Go Back Go Back
Go Back Go Back

Prezantohet raporti “Abuzimi i adoleshentëve dhe të rinjve në Shqipëri” - një analizë e thelluar e disa raporteve dhe studimeve të dekadës së fundit

Prezantohet raporti “Abuzimi i adoleshentëve dhe të rinjve në Shqipëri” - një analizë e thelluar e disa raporteve dhe studimeve të dekadës së fundit

News

Prezantohet raporti “Abuzimi i adoleshentëve dhe të rinjve në Shqipëri” - një analizë e thelluar e disa raporteve dhe studimeve të dekadës së fundit

calendar_today 19 February 2021

Tiranë- Sot në Kuvendin e Shqipërisë u organizua një seancë dëgjimore për prezantimin e gjetjeve kryesore të raportit Abuzimi i Adoleshenteve dhe te Rinjve ne Shqiperi, i përgatitur nga ekspertë me eksperiencë në fushën e shëndetit publik dhe të mbrojtjes së fëmijëve dhe të rinjve dhe mbështetur nga UNFPA. 

              

Ky raport ofron një paraqitje të plotë të gjithë kuadrit ligjor dhe politikave kombëtare në mbrojtje të të drejtave të adoleshentëve dhe të rinjve në Shqipëri, si dhe një analizë të thelluar (sekondare) të bazës ekzistuese të të dhënave, në lidhje me disa studime të rëndësishme që janë kryer në Shqipëri në dekadën e fundit. Kështu sigurohet informacioni i nevojshëm në lidhje me karakteristikat e abuzimit të fëmijëve e të rinjve me një fokus kryesor në ndryshimet e mundshme gjinore, ato social-ekonomike dhe diferencat e tjera që lidhen me kategoritë e rrezikuara të popullsisë.  Raporti vë në dukje se edhe pse gjatë dekadës së fundit ka një trend zbritës të prevalencës së formave të ndryshme të abuzimit të adoleshentëve dhe të rinjve në Shqipëri, determinantët përcaktues të abuzimit mbeten të njëjtë.

 

Gjatë prezantimit të saj, Dr. Gentiana Qirjako, specialiste e Shëndetit Publik theksoi se “Ekziston një nevojë urgjente për të marrë masa dhe për të siguruar të gjitha shërbimet mbështetëse të specializuara të nevojshme, të përshtatshme e të arritshme të ndihmës për vajzat dhe djemtë e abuzuar, veçanërisht në rastin e dhunës seksuale. Këto shërbime duhet të kenë kapacitete të mjaftueshme për të mbuluar të gjithë territorin e vendit, ato duhet të kenë numrin e duhur të profesionistëve të përshtatshëm, duhet të jenë të mbështetura plotësisht me buxhetin e duhur dhe duhet të funksionojnë gjithmonë bazuar në standardet e kërkuara dhe të përshtatshme.”


 
“UNFPA  e vlerëson bashkëpunimin dhe partneritetin me Kuvendin, me institucionet e pavaruara të të drejtave të njeriut dhe organizatat e shoqërisë civile që të dënohet, luftohet dhe adresohet dhuna në çdo formë të saj. Një jetë pa dhunë është garanci drejt një vendi të shëndetshëm dhe me prosperitet”, deklaroi Zj. Dorina Tocaj, Analiste e Programit të Shëndetit Seksual dhe Riprodhues dhe të Rinjve në zyrën e UNFPA në Shqipëri. 

 
Gjetjet e kësaj analizë të thelluar synojnë të ndihmojnë vendimmarrësit, institucionet arsimore dhe kërkimore, prindërit dhe vetë doleshentët e të rinjtë që të kuptojnë përhapjen e fenomenit të dhunës si dhe determinantët e rëndësishëm përcaktues për hasjen e saj. Shpresojmë shumë që ky raport të ndikojë në përmirësimin e të gjitha atyre masave që synojnë të përmirësojnë mbrojtjen e adoleshentëve dhe të rinjve nga çdo formë e dhunës. 

 

Në seancë ishin të pranishëm Nënkryetarja e Kuvendit, Zj. Vasilika Hysi, Kryetari i Komisionit Parlamentar për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, Z. Enver Roshi, Kryetarja e Nënkomisionit Parlamentar për Barazinë Gjinore dhe Parandalimin e Dhunës ndaj Gruas, Zj. Eglantina Gjermeni, Avokati i Popullit, Zj. Erinda Ballanca.

 

Ky aktivitet u organizuar nga UNFPA Albania, në kuadër të Programit të Përbashkët të OKB "T’i Japim fund Dhunës ndaj Grave" financuar nga Qeveria e Suedisë dhe zbatuar nga UNDP, UN Women dhe UNFPA në partneritet me Qeverinë Shqiptare.