Dhuna ndaj grave dhe vajzave është një nga shkeljet më të shpeshta të të drejtave të njeriut në botë sot. Nuk njeh kufij socialë, ekonomikë apo kombëtarë. Në mbarë botën, rreth një në tre gra përjeton një abuzim fizik ose seksual gjatë jetës së saj.
Dhuna me bazë gjinore dëmton shëndetin, dinjitetin, sigurinë dhe autonominë e viktimave të saj, ndërkohë që mund të mbetet e fshehur në një kulturë heshtjeje. Viktimat e dhunës mund të kenë pasoja në shëndetin seksual dhe riprodhues, përfshirë shtatzënitë e detyruara dhe të padëshiruara, abortet e pasigurta, fistulat traumatike, infeksionet e transmetuara seksualisht, përfshirë HIVin, madje edhe vdekjen.
UNFPA është një nga agjensitë lider të OKB që punon për të forcuar barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave dhe për të adresuar pasojat fizike dhe emocionale të dhunës me bazë gjinore. Programet e UNFPA ofrojnë asistencë psikosociale, trajtime mjekësore dhe paketa për të mbijetuarit në rast përdhunimesh dhe promovojnë të drejtën e të gjitha grave dhe vajzave për të jetuar pa dhunë dhe të paabuzuara.
UNFPA në Shqipëri punon për të luftuar dhe adresuar praktikat e dëmshme të tilla si martesat e hershme tek fëmijët nën moshën 18 vjeç, përzgjedhja e seksit tek fëmijët përpara lindjes, apo dhuna me bazë gjinore e hasur kryesisht tek grate dhe vajzat. Në këtë luftë janë partnerizuar kryesisht të rinjtë dhe janë angazhuar djemtë dhe burrat si promotorë të ndryshimit.