Go Back Go Back
Go Back Go Back
Go Back Go Back

Të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara- Një çështje që na përket të gjithëve

Të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara- Një çështje që na përket të gjithëve

Deklarata

Të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara- Një çështje që na përket të gjithëve

calendar_today 03 December 2024

Ilda and Klinton Ndreca me djalin e tyre
Ilda and Klinton Ndreca with their child

Deklaratë nga Drejtoresha Ekzekutive e UNFPA, Dr. Natalia Kanem, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara

Në botë, afërsisht një në gjashtë persona jeton me aftësi të kufizuara. Ata kërkojnë të përfshihen në çdo vendim që ka ndikim tek ata. "Asgjë për ne, pa ne!"

Fatkeqësisht, personat me aftësi të kufizuara shpesh lihen jashtë vendimmarrjes, qoftë në parlament apo në nivele të tjera vendimarrëse. Kjo bën që zëri dhe përvoja e tyre të mos merren parasysh, dhe të drejtat e tyre të shkelen.

Përveç kësaj, ata përballen me diskriminim dhe paragjykime, të cilat shpesh janë edhe më të forta për gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara. Në situata krize, si luftëra ose fatkeqësi natyrore, ata janë edhe më të cenueshëm, pasi mund të humbasin aksesin në ndihmë dhe mbështetje.

Gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara janë më të rrezikuara nga dhuna dhe kanë më pak qasje në informacion për shëndetin seksual dhe riprodhues. Shumë prej tyre u është thënë të mos bëjnë fëmijë, duke u mohuar të drejtën për të vendosur për trupin e tyre.

UNFPA punon për të ndryshuar këtë situatë. Programi ynë "Ne Vendosim" ofron shërbime dhe informacion mbi shëndetin seksual dhe riprodhues për gratë dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara. Ne punojmë me ta për të ofruar shërbime që i respektojnë dhe u japin dinjitet. Gjithashtu, ne synojmë të ndryshojmë mentalitetin e gabuar që shoqëria ka për personat me aftësi të kufizuara, duke përfshirë idenë se ata nuk mund të kenë marrëdhënie intime.

Strategjia jonë për përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara promovon të drejtat e tyre në të gjitha aspektet e jetës. Ne mbledhim të dhëna për të kuptuar më mirë nevojat e tyre dhe për t'u dhënë atyre zë.

Për shembull, UNFPA ka mbledhur të dhëna në gjashtë vende për të studiuar lidhjen mes aftësisë së kufizuar dhe dhunës në familje. Këto të dhëna ndihmojnë në hartimin e ligjeve dhe politikave që i mbrojnë më mirë personat me aftësi të kufizuara.

Në të gjithë botën, personat me aftësi të kufizuara po gjejnë zgjidhje të reja për problemet që hasin. Kjo ndihmon në krijimin e një bote më të aksesueshme për të gjithë.

Në këtë Ditë Ndërkombëtare për Personat me Aftësi të Kufizuara, le t'i mbështesim ata që të ndajnë historitë dhe njohuritë e tyre, dhe të marrin pjesë në vendimet që ndikojnë jetën e tyre.

Le të punojmë së bashku për të ndërtuar shoqëri më gjithëpërfshirëse, ku të gjithë, përfshirë personat me aftësi të kufizuara, të ndihen të barabartë dhe të vlerësuar.