Go Back Go Back
Go Back Go Back

UNFPA SHQIPËRI NIS FUSHATËN “TJETËR HERË ME VAJZË”

UNFPA SHQIPËRI NIS FUSHATËN “TJETËR HERË ME VAJZË”

News

UNFPA SHQIPËRI NIS FUSHATËN “TJETËR HERË ME VAJZË”

calendar_today 16 December 2022

Imazhi ilustrues i fushatës "Tjetër Herë me Vajze" e UNFPA Shqipëri
Imazhi ilustrues i fushatës "Tjetër Herë me Vajze" e UNFPA Shqipëri

“Tjetër herë me vajzë” është fushata e nisur nga UNFPA në partneritet me Fondacionin Spitalor të Nënës dhe Fëmijës dhe Fibank. Fushata e cila erdhi në kuadër të 16 ditëve të aktivizimit, ka nisur me vendosjen e ekspozitës informuese pranë Pedonales së Tiranës, ku fakte dhe të dhëna janë shfaqur për publikun për çështjen e aborteve selektive të lidhura me praktikat e dëmshme të dhunës me bazë gjinore.

 

Statistikisht në Shqipëri lindin 109 djem për çdo 100 vajza ose, e thënë ndryshe, për çdo 10 djem të lindur, vendi humbet një vajzë. Bazuar në këtë tendencë, në vetëm një dekadë në Shqipëri mungojnë rreth 21 mijë vajza nga mosha 0 deri në 19 vjeç, duke krijuar një zinxhir pabarazie gjinore, e cila prek dhe ndikon çdo sferë të shoqërisë.

 

 

Drejtuesja e zyrës së UNFPA Shqipëri Dr. Manuela Bello, gjatë ceremonisë së prezantimit të fushatës për publikun, u shpreh se shifrat flasin për një devijim nga statistikat normale natyrore, situatë e cila e rendit Shqipërinë ndër vendet e para në botë, përsa i takon disbalancës gjinore në lindje.

 

“Shqipëria renditet në vendet e para në botë, ekzaktësisht renditemi të njëmbëdhjetët dhe kjo nuk është një situatë krenarie. Tendenca për të patur një fëmijë mashkull sot është një tendencë e gjeneralizuar, e cila ka prekur familjet, jo vetëm në zonat periferike, por edhe urbane, madje ka prekur edhe çiftet e reja të cilët preferojnë të kenë vetëm një fëmijë dhe atë e dëshirojnë të jetë djalë”, u shpreh Dr. Bello.

 

 

Pikërisht për të ndikuar në ndërgjegjësimin e shoqërisë, fushata “Tjetër herë me vajzë” synon të ndikojë përmes informimit dhe debatit publik, me qëllim që familjet dhe prindërit të jenë më të përgjegjshëm për vendimet që marrin.

 

“Ende në shoqërinë shqiptare vlerësohet padrejtësisht roli i meshkujve në raport me rolin e femrave. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm se preferenca për djalë, në aspektin e abortit selektiv, por edhe në përqasjen ndaj trashëgimisë së mbiemrit, pasurisë e të tjera, është një dhunim i të drejtave të njeriut.”, nënvizoi  Dr. Manuela Bello.  

 

 

Fushata e UNFPA Shqipëri në partneritet me Fondacionin Spitalor të Nënës dhe Fëmijës dhe Fibank do të shtrihet në disa qytete përgjatë vitit 2023.