Go Back Go Back
Go Back Go Back
Go Back Go Back

UNË JAM SI TI! – Historia e Gersit dhe Inës

UNË JAM SI TI! – Historia e Gersit dhe Inës

Lajme

UNË JAM SI TI! – Historia e Gersit dhe Inës

calendar_today 10 October 2022

Gersi dhe Ina gjatë angazhimeve të tyre në Samitin "Shoot for Inclusion"
Gersi dhe Ina gjatë angazhimeve të tyre në Samitin "Shoot for Inclusion"

Nuk është aspak e lehtë të jesh një person me aftësi të kufizuara intelektuale. Por ka nga ata që ia kanë dalë të jenë të suksesshëm, të integrohen dhe krijojnë një jetë të pavarur  në Shqipëri,  madje edhe të kthehen në model për bashkëmoshatarët e tyre.

Ky është rasti i Gersit dhe Inës, dy të rinj të lindur me aftësi të kufizuara intelektuale. Në Shqipëri nuk është aspak e lehtë për persona me aftësi të kufizuara të krijojnë një jetë të pavarur, të integrohen e aq më pak të kthehen në modele frymëzuese për shumë të rinj e të reja nga grupe po kaq të marxhinalizuara e vulnerabël. Gersi dhe Ina janë rasti ku përpjekja e mundi është përkthyer në arritje konkrete.

Gersi ka zgjedhur sportin si një mundësi për të shpërfaqur aftësitë e tij speciale. Ai numëron me dhjetëra pjesëmarrje në aktivitete sportive kombëtare dhe ndërkombëtare, ku, jo pak herë, ka arritur të marrë medalje dhe vende të para në olimpiada e konkurse.

“Kur isha 10 vjeç, mami filloi të më çonte në pishinë, sepse ia kishin sugjeruar notin si një nga sportet që më bënte mirë për formimin e fizikut, forcimin e muskujve dhe zhvillimin tim në përgjithësi. Unë  stërvitem në sportin e notit në pishinë nga trajneri dhe jam bërë një sportist profesionist,  duke marrë pjesë në kampionate ndërkombëtare e kombëtare si në Firenze, Kosovë, Çeki, Kanada dhe në Portugali, ku kam marrë shumë medalje dhe diploma për rezultatet që kam arritur gjatë këtyre garave”.

Ina Toska, apo si të gjithë e njohin Ina Fotografja, lindi në Fier në 1988. Ditë më vonë ajo kaloi temperaturë të lartë dhe problemet nisën të shfaqeshin, duke lënë pasoja shëndetësore të parikuperueshme të të folurit. Ina nuk u dorëzua kurrë në përpjekjen e saj për të pasur një jetë normale dhe aktive, falë vullnetit të pakursyer dhe dëshirës për të qenë si të gjithë bashkëmoshatarët e saj. Ndryshe nga Gersi që zgjodhi sportin, Ina zgjodhi fotografinë si “dritaren” e saj për të krijuar e ndërtuar pavarësinë e saj në shoqëri.

“Një aparat i vogël fotografik nga Japonia, nuk ishte thjesht dhurata që më bëri tezja ime, por ishte momenti kur ndryshoi jeta ime. Prej asaj kohe, aparatin nuk e heq nga dora. Kam vullnet dhe dëshirë të madhe për të punuar dhe arrij atë që dua. Dita ime më e vështirë është kur mbetem pa punë, kur nuk fotografoj”.

Ina dhe Gersi janë shembulli konkret se, duke mos u dorëzuar, asgjë nuk është e pamundur, pavarësisht pengesave të shumta me të cilat ata janë përballur, pengesa që i kanë ndryshuar jetën familjarëve të tyre, miqve e shokëve, të cilët nuk kanë hezituar kurrë t’i mbështesin në përpjekjet e tyre për të qenë si çdokush tjetër.

“Përveç sportit të notit dhe basketbollit, unë punoj, po, punoj në një prej dyqaneve më të njohur në Tiranë dhe jam përgjegjës për vendosjen e alarmit në etiketat e produkteve që kompania tregton. Jam shumë i kënaqur me punën dhe aktivitetin tim ditor dhe sportiv, me stafin të cilët më duan dhe mbështesin” - thotë Gersi.

Për t’i dhënë një mundësi për të treguar talentet e tyre, aftësitë dhe dëshirën për të qenë njësoj si çdo bashkëmoshatar i tyre, me mbështetjen e UNFPA, u mbajt për herë të parë në Tirane turneu “Shoot for Inclusion – 3 pikëshi i gjithëpërfshirjes”. Aktiviteti i organizuar nga Special Olympcis mblodhi në Tiranë të rinj e të reja me dhe pa aftësi të kufizuara intelektuale në një Samit dedikuar Rinisë dhe Sportit për Gjithëpërfshirje, duke nxjerrë në pah talentin, kurajën dhe guximin e atletëve specialë.

Dhjetë delegacione me të rinj nga Kosova, Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina, dëshmuan me pjesëmarrjen tyre se sporti mund të jetë një mundësi shumë e mirë për gjithëpërfshirjen, shëndetin e mirë, zhvillimin e qëndrueshëm dhe integrimin e mirëqenies së personave me aftësi të kufizuara intelektuale në shoqëri. 

TIRANA UNIFIED, shpërfaqi eksperiencat e të rinjve nga rajoni me dhe pa kufizime intelektuale, të cilët udhëhoqën aktivitete dhe promovuan sportin si një mjet për përfshirjen e njerëzve me aftësi të kufizuara intelektuale në jetën e përditshme. Aktivitete sportive të kombinuara me promovimin e kulturës, kuzhinën, traditën dhe historinë i shtuan një dimension dinamik samitit. 

Ky Samit Rajonal u zhvillua për herë të parë në Shqipëri, organizuar nga Special Olympics Albania, nën kujdesin e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, në kuadër të veprimtarive të shumta të titullit “Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022”,  në partneritet me UNFPA dhe partnerë të tjerë.