Gjëndeni këtu

Edhe pse rinia në Shqipëri është pjesë e programit dhe politikave të qeverisë dhe citohet si grup prioritar në dokumenta të veçantë të hartuar për këtë qëllim, aktivizimi i të rejave dhe të rinjve në praktikë dhe përfshirja e tyre në bashkëqeverisje, kërkon gërshetim të vëmendjes, veprimeve dhe burimeve - sidomos financiare - të dedikuara realisht nga qeverisja qendrore në bashkëpunim me atë vendore. Misioni i Planit Kombëtar të Veprimit për Rininë 2015-2020, qartësisht evidenton nevojën për “përmirësim të cilësisë së jetës së të rejave e të rinjve dhe forcim të statusit të tyre, përmes zhvillimit të më shumë mundësive në edukim, punësim, shëndetësi, kulturë, si dhe rritje të pjesëmarrjes së plotë të tyre në shoqëri dhe vendim-marrje”.

Por përmbushja e këtij misioni në praktikë, mbetet larg realitetit nëse nuk ndërmerren hapa konkretë, sidomos nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, për të cilat detyrimi dhe përgjegjësia për trajtimin me prioritet të rinisë shprehet qartësisht edhe në Ligjin 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”.

Bashkia Shkodër, është një nga njësitë e vetëqeverisjes vendore që nuk ka humbur kohë për hedhjen e hapave konkretë në këtë drejtim. Të rejat dhe të rinjtë janë grup i synuar dhe prioritet për këtë bashki, pasqyruar si në plane të përgjithshme e të veçanta, ashtu edhe në shifra konkrete, të buxhetuara e shpenzuara rregullisht këto tre vitet e fundit.