Go Back Go Back
Go Back Go Back
Go Back Go Back

Marshimi i pandalshëm përpara: Një thirrje për veprim në Ditën Ndërkombëtare të Gruas

Marshimi i pandalshëm përpara: Një thirrje për veprim në Ditën Ndërkombëtare të Gruas

Deklarata

Marshimi i pandalshëm përpara: Një thirrje për veprim në Ditën Ndërkombëtare të Gruas

calendar_today 07 March 2025

Florence Bauer, Drejtoresha Rajonale e UNFPA për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore (në të djathtë) dhe Belen Sanz Luque, Drejtoresha Rajonale e UN Women për Evropën dhe Azinë Qendrore (në të majtë).
Florence Bauer, Drejtoresha Rajonale e UNFPA për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore (në të djathtë) dhe Belen Sanz Luque, Drejtoresha Rajonale e UN Women për Evropën dhe Azinë Qendrore (në të majtë).

Nga Belen Sanz Luque dhe Florence Bauer

Imagjinoni një botë ku grave u mohohen të drejtat themelore për t’u arsimuar, për të votuar, për të pasur pronë dhe autonomi. Një botë ku siguria, dinjiteti dhe pavarësia nuk janë garanci, por beteja të përditshme. Kjo botë, edhe pse në dukje arkaike, mbetet një realitet i ashpër për shumë gra dhe vajza.

Ne ua detyrojmë përparimin tonë grave të panumërta, që luftuan pa u lodhur për drejtësi dhe barazi, të cilat kërkuan një "dhomë të tyren". Lufta e tyre arriti kulmin në Konferencën historike të Pekinit të vitit 1995, ku liderët globalë u angazhuan për një të ardhme ku të drejtat dhe fuqizimi i grave të ishin universale. Megjithatë, tridhjetë vjet më vonë, ne e gjejmë veten në një pikë kritike.

Paradoksi i kohës sonë është i zymtë: ndërsa ne festojmë përparim të paprecedentë, lufta për të drejtat e grave nuk ka qenë kurrë më urgjente. Gratë kanë thyer barrierat, vajzat janë më të arsimuara dhe mbrojtja ligjore është forcuar. Megjithatë, këto përparime gjenden nën rrethim. Një reagim global kundër të drejtave të grave është duke thelluar diskriminimin, duke dobësuar mbrojtjen ligjore, duke kufizuar të drejtat riprodhuese dhe duke zvogëluar financimin për barazinë gjinore. Shqetësimet rreth ndryshimeve demografike, veçanërisht nivelet e ulëta të lindjeve dhe rënia e popullsisë, po përdoren për të justifikuar kthimin e ndryshimeve të arritura me vështirësi në barazinë gjinore dhe kufizimin e të drejtave riprodhuese.

Në vitin 2024, gati një e katërta e qeverive në mbarë botën raportuan një reagim kundër të drejtave të grave. Dhuna ndaj grave mbetet jashtëzakonisht e lartë, 24 milionë gra në Evropë dhe Azinë Qendrore  kanë përjetuar dhunë fizike ose seksuale vetëm gjatë vitit të kaluar. Dhuna e lehtësuar nga teknologjia është shfaqur si një kërcënim në rritje, duke prekur në mënyrë disproporcionale gratë e reja. Në Ukrainë, ku lufta ka riformuar çdo aspekt të jetës, rreth 2.4 milionë njerëz – kryesisht gra dhe vajza – kanë nevojë urgjente për shërbime parandalimi dhe reagimi ndaj dhunës me bazë gjinore.

Përfaqësimi politik i grave është përmirësuar, gratë tani mbajnë mesatarisht 32 për qind të vendeve parlamentare në Evropë dhe Azinë Qendrore (nga 11 për qind në 1995). Por ritmi i progresit po ngadalësohet dhe, në disa vende, po kthehet prapa. Dhuna me bazë gjinore, normat e dëmshme sociale dhe barra e pabarabartë e punës së kujdesit të papaguar vazhdojnë të pengojnë pjesëmarrjen e plotë dhe të përjetësojnë varfërinë. Kjo ndihet veçanërisht tek gratë më të margjinalizuara, duke përfshirë ato që jetojnë në zonat rurale ose me aftësi të kufizuara, ato që i përkasin grupeve në minorancë dhe gratë e moshuara. Në Ukrainë lufta ka përkeqësuar disa pabarazi gjinore ekzistuese, duke i lënë gratë përballë rreziqeve të shtuara të dhunës dhe ngarkesave më të rënda shtëpiake, edhe pse, në të njëjtën kohë, gratë janë rritur si punonjëse humanitare, udhëheqëse të shoqërisë civile, mobilizuese të komunitetit dhe sipërmarrëse - sot, një në çdo dy biznese në Ukrainë është krijuar nga një grua.

Me ritmin aktual, barazia gjinore mbetet një ëndërr e largët. Një vajzë e lindur sot do të jetë 40 vjeç para se gratë të arrijnë barazinë parlamentare, 68 para se martesa e fëmijëve të zhduket dhe mund të mos shohë kurrë fundin e varfërisë ekstreme. Ne nuk mund ta pranojmë këtë të ardhme.

Ne, si përfaqësues të UN Women dhe UNFPA, dy agjenci kryesore të OKB-së të ngarkuara me promovimin e barazisë gjinore, bëjmë thirrje për veprim në vend të apatisë, për rezistencë në vend të dorëzimit dhe për shpresë në vend të dëshpërimit. Ne jemi trashëgimtarë të një historie lufte, por jemi gjithashtu brezi që mund ta bëjmë realitet barazinë gjinore. Barazia gjinore nuk ka të bëjë vetëm me gratë dhe vajzat. Ajo është rruga përpara për mbarë njerëzimin.

Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Gruas, i bëjmë thirrje të gjithëve që të ngrihen për të drejtat, fuqizimin dhe barazinë për të gjitha gratë dhe vajzat. Le ta kujtojë historia 2025-ën si vitin që mbajtëm qëndrimin tonë, vitin që refuzuam që përparimi të na shkasë nga duart, vitin që e bëmë barazinë gjinore vërtet të pandalshme. Le të marshojmë përpara së bashku si qeveri, shoqëri civile, sektor privat dhe individë, duke u siguruar që premtimi i Pekinit të bëhet realitet për TË GJITHA gratë dhe vajzat.

 

Belen Sanz Luque është Drejtoreshë Rajonale e UN Women për Evropën dhe Azinë Qendrore. Florence Bauer është Drejtoreshë Rajonale e UNFPA për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore.