Shumë ndërhyrje janë realizuar përgjatë 25 viteve të fundit në Shqipëri për të përmirësuar edukimin seksual tek të rinjtë në mjedise të ndryshme jo-formale. Ndërhyrjet në këto mjedise synojnë, ndër të tjera, të arrijnë sa më shumë të rinj që nuk ndjekin shkollën ose që i përkasin grupeve të margjinalizuara. Fillimisht këto ndërhyrje kanë patur në fokus përmirësimin e njohurive, qëndrimeve dhe aftësive ndaj çështjeve të tilla si planifikimi familjar (kontracepsioni modern), shtatzënia dhe kujdesi gjatë lindjes; Infeksionet Seksualisht të Transmetueshme, duke përfshirë HIV dhe AIDS. Në dekadën e fundit janë adresuar më shumë çështje të tilla si dhuna dhe abuzimi seksual, të drejtat e njeriut dhe seksualiteti, si dhe reduktimi i stigmës ndaj të rinjve që i përkasin grupeve vulnerabël.
Prindërit dhe familja luajnë një rol kyç në formimin e mënyrës se si ne i kuptojmë identitetet tona seksuale dhe shoqërore. Prindërit duhet të jenë të aftë t’u adresojnë fëmijëve aspektet fizike dhe të sjelljes të seksualitetit njerëzor, si dhe fëmijët duhet të jenë të informuar dhe të pajisur me njohuritë dhe aftësitë për të marrë vendime të përgjegjshme rreth seksualitetit, marrëdhënieve, HIV-it dhe infeksioneve të tjera seksualisht të transmetueshme.
Përgatitja e fëmijëve dhe të rinjve për kalimin në moshën madhore ka qenë gjithmonë një nga sfidat më të mëdha të njerëzimit, me në qendër seksualitetin dhe marrëdhëniet njerëzore. Nëse dëshirojmë të kemi një ndikim tek fëmijët dhe të rinjtë përpara se këta të jenë seksualisht aktivë, është e domosdoshme përfshirja e edukimit seksual gjithëpërfshirës nëpërmjet zbatimit të programeve mësimore.
Mësuesit janë një burim i paçmueshëm në luftën kundër IST, në sektorin arsimor. Duhen bërë gjithashtu përpjekje të veçanta për të arritur ata fëmijë, të cilët nuk shkojnë në shkollë dhe që janë shpesh më të prirur ndaj keqinformimit dhe shfrytëzimit. Në këtë kontekst, në kuadër të reformës që ka përfshirë arsimin parauniversitar në Shqipëri, UNFPA, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Agjensia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar kanë konceptuar një ndërhyrje multidimensionale në sistemin arsimor, me qëllim pajisjen e mësuesit me qëndrimet, njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të planifikuar dhe për të lehtësuar mësimdhënien e edukimit seksual në shkollë.