praktika të mira të zbatimit të politikave miqësore ndaj familjes për punonjësit në sektorin privat. Megjithë sfidat e kaluara dhe ato që duhen adresuar ende kërkojnë një zë të fortë dhe të bashkuar për t'u zgjidhur, duket se po ndërmerren hapa të rëndësishëm drejt përmirësimit të situatës. Për ne dhe shumë biznese të drejtuara nga gratë, aseti më i rëndësishëm në sipërmarrjet tona janë dhe do të mbeten punonjësit, për të cilët synojmë të mundësojmë një mjedis pune të sigurt dhe pa diskriminim", tha Znj. Hako.

Studimet e kryera nga UNFPA tregojnë se 71% e punonjësve në sektorin privat nuk janë të informuar për politikat miqësore ndaj familjes, ndërsa vetëm 17% e bizneseve private kanë rregullore të brendshme për mbrojtjen nga diskriminimi në vendin e punës.

Projekti "Më Shumë Zgjedhje: Politika Familjare Gjinore për Sektorin Privat në Ballkanin Perëndimor dhe Moldavi" zbatohet nga UNFPA dhe financohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim.