Gjëndeni këtu

Sigurimi i një ekuilibri të qëndrueshëm midis jetës dhe punës është një përpjekje kolektive multi-sektoriale që kërkon një angazhim afatgjatë nga të gjitha palët e interesuara. Projekti i zbatuar nga UNFPA në Shqipëri synon të zgjerojë spektrin e zgjedhjeve për gratë, në mënyrë që ato të përmbushin aspiratat e tyre për karrierë dhe për të krijuar familje e lindur fëmijë, por edhe duke përfshirë burrat në përkujdesjen ndaj familjes, në punën e papaguar në shtëpi dhe jashtë saj, duke kontribuar kështu në barazinë gjinore.

Në vijim të firmosjes së shtatë marrëveshjeve të bashkëpunimit me Kompanitë Pararojë Agna Group, Sallameri FIX, INCA Albania, LUFRA, Raiffeisen Bank, R&T Group dhe Dhomën Ekonomike të Gruas, u organizua një takim vjetor për të diskutuar, planifikuar dhe dakordësuar për strategji dhe plane të përbashkëta e specifike për vitin 2022 dhe më tej. Ky takim vjetor ishte një mundësi e mirë për të shkëmbyer sfida dhe qasje të suksesshme në adresimin e çështjeve të lidhura me mjediset e punës më miqësore për familjen.

Marrëveshjet konfirmojnë angazhimin e këtyre kompanive për të zbatuar politika më miqësore ndaj familjes. Sipas marrëveshjeve kjo do të arrihet përmes seancave konsultative dhe aktivitete trajnuese për departamentet e menaxhimit dhe burimeve njerëzore, dhe departamentin e komunikimit, shkëmbimeve të eksperiencave dhe përvojës me zbatues të suksesshëm në rajon, e të tjera që do të lehtësohen dhe mbështeten teknikisht dhe financiarisht nga ky projekt. Të gjitha këto përpjekje do të shoqërohen gjithashtu edhe nga një bashkëpunim i njëkohshëm me ligjvënësit kombëtarë për zhvillimin e një kornize më të plotë të politikave familjare të përgjegjshme gjinore.

Këto ndërhyrje janë pjesë e aktiviteteve dhe objektivave të projektit rajonal "Më shumë zgjedhje: Politikat Familjare të Përgjegjshme Gjinore për Sektorin Privat në Ballkanin Perëndimor dhe Moldavi" i zbatuar nga UNFPA dhe mbështetur financiarisht nga Agjencia Austriake e Zhvillimit.