Go Back Go Back
Go Back Go Back
Go Back Go Back

Thirrje për paqe dhe mbështetje: Mbrojtja e grave dhe vajzave në një botë në krizë

Thirrje për paqe dhe mbështetje: Mbrojtja e grave dhe vajzave në një botë në krizë

Deklarata

Thirrje për paqe dhe mbështetje: Mbrojtja e grave dhe vajzave në një botë në krizë

calendar_today 25 November 2024

Dr. Natalia Kanem - Drejtoresha ekzekutive e Fondit të Popullsisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara
Dr. Natalia Kanem - Drejtoresha ekzekutive e Fondit për Popullsinë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara

Ndërsa viti 2024 po i afrohet fundit, ne në UNFPA kemi një thirrje të vetme: Paqe. Paqe në tokë për të gjithë njerëzit, veçanërisht për gratë dhe vajzat të cilave u shërbejmë, të cilat janë të prekura nga kriza, për të cilat nuk janë ato përgjegjëse.

Ky ka qenë një vit i mbushur me dhunë dhe paqëndrueshmëri. Luftëra të reja kanë shpërthyer, konfliktet e vjetra janë ndezur, dhe kriza klimatike është thelluar. Konfliktet shkatërruese janë intensifikuar në Gaza, Sudan dhe Ukrainë, ndërsa dhuna është përshkallëzuar në Haiti dhe Liban. Kriza të zgjatura nga Afganistani në Siri e deri në Jemen kanë lënë komunitetet gjithnjë e më të brishta. Në vitin 2024, vitin më të nxehtë të planetit në histori, stuhitë, përmbytjet dhe thatësirat e shkaktuara nga klima kanë zhvendosur miliona njerëz nga Kameruni dhe Nigeria në Bangladesh dhe Filipine.

Gratë dhe vajzat shpesh janë në shënjestër të vuajtjeve. Ato përdhunohen dhe sulmohen nga burra të armatosur si një taktikë terrori dhe lufte në Republikën Demokratike të Kongos, Haiti, Sudan dhe më gjerë.

Uria – e përkeqësuar ose e shkaktuar nga konfliktet e nisura nga "dora e njeriut" – ka përndjekur dhe vrarë persona në mbarë botën, duke lënë miliona gra shtatzëna të kequshqyera.

Edhe pse numri i të uriturve, të sëmurëve dhe të plagosurve u rrit, shërbimet e kujdesit shëndetësor ishin në shënjestër të sulmit. Në Gaza, Liban, Sudan dhe gjetkë, spitalet dhe qendrat shëndetësore janë shkatërruar, janë lënë pa furnizime dhe karburant, janë rrethuar dhe sulmuar vazhdimisht.

Tragjikisht, viti 2024 ishte gjithashtu viti më vdekjeprurës për punonjësit e ndihmave, me më shumë se 280 humanitarë të vrarë. Pasiguria është rritur, hapësira humanitare është zvogëluar, dhe mosrespektimi i ligjit ndërkombëtar humanitar është shtuar.

Megjithatë, shtatzënia dhe lindja e fëmijëve nuk ndalen për shkak të luftës. Gratë dhe vajzat vazhdojnë të kenë nevojë për mbrojtje nga dhuna. Të drejtat e njeriut nuk mbarojnë kur ndodh një fatkeqësi. Ato nuk ndalen në kufij. Nevojat e grave dhe vajzave nuk zhduken kur ato kërkojnë siguri. Prandaj, UNFPA qëndron në krah të tyre.

Në nëntë muajt e parë të këtij viti, ne kemi ofruar ndihmë në 59 vende të prekura nga kriza. Ndihma e UNFPA me shërbime të shëndetit seksual dhe riprodhues ka arritur te më shumë se 10 milionë njerëz, ndërkohë që ndihma me shërbime për parandalimin dhe reagimin ndaj dhunës me bazë gjinore ka arritur te 3.6 milionë të tjerë. Ne kemi mbështetur 1,600 hapësira të sigurta dhe kemi furnizuar më shumë se 3,500 qendra shëndetësore dhe spitale me pajisje, ilaçe dhe personel, në mënyrë që gratë të mund të lindin në mënyrë të sigurt.

