Fjalën kromozom mbase e kemi artikuluar për herë të fundit në 9-vjeçare. Në pubertetin e hershëm mësojmë mbi kuptimin biologjik në specje të ndryshme dhe njihemi me kromozomet XX dhe XY që mundësojnë shpërndarjen e gjinive në fetus, e mësojmë si një fakt shkencor interesant. Mbetet thjesht njohuri, pasi të gjitha specjet që kanë gjini, përfshi këtu dhe njeriun, nuk kanë asnjë mundësi të ndërhyjnë në këto kromozome kur ngjizet embrioni.
Më interesante akoma, për ato/a që nuk e mbajnë mend – çdo embrion në fillim ka karakteristika femërore deri në javën e 7-të, kur fillon edhe vepron kromozomi respektiv dhe krijohen organet. Por, sërish mbetet një fakt tjetër, i cili nuk ka pse të ndikojë asnjë rrjedhë në jetën e ardhshme të këtyre embrionëve. Më vonë mësojmë mbi natyrën dhe rafinimin e saj për një balancë të përsosur të jetës, siç është raporti i gjinive. Dhe natyra ka vendosur që në specien tonë është 105 bebe djem për 100 bebe vajza. Njeriu ka në dorë ndryshimin e kësaj balance “me dashje” nëpërmjet abortit selektiv apo përzgjedhjes së seksit në lindje.
Shqipëria është e para në Europë për preferencë të bebeve djem dhe e njëmbëdhjeta në botë. Institucionet tona edukuese duhet të japin jo vetëm informacion me natyrë shkencore, por edhe edukim qytetar dhe interpretime sociale të biologjisë. Vlerat sociale të trashëguara shekull mbas shekulli kanë qenë më autoritare në këtë drejtim, më shumë se vetë shkolla. Ato kanë gdhendur kuptimin e të qenit vajzë apo djalë dhe të qenit djalë triumfon. Në shoqërinë, tonë nusja e re ka vuajtuar presionin e lartë për të bërë djalë sa më shpejt, a thua se kish ndonjë farë kontrolli! Dhe kur djemtë nuk vinin, ajo ka vazhduar të bëjë bebe përtej planit apo dëshirës.
Një dukuri tjetër e hasur është ajo e abortit selektiv i fetusit për shkak të gjinisë femër. Ka ende çifte në Shqipëri që abortojnë fetusin F, pasi preferojnë fort të kenë një djalë. Një djalë që do të trashëgojë mbiemrin dhe pronat. Dhe, si pa dashur, bilanci natyral u prish duke bërë që sot në Shqipëri të lindin 109 djem për 100 vajza. Sot në 2023, përveç prapambetjes, asgjë nuk justifikon preferencën për djalë kundrejt vajzës. Të gjithë argumentet për të bërë më shumë djem se vajza hidhen poshtë shkencërisht, ligjërisht, logjikisht dhe emoconalisht. Fëmijët janë bekim. Vendimi për të vazhduar ose jo një shtatzëni është personal dhe merret pasi prindërit në pritje janë konsultuar me mjekun profesionist. Por një kromozom i vetëm nuk ka pse të përcaktojë vlerën dhe potencialin e një jete.