Ky është mesazhi i plotë i Drejtoreshës së UNFPA Albania, Dr. Justine Coulson, dedikuar për ndjekësit e ciklit "Shpopullimi":
“Të gjithë ju që keni ndjekur çdo episod të serisë “Shpopullimi”, keni dëgjuar tashmë nga një sërë ekspertësh shqiptarë të flasin për ndryshimet kryesore të popullsisë me të cilat po përballet vendi për momentin. Pra, ju mund të keni parë episodin kur flisnim për faktin që gratë po zgjedhin të kenë më pak fëmijë tani se në të shkuarën. Mund të keni ndjekur episodin ku ekspertët sqaronin tendencën e emigracionit të jashtëm. Por kemi pasur edhe episodin ku ekspertët reflektojnë mbi faktin që popullsia po plaket. Pra, në Shqipëri po shohim që njerëzit mbi 65 vjeç po kthehen në një përqindje të konsiderueshme të popullsisë.
Unë mendoj se gjëja e parë që duhet thënë është se kjo nuk është situatë unike për Shqipërinë. Ne, si UNFPA, në nivel global vërejmë se, në vendet me ekonomi të zhvilluar ose që po zhvillohen me shpejtësi, siç është Shqipëria, këto janë trende normale të popullsisë. Madje, këto janë në fakt një histori suksesi, sepse, kur ekonomitë nisin të zhvillohen, kjo shoqërohet me më shumë barazi gjinore, shohim mundësi më të mira arsimimi për gratë. Gratë po kthehen në fuqi punëtore dhe çiftet po vendosin së bashku për të pasur më pak fëmijë. Nuk është njësoj si koha kur njerëzit jetonin në ekonomi rurale, kur kishte nevojë për familje më të mëdha dhe gratë zgjidhnin të qëndronin në shtëpi në role më tradicionale.
Gjithashtu, kur shikojmë plakjen e popullsisë, është përsëri një histori suksesi. Kjo lidhet me faktin që kemi popullsi me shëndet më të mirë, edukim më të mirë, por edhe të ardhura më të mira se popullsia e mëparshme. Pra, ne duhet t’i festojmë këto ndryshime edhe pse ato duken sfiduese. Dhe këtu pyetja është: Çfarë mund të bëjnë shoqëritë? Çfarë mund të bëjnë qeveritë për t’u përballur me këto ndryshime të popullsisë? Dhe ne kemi shembuj nga një seri vendesh në botë që po i qasen këtyre sfidave në mënyra të ndryshme.
UNFPA po punon shumë ngushtë me qeveritë, duke ofruar këshilla se çfarë masash mund të merren e çfarë mund të bëhet për t’u përgatitur për këto ndryshime të popullsisë. Ajo që është e rëndësishme është në fakt që qeveritë të bëjnë vërtet investime për të përfituar më të mirën nga popullsitë që kanë. Dhe çfarë do të thotë kjo? Kështu, për shembull, vërejmë rënie të fertilitetit, kur gratë dhe partnerët e tyre po zgjedhin të kenë më pak fëmijë, megjithëse do të donin të kishin më shumë, ndoshta do të donin të kishin dy fëmijë, por kanë vetëm një. Dhe ne e dimë që mund të krijohen politika që mbështesin jetën familjare, duke ndihmuar nëpërmjet lejes së lindjes apo lejes prindërore për nënën e për babain, ose një mbështetje me çerdhet e kopshtet, që në fakt mund të inkurajojë çiftet që të lindin fëmijën e parë, të dytë apo edhe të tjerë.
Pra, ka disa opsione që qeveritë mund të investojnë në jetën familjare dhe t’u mundësojnë çifteve apo grave që dëshirojnë të kenë fëmijë, të ecin përpara dhe të realizojnë madhësinë e familjes që dëshirojnë. Duke menduar për plakjen e popullsisë, shumë shpesh, kur mendojmë për më të moshuarit, ata që na vijnë në mendje janë njerëz delikatë dhe që kanë nevojë për kujdes me kohë të plotë. Por, në fakt, qeveritë dhe shoqëritë që kanë popullsi drejt plakjes, është kritike t’i ruajnë të moshuarit sa më të shëndetshëm, sa më aktivë dhe sa më shumë të angazhuar në shoqëri për një kohë sa më të gjatë. Dhe çfarë na duhet të pranojmë është fakti se, kur dikush është 65 vjeç, nuk do të thotë se nuk është më anëtar aktiv i kësaj shoqërie. Pra, mund të jeni një gjysh, mund të jeni vullnetar në komunitetin tuaj lokal, ndoshta ju dëshironi të vazhdoni të punoni, por jo me kohë të plotë, ose me mënyra të tjera. Ndoshta keni aftësi dhe njohuri që mund t’i përcillni te brezat e rinj si një mentor. Ka gjithnjë e më shumë shembuj globalë të një fleksibiliteti më të madh të llojeve të punës që u mundëson njerëzve të moshuar të vazhdojnë të kontribuojnë për aq kohë sa ata duan dhe munden. Dhe ky është një aspekt kritik.
Mesazhi im i fundit është se ka ndryshime të popullsisë këtu në Shqipëri, por ka shumë shembuj pozitivë nga e gjithë bota mbi investimet që mund të bëhen në kapitalin njerëzor, në edukimin shëndetësor, në sisteme që krijojnë punë me tregje dinamike, ku njerëz të të gjitha moshave mund të gjejnë një punë që i përshtatet aftësive të tyre. Dhe pres me padurim të punoj me kolegët e mi në zyrën e UNFPA-së në Shqipëri dhe me partnerët tanë në qeveri dhe në sektorë të tjerë për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme për zhvillimin e ardhshëm ekonomik të Shqipërisë”.