Deklaratë e Drejtoreshës Ekzekutive të UNFPA, Dr. Natalia Kanem, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas (8 Mars 2025)
Investimi për shëndetin dhe të drejtat e grave dhe vajzave ka ndryshuar botën, duke na sjellë më pranë barazisë dhe më shumë zgjedhjeve se kurrë më parë. Gratë kanë bërë përparime të jashtëzakonshme – dhe nuk ka kthim pas.
Marshimi për të drejta të barabarta është i pandalshëm. Ai do të vazhdojë derisa barazia gjinore të arrihet për çdo grua dhe vajzë, kudo në botë.
Angazhimet e bëra në Konferencën Ndërkombëtare për Popullsinë dhe Zhvillimin (1994) dhe Konferencën e Katërt Botërore për Gruan në Pekin (1995) i dhanë hov 30 viteve të progresit, veçanërisht në shëndetin seksual dhe riprodhues. Aktivistët dhe aleatët në mbarë botën janë mobilizuar për ta bërë më të sigurt mëmësinë dhe për t'u dhënë grave më shumë mundësi zgjedhjeje mbi fertilitetin e tyre. Përpjekjet e tyre kanë bërë që pjesa më e madhe e vendeve të miratojnë ligje kundër dhunës në familje.
Këto dhe arritje të tjera historike kanë transformuar jetën e grave. Çdo aspekt i fuqizimit të tyre, nga arsimi te pjesëmarrja në tregun e punës dhe lidership politik, mbështetet në mirëqenien dhe autonominë që ofron shëndeti seksual dhe riprodhues. Kur gratë dhe vajzat lulëzojnë, po ashtu lulëzojnë edhe familjet, komunitetet dhe e gjithë bota.
Duke çliruar potencialin e gjysmës së njerëzimit, barazia gjinore krijon shoqëri më të sigurta dhe më të begata për të gjithë. Kjo është e njohur në marrëveshjet ndërkombëtare dhe e vërtetuar nga provat shkencore. Megjithatë, miliona gra dhe vajza mbeten ende prapa. Çdo tre sekonda, një vajzë adoleshente martohet diku në botë. Asnjë vend ende nuk e ka arritur barazinë e plotë gjinore. Investimi në barazinë gjinore është shumë më i ulët nga sa duhet, ndonëse dihet që do të sillte triliona dollarë përfitime ekonomike dhe sociale.
Ligje të padrejta dhe rregullore kufizuese vazhdojnë të cënojnë të drejtat, ndërsa shërbimet shëndetësore nuk përmbushin nevojat. Çdo 10 minuta, një grua ose vajzë vritet nga një partner intim ose anëtar i familjes. Ky fakt i vetëm tregon sa pak progres është bërë për ndalimin e dhunës së nxitur nga mizogjinia dhe diskriminimi.
Konfliktet e shtuara dhe fatkeqësitë klimatike përkeqësojnë pabarazitë, duke rritur shtatzënitë e padëshiruara, vdekshmërinë amtare dhe dhunën, ndërsa martesat e fëmijëve shtohen.
Kjo Ditë Ndërkombëtare e Gruas është një thirrje për të ecur përpara, me urgjencë dhe solidaritet, për të gjitha gratë dhe vajzat, në të gjithë diversitetin e tyre. Pavarësisht sfidave, kemi parë me sytë tanë sa shumë mund të ndryshojë realiteti dhe kemi ligjin ndërkombëtar dhe të drejtat themelore të njeriut në anën tonë. Kemi shembuj ndryshimi dhe prova të përfitimeve. Këto janë mjete të fuqishme për të arritur barazinë. Le t’i përdorim ato.
UNFPA do të vazhdojë të punojë me partnerë dhe aleatë, me qeveritë dhe shoqërinë civile, për të mbrojtur të drejtat e grave. Nuk do të ndalemi derisa secili të ketë të drejtën të vendosë vetë nëse dhe kur të ketë fëmijë. Derisa asnjë grua të mos vdesë gjatë shtatzënisë apo lindjes. Barazia gjinore do ta transformojë botën për njerëzit sot dhe për brezat e ardhshëm, për të mirën e të gjithëve.