Çdo vajzë e lindur në vitin 2009 (13 vjeç) mund të vaksinohet falas ndaj Virusit të Papilomës që shkakton kancerin e qafës së mitrës. UNFPA Shqipëri bashkoi forcat me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për të siguruar zbatimin e fushatës kombëtare për vaksinimin e vajzave në moshë 13 vjeç, duke synuar parandalimin dhe rritjen e mbrojtjes për to ndaj kancerit të qafës së mitrës.
Virusi i Papilomës është një virus i zakonshëm, infektues, i cili mund të shkaktojë dhe sëmundje të tjera, por, fatmirësisht, tani vajzat mund të mbrohen përmes vaksinës e cila gjendet falas në çdo qendër shëndetësore.
Futja e vaksinës në Nëntor 2022 përfundon një cikël të plotë të Programit Kombëtar për Parandalimin e Kancerit të Qafës së Qafës, i cili përfshin elementë të tjerë si zhvillimi i standardeve dhe protokolleve, depistimi i kancerit të qafës së mitrës, testimi për HPV, këshillimi, sistemi i referimit, diagnostikimi, trajtimi/ ndjekja, trajnimi i ofruesve të kujdesit shëndetësor etj.
Të dhënat tregojnë se, që nga fillimi i programit në vitin 2019, më shumë se 40,000 gra janë depistuar. Pandemia e Covid19, thuajse e ndaloi programin, veçanërisht gjatë vitit 2020. Në vitin 2022 programi u rikthye në rrugën e duhur për të arritur objektivin e ekzaminimit të 20,000 grave në vit, duke zgjeruar gjithashtu grupmoshën e grave të depistuara.
Fushata e vaksinimit kundër virusit HPV vazhdon, ashtu siç vazhdon përkushtimi i UNFPA Shqipëri në partneritet me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Institutin e Shëndetit Publik për zbatimin e plotë të Programit Kombëtar 10-vjeçar të Kontrollit të Kancerit.