Me kompanitë pararojë: LUFRA, Raiffeisen Bank, Agna Group, INCA Albania (AZ Group), R&T Group, Euronews Albania, FIX.al, Alb Academy, Alb Solution dhe Alb Pastrim, bashkë me Komisionerin për Anti-Diskriminim, Dhomën Ekonomike të Gruas, në kuadër të projektit rajonal “Më Shumë Zgjedhje Përmes Politikave Miqësore për Familjen”, mbështetur nga Agjencia Austriake për Zhvillim, vlerësuam arritjet e deritanishme për të siguruar mjedise pune të përgjegjshme gjinore dhe miqësore ndaj familjeve.
Gjatë këtij takimi, u diskutua gjithashtu për nismat e ardhshme dhe domosdoshmërinë për qëndrueshmëri dhe konsideratë të ndryshimeve demografike në Shqipëri, duke u fokusuar veçanërisht në mbështetje për politikat dhe praktikat që mundësojnë përfshirjen dhe mirëqenien e punonjësve dhe familjeve të tyre.
Pjesëmarrësit e takimit, përfshirë përfaqësues nga sektori privat dhe shtetëror, diskutuan për krijimin e një mjedisi pune që mbështet familjet dhe zbaton politika të përgjegjshme gjinore. Disa nga hapat për të arritur këtë përfshinë orar fleksibël, "leje lindje" për baballarët, mundësi për të punuar nga shtëpia dhe leje prindërore të paguar. Kompanitë prezantuan praktikat e tyre inovative për të mbështetur mirëqenien e punonjësve, si dhe përfshirjen e iniciativave sportive si praktikë për të mbajtur larg dhunën.
Raiffeisen Bank prezantoi politikën e saj për leje lindjeje të paguar për baballarët, që tejkalon kërkesat në Kodin e Punës, duke synuar një muaj leje, si dhe mundësinë e orarit fleksibël dhe punës nga shtëpia.
AZ Group theksoi fleksibilitetin në orar për prindërit, festimin e ditëlindjeve të punonjësve dhe mundësinë për të sjellë fëmijët në punë.
FIX Pro dhe Agna gjithashtu paraqitën nisma për mbështetje të punonjësve, si mundësitë për punësimin e të rinjve gjatë verës dhe mbështetje për edukimin e fëmijëve të punonjësve.
"Në kushtet e ndryshimeve demografike, si sektori privat ashtu dhe ai shtetëror duhet të eksplorojnë dhe të zbatojnë politika dhe nisma miqësore ndaj familjes që të sigurojnë dhe rrisin besnikërinë e punonjësve, si edhe një mundësi për të ulur emigracionin apo mundësuar që familjet e reja të ndihen të sigurta dhe të mbështetura", tha Elsona Agolli, analiste programi mbi Çështjet Gjinore dhe Popullsinë në UNFPA Shqipëri.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm është edhe angazhimi për të promovuar këto nisma përmes platformave digjitale dhe për të mbështetur fazën e dytë të projektit, e cila synon, ndër të tjera, fuqizimin e institucioneve shtetërore dhe propozimin mbi përmirësime ligjore për lejen e lindjes për baballarët dhe përfshirjen e mëtejshme të praktikave miqësore ndaj familjes.
Në përfundim, pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e qëndrueshmërisë në këto nisma dhe angazhimin për të krijuar një mjedis pune që mbështet barazinë gjinore dhe përmirëson mirëqenien e punonjësve dhe familjeve në Shqipëri.