Një komponent kyç i Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDGs) është angazhimi për të siguruar që askush nuk do mbetet prapa në proceset e zhvillimit. OKB-ja për të gjithë është një program i Kombeve të Bashkuara, që synon trajnimin dhe ndarjen e informacionit për stafin e OKBsë dhe sjelljet e tyre në vendin e punës, që kanë lidhje me HIV. Ky program i ri trajnimi me titull "OKB për të gjithë: Dinjiteti dhe përfshirja në vendin e punës në OKB" synon të ndihmojë në ngritjen e kapaciteteve të personelit të OKB-së, për të kuptuar çështjet me të cilat ballafaqohen shpesh komunitetet e margjinalizuara. Qëllimi i trajnimit është të ndërtojë një sistem më përfshirës brenda OKB-së, për të siguruar garantimin e dinjitetit dhe mirëqenies për personelin dhe anëtarët e familjes dhe fokusohet në çështjet e të drejtave të njeriut, orientimit seksual dhe identitetit gjinor, aftësisë së kufizuar, shëndetit mendor dhe përdorimit të substancave.
Ky program trajnues po zhvillohet në të gjitha zyrat e OKB-së anembanë botës dhe është i hapur për të gjithë personelin e OKB-së, në të gjitha pozicionet apo kategoritë e punës. Të gjitha zyrat e OKB-së në rajon e kanë përfunduar këtë trajnim.
Ndërsa në Shqipëri, programi i OKB-së për të Gjithë u zhvillua nga 26 shkurt deri më 1 mars 2018. Qenë 4 (katër) ditë trajnimi shumë intensive, të planifikuara me kujdes, çdo ditë me pjesëmarrjen e 25 punonjësve të OKB-së, duke filluar nga drejtuesit e agjensive dhe personeli i programeve, deri tek punonjësit e administratës dhe sektorëve mbështetës, nga organizatat e OKBsë që operojnë në Shqipëri: UNFPA, FAO, ILO, IOM, UN Women, UNDP, UNDSS, UNHCR, UNICEF, WHO dhe Zyra e Koordinatorit të Përhershëm të OKB-së.
Rreth 100 punonjës të OKB-së u trajnuan në dy module të programit "OKB kujdeset - OKBja për të gjithë" i titulluar "Dinjiteti dhe përfshirja në vendin e punës të OKB-së", në Tiranë, Shqipëri. Temat e mbuluara ishin: 1) Të drejtat e Njeriut për të gjithë (që mbulon katër tema të ndryshme: orientimi seksual dhe identiteti gjinor, aftësia e kufizuara, përdorimi i substancave dhe shëndeti mendor); dhe 2) Orientimi seksual dhe identiteti gjinor: Përfshirja e personave LGBTI në vendin e punës në OKB. Bazuar në vlerësimin e pjesëmarrësve pas trajnimit, shumica e tyre e gjetën trajnimin shumë të dobishëm dhe temat shumë të rëndësishme.
Sesionet e trajnimit për stafin e OKB-së në Shqipëri u organizuan dhe bashkë-drejtuan nga Z. Rahim Saatov, Pika Fokale e programit të OKB-së për rajonin e Europës Lindore dhe Azisë Qendrore; Zj. Dorina Tocaj - UNFPA Shqipëri, Analiste e Programit mbi Shëndetin Seksual dhe Riprodhues të UNFPA Shqipëri; dhe Pika Fokale e UNAIDS Shqipëri, Zj. Bujana Hoti, me mbështetjen shumë të vlerësueshme të Koordinatorit të Përhershëm të OKB-së në Shqipëri, Z. Brian J. Williams.