Në Sudan, kriza më e madhe humanitare në botë, ku nevojat për mbrojtje janë rritur, UNFPA mbështeti 51 hapësira të sigurta për gratë dhe vajzat, vendosi 90 ekipe të lëvizshme shëndetësore dhe ofroi furnizime dhe pajisje për 124 qendra shëndetësore.

Në Gaza furnizuam 35 objekte shëndetësore me ilaçe dhe pajisje, vendosëm klinika me kontejnerë që ofronin kujdes urgjent obstetrik dhe mbështetëm 20,000 persona me batanije dhe sende sanitare.

Në Liban, furnizimet dhe ilaçet kirurgjikale të UNFPA-së mbështetën shërbimet e shëndetit amëtar dhe foshnjor në 30 spitale në të gjithë vendin.

Në Siri ne kemi ofruar mbështetje për shëndetin riprodhues për dhjetëra mijëra të kthyer në pikat kufitare dhe qendrat e tjera.

Në Haiti, UNFPA ka mbështetur spitalet me ilaçe dhe pajisje dhe ka dërguar njësi mjekësore në Port-au-Prince për gratë që nuk mund të shkojnë në spitale ose klinika.

Në Sahel, mamitë e mbështetura nga UNFPA janë një mjet shpëtimi për gratë që nuk kanë akses në shërbimet jetike të maternitetit, për shkak të konfliktit, fatkeqësive natyrore dhe zhvendosjes.

Ndërsa lufta vazhdon në Ukrainë, UNFPA ka ndihmuar rreth 1 milion njerëz me shërbime të shëndetit seksual dhe riprodhues. Gjithashtu, UNFPA ka mbledhur të dhëna për të ndihmuar qeverinë e Ukrainës të përballojë pasigurinë, duke përfshirë humbjen e njerëzve.

Në të gjitha këto situata, UNFPA punon me partnerë vendorë, duke përfshirë organizatat e drejtuara nga gratë, në mënyrë që ata që janë në kontakt të drejtpërdrejtë me komunitetet të jenë në gjendje t'i ndihmojnë ato.

Ne gjithashtu punojmë me partnerët tanë të Kombeve të Bashkuara. UNFPA është lideri global për shëndetin seksual dhe riprodhues dhe ofruesi më i madh i shërbimeve për të prekurit nga dhuna me bazë gjinore. Ne koordinojmë përpjekjet për të parandaluar dhe për t'iu përgjigjur problemeve.

Vitin e ardhshëm, pritet që më shumë se 11 milionë gra shtatzëna të kenë nevojë për ndihmë humanitare, dhe më shumë se 92 milionë do të kenë nevojë për mbështetje si pasojë e dhunës me bazë gjinore. Fondet humanitare nuk janë të mjaftueshme për të përmbushur nevojat në rritje, dhe kjo vë në rrezik jetën dhe të ardhmen e grave dhe vajzave.

Në të njëjtën kohë, shëndeti dhe të drejtat seksuale dhe riprodhuese janë nën kërcënim në shumë vende. Ka pasur kufizime alarmuese dhe shkurtime të mundshme të fondeve, duke vënë në rrezik edhe më të madh shërbimet për gratë dhe vajzat. Në disa vende, UNFPA ka 75% më pak fonde se ç'duhet për t'iu përgjigjur krizave, dhe ne presim që ky problem të përkeqësohet vitin e ardhshëm.

Në themel të punës së UNFPA-së është një besim i thjeshtë: Asnjë grua nuk duhet të humë jetën gjatë lindjes së fëmijës, dhe asnjë grua apo vajzë nuk duhet të jetojë me frikën e dhunës.

Shumë herë, është vërtetuar se kur gratë dhe vajzat kanë akses në kujdesin e shëndetit seksual dhe riprodhues, përfitojnë të gjithë. Kjo na çon drejt një të ardhmeje më të mirë.

Puna e UNFPA  për vitin 2025 kërkon 1.4 miliardë dollarë për të ndihmuar 45 milionë gra, vajza dhe të rinj në 57 vende të prekura nga kriza. Kjo është e rëndësishme për të shpëtuar jetë, për të mbrojtur shëndetin dhe për t'i mbrojtur njerëzit nga dhuna. Është gjithashtu e drejtë e çdo gruaje dhe vajze të jetojë në paqe dhe dinjitet. Gratë dhe vajzat në vendet e prekura nga kriza e meritojnë këtë.