Go Back Go Back
Go Back Go Back
Go Back Go Back

Sfidat Demografike dhe Shëndetësore të Shqipërisë në Shekullin 21

Sfidat Demografike dhe Shëndetësore të Shqipërisë në Shekullin 21

Lajme

Sfidat Demografike dhe Shëndetësore të Shqipërisë në Shekullin 21

calendar_today 26 February 2021

Tiranë, 26 shkurt 2021 – UNFPA në Shqipëri prezantoi sot një analizë të detajuar mbi Sfidat Demografike dhe Shëndetësore me të cilat përballet Shqipëria në Shekullin 21. Hartuar nga një grup ekspertësh në fushat e demografisë dhe shëndetit publik, nga këndvështrimi shkencor, ky raport ka një rëndësi të veçantë, sepse nxjerr në pah sfidat më emergjente të Shqipërisë, si edhe tenton të japë rekomandime mbi hartimin dhe zbatimin e disa politikave të integruara gjithëpërfshirëse si një mënyrë për t’u përballur me këto sfida, politika jo vetëm për shëndetin e fëmijëve dhe të rinjve, por edhe për nënat e tyre.

“Raporti nxjerr në pah nevojën për t’u përqendruar tek potenciali i të rinjve në vend nëpërmjet politikave zhvillimore, jo vetëm për të ndaluar migracionin, por edhe për të ngadalësuar procesin e mplakjes së popullsisë. Raporti gjithashtu thekson se fokusi tek të moshuarit duhet të përbëjë një axhendë të re për kujdesin shëndetësor dhe social, se popullsia e Shqipërisë po plaket me ritme shumë të larta. Raporti nuk le më pas vëmendjen ndaj të drejtave të njeriut dhe të drejtave të shëndetit riprodhues. Duke adresuar rregullimin e abortit, ndalimin e abortit për shkak të gjinisë, si edhe fuqizimin e vendimarrjes së gruas në të gjitha aspektet e jetës, ky raport nënvizon rëndësinë e të drejtave të shëndetit riprodhues si pjesë e të drejtave të njeriut.”, - u shpreh Prof. Arjan Gjonca, Ekspert i Demografisë në London School of Economics, një nga autorët e analizave.

 “Raporti dëshmon përmirësimin e qëndrueshëm të shumë treguesve shëndetësorë gjatë viteve të fundit, por, njëkohësisht edhe nevojën për rritjen e nivelit të edukimit shëndetësor të mbarë popullsisë dhe bën thirrje për angazhim serioz të qeverisë për rritje të qëndrueshme të financimit në sektorin shëndetësor si parakusht themelor për të garantuar mbulesë shëndetësore universale.” – u shpreh Dr. Genc Burazeri, Ekspert i Shëndetit Publik një tjetër autor i këtij raporti.

Raporti është një vazhdim i punës së bërë me Studimin Shqiptar Demografik dhe Shëndetësor 2017-2018 (ADHS 2017-2018) dhe përdor të dhënat e ADHS dhe të një numri të madh burimesh të disponueshme për çështjet e trajtuara, që nga regjistrat vitalë, të dhënat e censuseve, të dhënat nga përdorimi i shërbimeve e deri tek studime të veçanta në popullatë.

“UNFPA shpreson që kjo analizë e thelluar do të shërbejë si një bazë për sektorin publik shtetëror dhe atë joqeveritar për të përmirësuar më tej politikat që lidhen me shëndetin dhe demografinë e popullit shqiptar.”, - deklaroi Zj. Elsona Agolli, Analiste Programi për Çështjet Gjinore dhe Popullsinë në zyrën e UNFPA në Shqipëri.

 

Ky raport u prezantua në partneritet me Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë, Punës dhe Çështjeve Sociale koordinuar nga Fondacioni NESMARK si partner zbatues i UNFPA Albania.

 

Lexo raportin e plotë këtu: https://albania.unfpa.org/sq/publications/sfidat-demografike-dhe-sh%C3%ABndet%C3%ABsore-t%C3%AB-shqip%C3%ABris%C3%AB-n%C3%AB-shekullin-21-century